Ndërlidhjet

Vendet e rezervuara dhe rreziku i bllokimit të institucioneve


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Vazhdimi i vendeve të rezervuara në Kuvend për pakicat ka mbetur çështja kryesore e procesit të reformave zgjedhore e kushtetuese në Kosovë. Aktualisht, ka kundërshtime në lidhje me vazhdimin e 20 vendeve të rezervuara.

Sipas mandatit kushtetues, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare këto vende shndërrohen në ulëse të garantuara, që nënkupton se pakicat nuk do të mund të marrin sikurse tani, 20 ulëse në Kuvend që në fillim, plus ulëset që i fitojnë me vota, por do t’i kenë gjithsej 20 ulëset e tyre të garantuara.

Ndarja bëhet 10 vende për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ekspert i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se vazhdimi i vendeve të rezervuara, mund të implikojë funksionimin e institucioneve.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që vendimet e rëndësishme, si miratimi i ndryshimeve kushtetuese apo ligjeve të caktuara, mund të bëhet vetëm me miratimin e shumicës së votave të deputetëve nga pakicat dhe me 80 vota të shumicës.

Kështu që sipas Bajramit, Kosova nuk mund të hyjë në kompromise rreth vazhdimit të vendeve të rezervuara.

“Në qoftë se kjo shumicë e pakicës rritet sa i përket numrave, atëherë mund të ndodhë që ky mekanizëm i shumicës së pakicës, nga një garancion i mbrojtjes së pakicës shndërrohet në një instrument të bllokimit të shumicës. Ta zëmë, nëse do të kishte edhe vende të rezervuara edhe të fituara dhe neve na duhet që për çdo vendim kushtetues, për një varg ligjesh të hyjmë një proces negocimi me pakicën serbe dhe për çdo vendim do të duhet të arrihet marrëveshje”, ka thënë Bajrami.

Çështja e vendeve të rezervuara ka dominuar edhe agjendat e takimeve ndërmjet partive politike të Kosovës dhe ambasadorëve të vendeve perëndimore në Prishtinë.

Në një prononcim për mediat lokale, ambasadorja amerikane, Tracy Jacobson kishte deklaruar se i takon Kuvendit të Kosovës të vendos, por si preferencë, ajo ishte shprehur për vazhdimin e këtyre vendeve edhe për një mandat.

Megjithatë, subjektet politike thonë se vazhdimi i këtyre ulëseve do të rrezikojë funksionimin e shtetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka rikujtuar se LDK nuk do të mbështes vazhdimin e mandateve të rezervuara.

“Për ne si LDK as nuk ka arsye e as nevojë, si dhe është e rrezikshme që të vazhdohet me vendet e rezervuara dhe të hapen çështje që kanë të bëjnë me Kushtetutën”, ka theksuar Beqiri.

Aktualisht, pakicat kanë gjithsej 25 ulëseve në Kuvend. Në të ardhmen, parashihet që të shtohen edhe ulëse për pakicat e reja, që do të njihen edhe me Kushtetutë, përkatësisht atë malazeze dhe kroate.

Kurse nuk përjashtohet si mundësi që 3 deri në 5 ulëse të rezervohen edhe për serbët e veriut.

Tendenca e rritjes së vazhdueshme të ulëseve për pakicat në Kuvendin e Kosovës, nga Driton Selmanaj, analist në Institutin Demokratik të Kosovës, konsiderohet jo vetëm si jo demokratike, por edhe e rrezikshme për funksionimin e institucioneve.

“Nëse eventualisht do të kishte një hemogjenizim të pakicave në një grup të vetëm parkam dentar atëherë mund të dalë që grupi më i fortë, madh, parlamentar në Kuvendin e Kosovës të jetë nga ana e minoriteteve. Kjo më pas ndoshta do ta determinonte edhe ndërtimin e institucioneve apo edhe do ta vështirësonte vendimmarrjen në secilën situatë”, ka vlerësuar Selmanaj.

Tash për tash në nivele politike po diskutohet rreth çështjes së vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Por, nëse komuniteti serb që jeton në komunat veriore do të pajtohet që të merr pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare siç veproi me zgjedhjet lokale, atëherë një vendim i tillë i tyre besohet se do të implikonte disa ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë pikërisht me rregullimin e numrit të ulëseve për pakicat në Kuvend.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG