Ndërlidhjet

Procesi zgjedhor vërteton sovranitetin e Kosovës, thonë ShBA-të


Kosovë - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson (M) gjatë një takimi me ministren kosovare për Evropë Vlora Citaku (Ilustrim)

Kosovë - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson (M) gjatë një takimi me ministren kosovare për Evropë Vlora Citaku (Ilustrim)

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka përgëzuar qytetarët që votuan të dielën në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Në një njoftim dërguar medieve, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se mbetet e përkushtuar për të ndihmuar zhvillimin e komunave të Kosovës, përfshirë komunat funksionale, si dhe për investimet në bashkësitë në veri të Kosovës.

“Përkundër raportimeve të disa parregullsive – shumë prej të cilave i janë paraqitur policisë dhe prokurorisë së Kosovës – gjetjet fillestare sygjerojnë se shumica e qytetarëve morën pjesë në një proces të qetë, sigurtë dhe të besueshëm”, thuhet në këtë njoftim.

Sipas kësaj kumtese, përpjekjet e Komisionit Qendror Zgjedhor në bashkërendim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe prokurorët ishte një demonstrim i fuqishëm i faktit se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, dhe se nuk do të tolerojë sjelljet e paligjshme që e pengojnë procesin demokratik.

“Ambasada pret nga policia e Kosovës dhe prokurorët që ata të vazhdojnë punën e tyre të fuqishme dhe të mbesin syhapur në gjetjen dhe hetimin e paraqitjeve të mashtrimit dhe kërcënimit”, thotë tutje kjo komunikatë.

Shtetet e Bashkuara, siç thuhet në këtë njoftim, presin të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur rregullsisht gjersa ata përqëndrohen në punën e rëndësishme të qeverisjes dhe në zbatimin e politikave dhe programeve të cilat i shërbejnë nevojave dhe interesave të komunave të Kosovës.

Raportet fillestare, sipas vlerësimit të ambasadës amerikane, sygjerojnë se Kosova ka ruajtur përmirësimet e bëra në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe këto tregojnë se “Kosova është plotësisht a aftë që të zhvillojë zgjedhje të besueshme dhe transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

“Ne inkurajojmë udhëheqësit të cilët kanë treguar guxim dhe përkushtim në mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta që të mbështeten në këtë momentum pozitiv për të kaluar një reformë të vërtetë zgjedhore në përputhje me aspiratat evropiane të Kosovës”, bënë thirrje përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

“Suksesi i qartë i këtyre zgjedhjeve lokale tregon edhe një herë fuqishëm se Kosova është shtet sovran që kontrollon tërë territorin e saj gjë që vetëm sa e përforcon kredibilitetin e saj si një demokraci në ardhje e cila ka një perspektivë të vërtetë evropiane”, thuhet në fund të këtij njoftimi dërguar medieve të hënën.
XS
SM
MD
LG