Ndërlidhjet

Helmetat “e padukshme” të çiklizmit


Hovding, helmeta e padukshme
Hovding, helmeta e padukshme
Dy shpikëse e kanë parë të nevojshme që të përmirësojnë helmetat e çiklizmit, në mënyrë që të tjerët të mos i shohin.

Helmeta e tejdukshme është prodhim i dy studenteve të diplomuara në Suedi, të cilët kanë sjellë teknologjinë "airbag" për çiklizmin.

Ideja ka lindur në vitin 2005, kur studentet e industrisë së projektimit, Terese Alstin dhe Anna Haupt, kanë punuar në tezën e përbashkët të masterit.

Alstin thotë se produkti përfundimtar “Hovding” trajton të gjitha problmet e njerëzve që mund t’i kenë pasur me helmetat tradicionale.

“Hulumtimi i tregut tregon se njerëzit donin një alternativë të helmetave të çiklizmit, që është më diskrete, dhe diçka që nuk ndërhyn shumë në stilin e tyre personal apo në stilin e tyre të flokëve për shembull".

"Por, ka pasur edhe arsye praktike: njerëzit donin diçka që do të ishte më e lehtë për t’u bartur”,
thotë Alstin.

“Hovding” është një qafore, e cila përmban sensorë për të zbuluar lëvizjet jonormale të trupit të çiklistit. Zhvilluesit thonë se sensorët janë të programuar me të dhëna për sigurinë e çiklizmit dhe aksidentet, të cilat vlejnë disa vite.

Në rast të aksidentit, airbag-u hapet për një të dhjetën e sekondës përreth kokës së çiklistit dhe e mbron atë para përplasjes.

Një “kuti e zezë” brenda qafores regjistron lëvizjet e çiklistit, kështu që të dhënat mund të analizohen pas aksidentit.

Në këtë ndërlidhje mund ta shikoni demonstrimin në Youtube.

Alstin thotë se teknologjia me airbag mbron kokën e çiklistit në mënyrë më efikase sesa helmetat tradicionale.

“Për shkak të teknologjisë airbag, ne kemi qenë vërtet në gjendje të vendosim një standard krejtësisht të ri për sigurinë, kur është fjala për helmetat e çiklistëve. Kemi mbrojtje tre ose katër herë më të mirë se nga helmetat tradicionale”, thotë Alstin.

Mijëra helmeta Hovding janë blerë, prejse produkti ka dalë në shitje në tregun suedez, në fund të vitit 2011. Ato janë në dispozicion në faqen e internetit të kompanisë, me seli në Mallmo, dhe në më shumë se 250 dyqane të shitjes me pakicë në Evropën Veriore, Zvicër dhe Turqi.

Helmeta mund të gjendet në disa dizajne, me çmim prej 399 eurosh.

Për të ndryshuar pamjen e Hovding-ut, përdoruesit mund të paguajnë 59 euro shtesë.

Alstin thotë se kompania e saj parashikon zhvillimin e teknologjisë më tej, me aplikime të reja.

“Prejse kemi nxjerrë produktin, njerëzit na kanë kontaktuar rregullisht, duke sugjeruar lloje të ndryshme të aplikacioneve dhe fushave të përdorimit. Kemi dëgjuar se njerëzit që kanë epilepsinë, kanë blerë produktin tonë".

"Por, sigurisht, produkti ynë i tanishëm rekomandohet vetëm për çiklizëm”,
thotë Alstin. (v.tela)
XS
SM
MD
LG