Ndërlidhjet

Apuk: Çmimi nga OKB-ja, për mua dhe për Kosovën


Hilmnijeta Apuk
Hilmnijeta Apuk
Hiljmnijeta Apuk, përfaqësuese e Organizatës Joqeveritare "Njerëzit e vegjël të Kosovës“ është njëra gjashtë fitueset e çmimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.

Ky çmim, çdo pesë vjet u ndahet individëve dhe organizatave, për kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e të drejtave të njeriut.

Apuk është me përkatësi boshnjake nga Mitrovica dhe ka diplomuar në shkencat juridike dhe ekonomike, por, ka lindur me shtat me shpërpjesëtim të shkurtë.

Çmimi prestigjioz do t’i dorëzohet me 10 dhjetor, me rastin e Ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky çmim më herët u ishte ndarë edhe disa personaliteteve mjaft të njohura botërore, siç janë Nelson Mandela, Martin Luther King, Eleanor Roosevelt, Benazir Bhuto etj.

Pas disa viteve pune në organizatë , Hiljmnijeta Apuk e ka siguruar statusin konsultativ në Konventën e Kombeve të Bashkuara, ku në krye të organizatës së saj ka marrë pjesë në përpunimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me invaliditet.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Apuk ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është përpjekur të lobojë për vendin e saj, Kosovën.

Jam përpjekur mjaft që të ndihmoj për përpunimin e tekstit të konventës së re si dhe për një lobim të mirë për Kosovën. Gjithmonë kam pasur ekspozita të punimeve të mia artistike të kulturës autentike të personave me aftësi të kufizuar. Kam mbajtur punëtori, tryeza të rrumbullakëta me tema për mundësitë profesionale të personave me mundësi të kufizuara psikofizike".

"Përpunimi i konventës ka zgjatur 5 vjet. Në dy vjetët e fundit kamë marrë pjesë drejtë për drejtë, ndërkaq më parë përmes internetit. Kam qenë mjaft e zëshme dhe mendoj se kam kontribuar mjaft. Ndonëse më vjen keq të flas për veten, por bota e ka njohur këtë punë”, theksoi Apuk.

Por, si jeton në Kosovë një person me nevoja të veçanta apo mundësi të kufizuara psikofizike?

Apuk vlerëson se nuk është aspak e lehtë dhe për çdo ditë ata i nënshtrohen formave të ndryshme të diskriminimit.

Ajo thekson se edhe vet e ka ndjerë peshën e diskriminimit, siç thotë, qoftë për shkak të invaliditetit, përkatësisë nacionale, gjinore, por edhe për shkak të gjuhës së saj amtare, e cila u takon gjuhëve të pakicave në Kosovë.

“Ekziston diskriminim, shumë i madh dhe i shumëfishtë, por njeriu me energji pozitive dhe me vizion mund të shkojë tutje. Kjo nuk guxon të jetë barrierë në të cilën ne duhet të rrëzohemi. Le të jetë vështirë, s’ka gjë. Unë vetes i them, për shembull, se tash e kam mjaft vështirë, por kjo është sfidë për vetë veten që të gjej mënyrë se si ta tejkaloj atë”, tha Apuk.

Megjithatë, ajo, thekson se për gjithçka që ka bërë deri më tash, e ka pasur mbështetjen nga familja e saj.

Apuk është shprehur tejet e gëzuar që puna e saj, siç thotë ajo, e rëndë dhe vullnetare në fushën e të drejtave për personat me mundësi të zvogëluara psikofizike, është vlerësuar nga bota.

Apuk shpreh mendimin se çmimi që i është ndarë, i takon Kosovës, për faktin se sipas saj, për të kanë punuar edhe qytetarët e Kosovës.

"Ky sukses, është i të gjithë Kosovës, në tërësi. Ky çmim, po ashtu është sfidë dhe detyrë për institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa do të ndihmojnë që zëri im të forcohet, të rritet, si në nivelin e Kosovës e po ashtu edhe jashtë Kosovës".

"Kjo,po ashtu është sfidë dhe detyrë që të shohim se çfarë do të bëjnë institucionet dhe Qeveria e Kosovës, për shkak se bota pret që qeveria të bëj diçka për këtë grup njerëzish, për lëvizjen e personave me mundësi të zvogëluara psikofizike, ashtu sikurse edhe për mua, si përfaqësuese e këtij grupi në nivelin global".

"Kështu që, shpresoj që do ta kuptojnë këtë detyrë, këtë çmim dhe këtë njohje të botës dhe se së bashku do të kontribuojmë edhe më shumë në përparimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuar“, u shpreh Apuk.

Ajo ka shtuar se çmimi i Kombeve të Bashkuara që i është ndarë, e ka skalitur emrin e Kosovës në murin global të luftëtarëve të mëdhenj për të drejtat e njeriut.

Institucionet e Kosovës, sipas Apuk, duhet të punojnë që ta arsyetojnë emrin historik në fushën e të drejtave të njeriut, gjë që është nderë për Kosovën, por edhe për vetë atë.
XS
SM
MD
LG