Ndërlidhjet

logo-print
Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, që pritet të hapet ditën e mërkurë, me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën kulturore në Beograd, është një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale.

Kështu është vlerësuar kjo ekspozitë nga Qendra kulturore në Beograd.

Projekti artistik është vepër e Fatos, Jehona, dhe Sarandë Bogujevcit, të cilët si fëmijë e kishin mbijetuar masakrën në Podujevë, me 28 mars të vitit 1999, ku forcat serbe të formacionit të ashtuquajtur “Shkorpioni” ose “Akrepat”, kishin vrarë 14 qytetarë në Podujevë.
Saranda Bogujevci

Saranda Bogujevci


Saranda Bogujevci, atë kohë kishte 14 vjet, ndërkaq Jehona 11 vjet.

Ato të dyja, në atë masakër, kishin humbur nënën, motrat dhe vëllezërit. Ato vetë kishin marrë plagë të rënda. Pas gjithë kësaj, 5 nga të mbijetuarit e masakrës, kanë kryer shkollimin në shkollat e Anglisë, aty ku tash edhe jetojnë.

Saranda rrëfen se si me 28 mars të vitit 1999 kanë qenë në shtëpinë e tyre në Podujevë. Para shtëpisë së tyre, siç thotë ajo, kishte ndaluar një automjet i policisë serbe dhe familja e saj ishte skajuar në kopshtin e dajës së babait të saj.

Pak kohë më pas, siç rrëfen ajo, kishin ardhur ushtarët serb, i kishin nxjerrë nga shtëpia dhe u kishin kërkuar që të largohen nga aty.

”Babai im dhe daja i tij nuk ka qenë në shtëpi, sepse kushërira ime Nora i kishte lutur të largoheshin nga shtëpia. Ata kanë qenë të fshehur diku në qytet, me shpresën se ne do të ishim të sigurt, sepse ishim vetëm gra dhe fëmijë dhe kanë menduar se nuk do të na ndodhë asgjë", rrëfen Saranda.

"Ushtarët na quan në kopshtin e fqinjit. Gjatë gjithë kohës na bërtisnin dhe na shanin, duke kërkuar që t’i zbrazim gjepat dhe më pas të mbledhim gjithë çka kishte në tokë. Nga aty na dërguan në një oborr tjetër, e më pas në rrugë, përballë stacionit të policisë. Aty na kanë radhitur dhe me ne ka qenë edhe babai i Enver Duiqit, i cili ka qenë 70 vjeçar. Aty e kam parë edhe dajën e nënës”, tregon ajo.
Jehona Bogujevci

Jehona Bogujevci


Jehona Bogujevci, vazhdon rrëfimin aty ku Saranda e kishte ndërprerë...

“Më pas na kthyen përsëri në kopsht dhe aty e kemi parë nënën time, të cilën e kishin pushkatuar. Aty kishte edhe fëmijë, të cilët luteshin që atyre të mos u bënin ndonjë të keqe. Megjithatë, ata filluan të shtinë mbi ne", evokon kujtimin e saj Jehona.

Të dy vajzat e kishin mbijetuar masakrën, së bashku me 3 fëmijë tjerë.

Fatosi, vëllai i tyre, ishte me ta. Ai rrëfen se ushtria, pasi që kishte arritur në vend të ngjarjes, i kishte marrë ata dhe i kishte dërguar në spitalin e Prishtinës.

Fatos Bogujevci

Fatos Bogujevci

“Pasi që na ndanë në spitalin e Prishtinës, unë mbeta vetëm me vëllanë Gencin. Ishin në majën e ndërtesës, ndërkaq vajzat në podrum. Ne po përpiqeshim t’i gjejmë vajzat, e ato po përpiqeshin të na gjenin neve. As ne e as ato nuk e dinim se a kishte mbijetuar ndokush. Pasi që babai na gjeti në spital, e kuptuam se vajzat janë aty dhe tentuam që t’i gjenim për t’ju dërguar ushqim”, rrëfen Fatosi.

Të gjithë ata, qëndruan në spitalin e Prishtinës deri në përfundim të luftës. Më pas, forcat britanike në kuadër të KFOR-it i kishin gjetur aty dhe ishin kujdesur për ta.

Më pas një mjek nga Mançesteri i kishte kërkuar që t’i ndihmojë ata dhe në fund të vitit 1999 ata kishin shkuar në Mançester për t'u mjekuar. Pas mjekimit në Britani të Madhe, u ishte dhënë mundësia që të shkolloheshin dhe u ishte dhënë mundësia që të flisnin publikisht për ato që u kishin ndodhur.

Ata janë zhvilluar si artistë dhe tashmë u është dhënë rasti që rrëfimin e tyre ta rrëfejnë në mënyrën e tyre, madje edhe në Beograd.

Saranda shpjegon se ekspozita është e ndarë në disa instalacione.

“Kjo nënkupton dhomën e ditës ku të cilën e përbëjnë përmbajtjet origjinale të paraluftës. Në familjen tonë kemi pasur traditë që të regjistrojmë me kamerë rritjen e të gjithë neve, kremtimet e Vitit të Ri, s dhe shënimin e festave tjera. Ka mbetur vetëm një kasetë e vitit 1990. Në dhomën e ditës do ta shihni filmin nga festa e familjes sonë”, theksoi Saranda.

Megjithatë, tre fëmijët e dikurshëm që kishin mbijetuar masakrën e Podujevës, nuk janë për herë të parë në Beograd. Ata kishin dëshmuar edhe në gjykimin që u ishte bërë “Akrepave” në Gjykatën speciale në Beograd.

Saranda thotë se kjo ka qenë një sprovë e cila ishte përjetuar rëndë nga ta, për shkak se ka qenë vështirë të përballen me njerëzit që dikur i kishin parë në oborrin e shtëpisë së tyre dhe të flisnin për detajet e gjithë asaj që kishte ndodhur.

“Ka qenë shumë e rëndë edhe fakti se në nuk keni mundur të shihni asnjë emocion te ata që e kanë bërë veprën”, tha Saranda.

Ajo shpjegon se familja e saj ka qenë si gjithë familjet tjera. Siç tha ajo, nëna e saj ka pasur ëndrra për fëmijët, vëllezërit e kanë dashur futbollin dhe shkollimin.

Megjithatë, kundër ekspozitës së paralajmëruar të tre të rinjve Bogujevci, ka pasur mjaft reagime dhe sulme nga një pjesë e opinionin në Serbi.

Lidhur me ata që e sulmojnë ekspozitën e tyre, Saranda i porositë që të paktën, fillimisht, ta shohin atë.

“Mendoj se vërtetë duhet ta shohin dhe ta kuptojnë atë, në mënyrë që të kenë ndonjë mendim për të. Mendoj se mendimi i tyre do të ndryshonte”, përfundoi Saranda.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG