Ndërlidhjet

Vijnë faktmbledhësit e vizave


Ilustrim
Ilustrim
Nga data 2 deri më 6 dhjetor, në Kosovë do të qëndrojë një mision faktmbledhës i Komisionit Evropian për të bërë vlerësimin e përmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.

Këtë proces, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi si të rëndësishëm dhe ftoi Komitetin drejtues për liberalizimin e vizave, për të biseduar rreth përgatitjeve të nevojshme.

Ai tha para anëtarëve të Komitetit drejtues për liberalizimin e vizave, se përmbushja e kritereve për liberalizim vizash është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kërkoi nga anëtarët e Komitetit dhe ekspertët e tjerë që të jenë të përgatitur për ofrimin e informacioneve të nevojshme misionit faktmbledhës.

“Për këtë arsye, është më se e rëndësishme të marrim një vlerësim sa më të sinqertë dhe të bazuar në fakte, pra një vlerësim sa më pozitiv. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i liberalizimit për vendin tonë, gjithashtu rëndësia e këtij misioni faktmbledhës është po aq i rëndësishëm”.

“Presim që, javën që vjen, nga 2 deri më 6 dhjetor, të jeni maksimalisht të përgatitur, të siguroheni që stafi juaj të jetë i gatshëm dhe në krye të detyrës, të jenë të pajisur me të gjitha informatat dhe statistikat e nevojshme të gjitha ekipet”
, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka shprehur siguri se zyrtarët, me të cilët do të takohen ekspertët e BE-së, do të jenë në gjendje të prezantojnë një situatë të avancuar dhe se, siç tha ai, do të dëshmohet përkushtimi dhe serioziteti në këtë drejtim.

“Ky mision do t’i vlerësojë tri blloqet e para, pra do të vlerësojë zbatimin e kritereve që lidhen me fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve personale, migrimit dhe azilit. Përderisa për blloqet e mbetura mbetet të vendoset nga misioni evropian se kur do të bëjë një vlerësim të tillë”, shpjegoi Thaçi.

Ndërsa, ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, deklaroi se në fund të kësaj jave pritet që të përfundojë një raport faktik, i cili do të shërbejë për ekspertët e BE-së.

Nga ana tjetër, njohësi i integrimeve evropian, Shenolli Muharremi, vlerësoi se Bashkimi Evropian dhe Kosova janë shumë vonë sa i takon çështjes së liberalizmi të vizave.

Sipas Muharremit, në drejtim të liberalizimit të vizave, si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Kosova, duhet të kenë një fokus më të madh në këtë drejtim, në mënyrë që ky proces të mos vazhdojë pafundësisht.

Kurse, për misionin faktmbledhës të Komisionit Evropian që do të vijë në Kosovë, Muharremi mendon se misioni do të vërejë përparime në disa fusha, por, siç tha ai, nuk ka progres në sundimin e ligjit.

“Shihet që ka pasur një progres në disa fusha, por nuk shihet faktikisht progresi në çështje e sundimit të ligjit dhe të drejtësisë. Kështu që, Bashkimi Evropian duhet të jetë më pro-aktiv me misione dhe me raporte të progresit, liberalizim të vizave, për shkak se nëpërmjet këtyre raporteve i udhëzon institucionet e Kosovës dhe iu bën presion për t’u fokusuar dhe për t’i zbatuar më shumë reformat”, vlerësoi Muharremi.

Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, deklaruan se pikat themelore për integrime evropiane të Kosovës mbesin “sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, çështjet ekonomike dhe konkurrenca”.
XS
SM
MD
LG