Ndërlidhjet

Analistët: Organizimi i zgjedhjeve, sfidë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Analistët politikë rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që është mbajtur në gjithsej 25 komuna, por edhe në nivel të Kosovës, e vlerësojnë me nota pozitive, duke thënë se në krahasim me zgjedhjet e kaluara ky proces ka qenë më i mirë.

Naimi Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë thotë se zgjedhjet në përgjithësi mund të thuhet se janë zhvilluar në rrethana normale.

“Ajo është evidente në pjesën jugore është ishte një dalje relativisht e kënaqshme, shumë më e mirë se ajo që është pritur edhe shumë më e mirë sesa edhe në balotazhet e mëhershme. Çështja e dytë e rëndësishme në këto zgjedhje është se incidentet nuk kanë qenë të shumta, por ato që janë regjistruar, kanë qenë më serioze se herëve të kaluara. Në veri situata ka ndryshuar, atje më 1 dhjetor u votua normalisht”, thotë Rashiti.

Megjithatë, sipas Rashitit, procesi i balotazhit ka mbyllur një kaptinë të rëndësishme për vendin.

Sipas tij, sa i takon pjesës jugore, është rritur niveli i standardeve të organizimit të zgjedhjeve, por Kosova në këtë drejtim nuk ka arritur nivelin e organizimit të zgjedhjeve si vendet e rajonit.

“Është një notë kaluese, por me mangësi evidente në proces. Ende Kosova nuk ka arritur të mbajë zgjedhje të standardit të rajonit konform atyre standardeve që mbahen në Shqipëri, Maqedoni, dhe Serbi”, vlerëson Rashiti.

Edhe analisti Shpend Kursani konsideron se në krahasim me raundin e parë, por edhe me zgjedhjet e viti 2009, këto zgjedhje kanë qenë të një niveli më të lartë.

“Procesi si i tillë, ka qenë më i mbikëqyrur nga organet e drejtësisë dhe ka pasur më shumë kualitet në ofrimin e zgjedhjeve politike nga kandidatët. Pra, kemi pasur edhe kandidatë me kualitet, kështu që për qytetarin ka pasur më shumë opsione se çka të zgjedhin”, thekson Kursani për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, sa i takon anës negative, Kursani mendon se këto zgjedhje do të sjellin një ndikim më të madh të Serbisë në Kosovë.

“Ana negative e kësaj është që për dallim nga zgjedhjet e tjera, për herë të parë, këto zgjedhje u caktuan në negociata me Serbinë dhe e kemi ndikimin e Serbisë shumë më të madh në Kosovë se që ishte më herët. Pra, kjo është ana negative e këtyre zgjedhjeve që nuk duhet të lejohet të tejkalohet”, vlerëson Kursani.

Analistët politikë e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë kur bëhet fjalë për parregullsitë, të cilat kanë ndodhur.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG