Ndërlidhjet

Vlera e trashëgimisë kulturore jomateriale


Punimi i qilimave
Punimi i qilimave
Shtatëdhjetëvjeçarja Kakesh Jumabai-Kyzy, e ka kaluar gjithë jetën duke punuar me furkë.

Nëna e tetë fëmijëve jeton në zonën At-Bashy të Kirgizisë, ku shumë familje ende kultivojnë dele, prej të cilave nxjerrin lesh, të cilin e përpunojnë dhe bëjnë qilima tradicionalë kirgiz, si dhe disa lloje veshjesh tipike për zonën.

"Kam mësuar si të punoj qilima nga nëna ime, dhe pastaj kam vazhduar edhe vetë. Unë bëj lloj-lloj gjërash nga fijet e leshta, prej të cilave arrij të nxjerr pallto për burra, kapele tradicionale kombëtare dhe shumë veshje të tjera. Shumë nga produktet e mia janë shitur edhe jashtë kufijve. Megjithatë, nga të gjithë anëtarët e familjes sime, vetëm njëra nga vajzat e mia si dhe bashkëshortja e djalit, po vazhdojnë traditën e këtij zanati”, rrëfen zonja Jumabai-Kyzy.

Qilimat, sikur ata që i punon zonja Jumbay-Kyzy, kanë një kolorit të pasur nuancash të llojllojshme, dhe ishin përdorur nëpër shtëpitë kirgize për t’u ngrohur dhe si dekorime.

Por, Nazgul Mekeshova, një specialiste e trashëgimisë në Ministrinë e Kulturë së Kirgistanit, thotë se tradita e të punuarit të gjërave të tilla, po vdes.

"Në kohët e mëparshme kjo veprimtari ishte në kulmet e veta në vendin tonë. Për shembull, kur një vajzë e re martohej, nënat zakonisht i jepnin gjëra të tilla si pjesë e dhuratës së pajës së martesës. Por, në kohët e sotme, ka shumë tepihë modernë, të cilët shiten në shumicën e dyqaneve lokale, ndërsa qilimat e dikurshëm kanë mbetur vetëm pjesë e historisë”, shprehet Mekeshova.

Megjithatë, vitin e kaluar tradita kirgize e të punuarit të këtyre qilimave, mori një shtysë shumë pozitive, kur Kombet e Bashkuara vendosën ta fusnin atë në listën e elementeve kulturore jomateriale, për të cilat kërkohej mbrojtje emergjente.

Në vitin, 2003 UNESCO miratoi një konventë speciale, për të ndihmuar elementet kulturore jomateriale, diçka që kjo agjenci e ka quajtur “trashëgimi kulturore shpirtërore”, ose referuar ndryshe, “trashëgimi kulturore e paprekshme”.

Në lidhje me këtë listë, Helena Drobna, një specialiste nga UNESCO, sqaron se në mënyrë që një traditë e caktuar kulturore të arrijë të futet në këtë kategori, ajo “duhet të jetë transmetuar nga gjenerata në gjeneratë, të jetë krijuar dhe ripërtërirë vazhdimisht nga komuniteti, dhe të ketë dëshmuar një sens identiteti dhe vazhdimësie”.

Në këtë kategori, vazhdon ajo, hyjnë elemente si “traditat e gojëdhënave, artet performuese, shkathtësitë tradicionale, praktikat sociale dhe ritualet, njohuritë dhe praktikat në lidhje me natyrën e universin, e të tjera si këto.

Që nga atëherë, qindra elemente të ashtuquajtura “të trashëgimisë së paprekshme” i janë shtuar kësaj liste.

Megjithatë procesi i aplikimit nga ana e shteteve për të futur një nga elementet e tyre tradicionale kulturore në këtë listë, mund të jetë i mundimshëm.

Shtetet duhet të dëshmojë që elementet kulturore në fjalë janë esenciale për identitetin e një komuniteti, që ato vazhdojnë të barten brez pas brezi, dhe që të njëjtat nuk përfaqësojnë ndonjë kërcënim për të drejtat e njeriut.

Vendet aplikuese duhet të arrijnë të argumentojnë se si ato vetë, përmes administrative të tyre shtetërore, do të arrijnë që në mënyrë të pavarur ta mbështesin elementin kulturor në fjalë.

Dhjetëra shtete kanë aplikuar edhe këtë vit për t’u bërë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të rrezikuar, të cilat kanë nevojë për mbrojtje nga UNESCO. Në mesin e kandidatëve të sivjetmë janë shtete si Mongolia, Belgjika, Turqia e shumë të tjera.

Lëndët e këtyre shteteve do të shqyrtohen gjatë takimit të sivjetmë që mbahet nga 2 deri më 7 dhjetor në Baku të Azerbajxhanit. Edhe vetë qyteti nikoqir, Baku, po përpiqet të fusë një nga elementet e saj kulturore, më saktësisht një sport tradicional, në këtë listë të UNESCO-s.

UNESCO thotë se lista e saj e trashëgimisë së rrezikuar, është e dizajnuar që të vërë në pah trashëgiminë kulturore jomateriale të komuniteteve të ndryshme, dhe jo të shteteve, një hap ky i cili është menduar të theksojë diversitetin e natyrshëm ndërmjet shoqërive, në pjesën më të madhe të shteteve në botë.(f.syla)
XS
SM
MD
LG