Ndërlidhjet

McCain: Rusia përpiqet ta mbajë Ukrainën jashtë BE-së


Kiev...
Kiev...
Senatori i Shteteve të Bashkuara, John McCain, thotë se Rusia po përpiqet ta mbajë Ukrainën jashtë Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zoti McCain, që posa është kthyer nga vizita në Ukrainë, ku ka shprehur mbështetje për protestuesit në favor të Bashkimit Evropian, tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk është i njohur për shpërndarje të parave.

Kjo ishte referencë për marrëveshjen e shpallur të martën, pas takimit ndërmjet Putinit dhe presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, sipas së cilës Rusia i ka premtuar Ukrainës 15 miliardë dollarë amerikanë në kredi dhe gaz natyror me çmim më të lirë.

“Mendoj se rusët po përpiqen ta mbajnë Ukrainëmn jashtë Bashkimit Evropian. Njëri nga liderët e koalicionit, Yatsenyuk, tha se djathi falas është vetëm në kurthet e minjve, dhe mendoj se ka të drejtë. Zoti Putin nuk është i njohur që i falë gjërat, pra ne duhet të shohim. Por, është fakt, mendoj, se kjo është një përpjekje nga ana e Putinit dhe Yanukovichit për ta mbajtur Ukrainën nga lëvizja në Bashkimin Evropian”, tha John McCain.

Derisa ka qëndruar në Ukrainë, senatori McCain është takuar me zyrtarë ukrainas dhe me liderë opozitarë.

Ai po ashtu, ka folur në një tubim të opozitës dhe është parë në Sheshin e Pavarësisë, ku për javë të tëra janë mbledhur protestuesit, që kërkojnë afrim të Ukrainës me BE-në.

Ai thotë se shumica e popullit në Ukrainë dëshiron të rreshohet me perëndimin.

Ata dëshirojnë të jenë pjesë e Evropës , pjesë e botës, e jo e Rusisë. Ata, po ashtu, janë shumë të lodhur nga korrupsioni i rëndë dhe mungesa e zhvillimit ekonomik, që e shohin në Evropë. Pra, është fakt se ata dëshirojnë t’i bashkohen Evropës, jo vetëm se ata duan anëtarësim, ata dëshirojnë të lëvizin kah mënyra evropiane e jetesës dhe ata janë të sëmurë dhe të lodhur nga korrupsioni dhe pamundësia që të kenë punë të mirë dhe të ardhme të mirë”, i tha John McCain, Radios Evropa e Lirë.

Zoti McCain, që në vitin 2008 ishte i nominuari republikan për zgjedhjet presidenciale dhe garoi pa sukses kundër Barack Obamës, e ka dënuar fuqishëm përdorimin e forcës për shpërndarjen e protestuesve. Ai thekson se Uashingtoni duhet ta shqyrtojë mundësinë e sanksioneve, nëse dhuna përdoret kundër protestuesve paqësor.

“Nuk mund të them se çfarë sanksionesh saktësisht do të jenë. Por, siç e dini, ne e kemi kaluar Legjislacionin Magnitsky, si rezultat i vrasjes së panevojshme të avokatit rus, Sergei Magnitsky, dhe të individëve që janë në shënjestër".

"Kjo mund të jetë një lloj i modelit, por vetëm nëse atje ka dhunë kundër demonstruesve paqësorë, dhe ne nuk dëshirojnë ta bëjmë këtë. Ne vetëm mendojmë se nëse atje ka dhunë të mëtejshme kundër protestuesve, atëherë Kongresi i Shteteve të Bashkuara, mund ta ketë ndjenjën se duhet të veproj. Ne shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha McCain.

Senatori amerikan me ndikim më tutje ka theksuar se është i kënaqur me përgjigjen e Uashingtonit ndaj krizës, përfshirë edhe dënimin e fuqishëm të sekretarit të shtetit, John Kerry, ndaj goditjes kundër demonstruesve në Ukrainë.

Senatori John McCain, ka shfaqur shpresë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë protestuesve ukrainas, në emër të të drejtave të njeriut, dhe ka shtuar se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli i Ukrainës. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG