Ndërlidhjet

Zgjedhjet e integrimit apo dezintegrimit të serbëve


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, do të zhvillojnë takimin e radhës më 5 dhjetor në Bruksel, ku kësaj radhe do të diskutojnë rreth konstituimit të Asociacionit të Komunave Serbe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale për herë të parë edhe në komunat me shumicë serbe në veri, nga kryeministri Thaçi është cilësuar si një fitore e madhe dhe hap drejt integrimit të kësaj pjese në kuadër të sistemit legal e kushtetues të Kosovës.

Pjesëmarrja e serbëve verior në zgjedhje, sipas Thaçi paraqet hapin e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në dialogun midis Prishtinës deh Beogradit.

“Pasi që u organizuan zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës, për herë të parë edhe në veri, ky është legjitmimi më i fuqishëm edhe qytetar që i ka dhënë Marrëveshjes së 19 Prillit në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar procesin elektoral të 3 nëntorit si një hap përpara drejt integrimit të pjesës veriore, analistët politikë në Prishtinë po tërheqin vërejtjen se me fitoren e Iniciativës Qytetare Serbe, e cila sponsorizohet nga Beogradi në nëntë komuna të Kosovës dhe formimin e Asociacionit / Bashkësisë së Komunave Serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, po rrezikohet të dezintegrohet dhe jo të integrohet ky komunitet.

Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë se tendencat e Beogradit janë të qarta dhe synohet që tani të krijohet një entitet politik, i cili nuk do të jetë një Organizatë Joqeveritare, siç ishte thënë pas arritjes së marrëveshjes Prishtinë – Beograd më 19 prill.

“Të gjithë këta kryetar të komunave, e që nuk janë pak, janë 9 nga lista serbe dhe 1 nga SLS-ja, do të bëjnë çmos që t’u kundërvihen institucioneve të Kosovës. Prandaj, mendoj se prapë do të vijmë në situatë kur institucionet, udhëheqësit e Kosovës do të detyrohen që të hyjnë në dialog të ri pikërisht për çështjen e organizimit të këtij entiteti serb brenda Kosovës”, ka deklaruar Mushkolaj.

Me zgjedhjet lokale të vitit 2009, komunat poshtë lumit Ibër, si Graçanica, Novobërda, Parteshi, Shtërpca, Kllokoti e Ranillugu qenë integruar në kuadër të sistemit legal e kushtetutës të Kosovës.

Ndërkaq kishin mbetur jashtë sistemit komunat në veri si Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku e Mitrovica veriore.

Tani, zgjedhjet u mbajtën në të gjitha komunat, por fitorja e listës serbe, sipas analistit Imer Mushkolaj e ka vënë në sfidë këtë integrim, ngaqë kryetarët e rinj të zgjedhur, që në start paralajmërojnë se nuk do të respektojnë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

“Nëse i dëgjojmë deklaratat e bëra qysh pa zgjedhjeve vështirë mund të besojmë në integrim. Ata (kryetarët e komunave serbe) do provojnë me çdo kusht që brenda organizimit të tyre, e që do të jetë Asociacioni i Komunave Serbe, të krijojnë një entiteti i cili do të jetë si një njësi e veçantë që do t’u kundërvihet institucioneve apo qeverisë qendrore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mushkolaj.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi pret që më 5 dhjetor, do të bisedojë me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq për funksionalizimin e komunave serbe, përfshi edhe organizimin e policisë, gjykatave e doganave në veri.

“Me 5 dhjetor do të ndodhë takimi tjetër në Bruksel për të përshpejtuar procesin e zbatimit të marrëveshjes, do të thotë për funksionimin e policisë së Kosovës në gjithë territorin, instalimin e sistemit të drejtësisë sipas legjislacionit kosovar edhe në atë pjesë të territorit të vendit, pastaj funksionimi i sistemit doganor dhe çështje të tjera”, ka thënë Thaçi.

Për dallim nga kryeministri Thaçi, ministri pa portofol për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin u ka thënë medieve në Beograd se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe nënkupton krijimin e lidhjes me Beogradin.

Ky organ, sipas tij, do të njihet nga Prishtina, Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare.

“Do të kemi dhjetë komuna serbe dhe prefektë të cilët zyrtarisht thonë se në vend të parë e kanë Beogradin dhe se askush nuk do të mund t’ua ndalojë këtë të drejtë”, ka thënë Vulin.

Në përgatitje të takimit Thaçi – Daçiq, në Bruksel po zhvillohen takimet e grupeve punuese për funksionalizimin e Asociacionit të Komunave dhe zbatimin e marrëveshjes për doganat.

Çështjet kryesore që pritet të dominojnë takimin e radhës janë statuti i Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave Serbe, pastaj buxheti i këtij organi, organizimi i policisë dhe gjykatave dhe çështje tjera të ngjashme.

Kurse Beogradi, po synon që të nxisë si temë diskutimin lidhur me pasuritë natyrore të Kosovës që janë në territorin e asociacionit.
XS
SM
MD
LG