Ndërlidhjet

Opozita “e pafalshme” iraniane


"Enciklopedia e kryengritjeve”.
"Enciklopedia e kryengritjeve”.
“E pafalshme”, kështu i ka përshkruar portali zyrtar i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Khamenei, krimet e pretenduara të pjesëtarëve të opozitës që kanë marrë pjesë në demonstratat masive kundër qeverisë në vitin 2009.

Postimi në portalin e liderit suprem, ka publikuar verdiktin ku thuhet se në gjykatë është dërguar një dosje e gjelbër me mbishkrimin “Kryengritja e vitit 2009”, dhe se mbi këtë dokumentacion, është i vënë mbishkrimi me të kuqe “E pafalshme”.

Khamenei kishte thënë më 2011 se kushdo që e sfidon establishmentin politika bënë “gjynah të madh”, pasi pjesëtarët e opozitës kishin akuzuar për vjedhje masive të votave në zgjedhjet e vitit 2009, kur Mahmud Ahmedinejad u rizgjodh president.

“Ky mëkat i madh nuk falet. Ndikimet e tij ende mund të shihen në shoqëri”, citohet të ketë thënë Khamenei në librin e zyrës për ruajtjen dhe publikimin e shkrimeve të liderit suprem.

E tërë kjo po ndodh në kohën kur janë shtuar zërat për lirimin e liderit të opozitës, Mir Hossein Musavi, bashkëshortes së tij, Zahra Rahnavard, dhe klerikut reformist Mehdi Karrubi, i cili gjendet në arrest shtëpiak për më se 1,000 ditë.

Kërkesat për lirimin e këtyre figurave opozitare janë shtuar prej se erdhi në pushtet presidenti Hassan Rouhani.

Para zgjedhjeve, Rouhani kishte premtuar se do t’i lirojë të burgosurit politikë.

Postimi është shpërndarë nga shumë portale iraniane dhe në rrjetet sociale, kurse në kujtim të 30 dhjetorit të vitit 2009 është bërë edhe një poster për të shënuar përvjetorin e protestave kundër Qeverisë.

Këto protesta ishin mbajtur për të dënuar “Rebelimin”, shprehja që përdoret nga zyrtarët iranianë kur i referohen Lëvizjes Opozitare të Gjelbër.

Autoritetet i përshkruajnë protestat pro-qeveritare të 30 dhjetorit, si epike të “Dey 9” (emri i muajit iranian ku janë zhvilluar të gjitha protestat), si ditë të urtësisë.

Mediat shtetërore kishin pretenduar se miliona iranianë kishin dalë në rrugë për të shprehur besnikërinë e tyre ndaj Republikës Islamike dhe të ngrenë zërin kundër “rebelimit”.

Para përvjetorit, një numër i zyrtarëve ka lëshuar paralajmërime dhe kanë dënuar lëvizjen opozitare që ishte shtypur brutalisht.

Në mesin e tyre është edhe shefi i policisë shtetërore, Esmail Ahmadi Moghadam, i cili citohet nga mediat iraniane të ketë bërë jehonë për komentin e Khameneit, pasi ka thënë se është “mëkat” ata që krijuan tensione në Republikën Islamike gjatë vitit 2009, dhe se kjo është “e pafalshme”.

Protestat masive të vitit 2009 kundër rizgjedhjes së Ahmedinejad, ishte kriza më e madhe në Republikën Islamike.

Zyrtarët radikalë kanë akuzuar protestuesit paqësorë se kanë minuar institucionet, kanë orkestruar revolucion dhe se kanë punuar për interesa të shteteve të huaja.

Në atë që duket të jetë një përpjekje për të forcuar versionin e tyre të ngjarjeve, disa radikalë kanë publikuar “Enciklopedinë e kryengritjeve”.

Fotografitë e Musavit, Karrubit, dhe ish-presidentit reformist Mohammad Khatami, janë në ballinë të kësaj enciklopedie, e cila, sipas mediave iraniane, ka nëntë vëllime.

Botuesit kanë thënë se, edhe pse Republika Islamike ia doli t’i lërë prapa rebelimet e vitit 2009, dhe të ecën para, historia ka dëshmuar se “rebelime” tjera do të vijnë, dhe se ato do të jenë edhe “më të komplikuara dhe më të vështira për t’u menaxhuar, se sa ato të viteve të mëparshme”.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG