Ndërlidhjet

Tymoshenko futet në grevë urie


Yulia Tymoshenko në kohën kur ka qenë kryeministre. Prill, 2009.

Yulia Tymoshenko në kohën kur ka qenë kryeministre. Prill, 2009.

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, e cila po vuan dënimin prej shtatë vjetësh burgim për shkak të “abuzimit me detyrën zyrtare”, ka nisur grevë urie, në solidaritet me protestuesit në Kiev, të cilët kërkojnë lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian.

Mijëra protestues pro-evropianë i kanë kërkuar të hënën presidentit Viktor Yanukovych që të nënshkruajë një marrëveshje politike dhe tregtare me bllokun.

Mes tyre dhe forcave të rendit ka pasur edhe përleshje.

Në mesazhin për protestuesit, Tymoshenko ka thënë:

“Në shenjë uniteti me ju, futem në grevë urie, pa afat, me kërkesën që Yanukovych të nënshkruajë marrëveshjen e asociimit”.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka fajësuar Rusinë për presion ndaj Ukrainës, që të heqë dorë nga marrëveshja me bllokun.

Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, dhe shefi i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në Bruksel, me të cilën “kundërshtojnë fuqishëm pozitën dhe veprimet e Rusisë” dhe thonë se oferta për Ukrainën që të nënshkruajë marrëveshje politike dhe tregtare me BE-në “mbetet ende në tavolinë”.
XS
SM
MD
LG