Ndërlidhjet

logo-print

Të rinjtë kosovarë, të cilët një pjesë të madhe të kohës së lirë e kalojnë në internet, tregojnë se janë të interesuar të dinë për zhvillimet politike në vend, por më shumë kanë interes për kulturën dhe sportin.

Kurse, sa i takon informimit për ngjarjet ndërkombëtare, ata thonë se herë pas here interesohen dhe për ngjarjet qq ndodhin në botë.

Arbenita Abazi nga qyteti i Ferizajt, e cila studion në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arkitekturës, thotë se dëshiron të dijë për politikën, por jo në atë masë sa t’i marrë shumë kohë politika.

“Më intereson politika, po më shumë në përgjithësi. Do të thotë i di gjërat të gjitha nga pak, përgjithësisht, jo diçka shumë në detaje. Dua të di për vendin tim, kush po udhëheq, çka po ndodh. Tash, së fundmi, kanë qenë zgjedhjet. Kurse nga bota, ne jemi studentë dhe duam të dimë me shumë për ndonjë universitet, për të dalë dhe studiuar jashtë vendi”, thotë Arbenita.

Kurse, Vjollca Berisha, e cila studion në Fakultetin Juridik, thotë se më shumë ka interes të informohet për kulturën në përgjithësi:

“Zakonisht, më interesojnë më shumë lajmet nga kultura, shou-bizi, art edhe pak a shumë edhe nga politika, meqë ka shumë zhvillime të hovshme. Megjithatë, nganjëherë është më mirë edhe më relaksuese të fokusohemi te lajmet jo shumë të rënda, siç është kultura etj. Edhe nga arena ndërkombëtare ka interesim për shembull politikat e Bashkimit Evropian për të tjerat jo shumë”.

Një mendim ndryshe ka Egzon Dragusha. Ai tregon se interesimin më të madh për t’u informuar e ka vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me sportin.

“Unë më shumë kam interesim për sport, teknologji e ca gjëra të tjera, por kryesisht për sportin 90 për qind, pra edhe për sportin vendor dhe ndërkombëtar. Kur flas për sportin ndërkombëtar më shumë kam interes për italianët edhe për vendet e tjera, pa marrë parasysh. E përcjelli futbollin dhe jam futbollist”, tregon Egzoni.

Kurse, studenti i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Atdhe Sahiti, thotë se tash për tash interesin më të madh për t’u informuar e ka vetëm për gjërat që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Unë kryesisht kam interesim për ekonomi dhe politikë, pasi që kam vendosur të studioj për ekonomi, më intereson çka po ndodh me ekonominë në botë dhe në Kosovë. Për shembull ndryshimet, kriza ekonomike, GDP-ja jonë, kur do të marrim donacione. Me shumë më intereson çka lidhet edhe me fakultetin tonë. Edhe për politikën - tash që ishin zgjedhjet kemi qenë pak a shumë më të fokusuar në ato zhvillime kush çka po premton, programet e tyre etj”, shprehet Atdheu.

Ndërsa, Zeneli një nxënësi i Shkollës së mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë, thotë:

“Më shumë për sport kam interesim, kah politika nuk hyj shumë. Pra, kam interes për gjëra të reja”.

Andi Dragusha, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” tregon se për dallim që nuk ka ndonjë interesim për politikë ndërkombëtare, politika dhe zhvillimet në vend, i interesojnë. Për zhvillimet thotë se informohet kryesisht nga portalet e ndryshme.

“Për dallim nga çështjet e tjera, lajmet më interesojnë, sepse ke nevojë të dish se çka po ndodh këtu brenda. Kurse sa i takon botës, më intereson më shumë çka thonë ata për Kosovën”, thekson Andi.

Kultura vendore dhe ndërkombëtare është ajo që i intereson studentit nga Ferizaj, Armend Sherifi:

“Unë për vete kam interesim për shou-biz, nga vendi dhe bota, politikë jo edhe shumë. Me intereson për artistët dhe projektet e tyre”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG