Ndërlidhjet

logo-print

Kosova, pa infrastrukturë ligjore për trajtim të mbetjeve industriale


Ilustrim

Ilustrim

Çështja e mbetjeve industriale është adresuar qysh moti në Bashkimin Evropian dhe në vendet tjera të zhvilluara. Industritë përkatëse duhet gjithsesi t’i trajtojnë mbetjet industriale, fillimisht që të mos ketë mbetje industriale dhe gjithçka të jetë në kuadër të ciklimit të mbyllur, me çka nuk do të ndotej ambienti.

Por, në Kosovë, mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që mbetjet industriale të kombinatit “Trepça” mbesin të patrajtuara, duke shkaktuar kështu edhe ndotje të ambientit.

Një procedurë tenderimi për trajtimin e këtyre mbetjeve industriale me vlera ekonomike e filluar në vitin 2011, ende nuk është finalizuar, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të ndërmarrjes “Trepça”.

Në gjigantin metalurgjik “Trepça”, gjatë 80 vjet të punës së tij, janë akumuluar rreth 80 milionë tonelata të mbetjeve industriale, mbetje këto të cilat përmbajnë metal, plumb, zink, argjend dhe metale tjera të rralla.

Drejtori i kombinatit “Trepça”, Halil Çelaj thotë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet industriale, jo vetëm të “Trepçës”, por edhe të ndërmarrjeve tjera, janë çështje që duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës.

“Për trajtimin e këtyre mbetjeve industriale, duhet të bëhet një ligj i veçantë, e cili do të merrej me trajtimin e të gjitha mbetjeve industriale në tërë territorin e Kosovës, jo vetëm të ‘Trepçës’. Ka pasur tendenca për riciklimin e tyre, mirëpo nuk është arritur të bëhet pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore, herë thuhet se ato janë astete të ‘Trepçës’, herë thuhet që janë në përgjegjësi të ‘Trepçës’”, bën të ditur Çelaj.

Derisa mbetjet industriale në vendet e rajonit trajtohen dhe në shumicën e rasteve trajtimi i tyre rezulton me leverdi ekonomike, vlerëson Çelaj, në Kosovë këto mbetje vazhdojnë ta ndotin ambientin.

Ai thotë se trajtimi i tyre do të ishte gjenerues i rëndësishëm i të hyrave, të cilat mund të përdoreshin për rehabilitimin e hapësirave të kontaminuara.

“Dihet që një pjesë e madhe e tyre janë mbetje industriale më vlera të theksuara ekonomike, do të thotë duhet një udhëzim, një ligj, i cili do të caktonte ose një agjenci apo vetë ‘Trepçës’ do t’i jepet kompetenca për riciklimin e tyre edhe në kuptimin ambiental, pastrimin e ambientit nga këto mbetje”, thekson ai.

Nga ndërmarrjet publike, të cilat gjenden në Kosovë, mbetje industriale ka kompleksi metalurgjik "Trepça", që gjendet në Mitrovicë, Korporata Energjetike e Kosovës, si dhe disa ndërmarrje tjera.

Jo të gjitha mbetjet industriale të kombinatit “Trepça” kanë vlerë ekonomike, por sipas ofertës që kanë dhënë kompanitë e ndryshme në tenderin e anuluar në vitin 2011, ajo shumë është e madhe.

Vetëm deponia e Artanës është thënë se ka diku 18 euro për ton, do të thotë një deponi prej 1.5 milion tonelatash; rreth 28 milionë ka qenë vlera e ofertuar dhe që do të ricikloheshin në vend dhe pastaj do të bëhej edhe rehabilitimi i zonës ku janë përqendruar ato mbetje industriale.

Çështjen e mbetjeve industriale kohë më parë e ka ngritur Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse për këto mbetje industriale hartohen politika të mirëfillta të tregtimit, atëherë do të sjellin përftime.

“Përfitimi i parë është aspekti ekonomik financiar, pra do të gjeneronin të hyra shtesë për kompaninë, të hyra që jo domosdoshmërisht të përdoren për investime kapitale. Por, çka është e rëndësishme, këto mjetë do të përdoreshin për rehabilitimin e hapësirave ku kanë qenë të deponuara ato mbetje me vite të tëra”, vlerëson Zeka.

Ndryshe, praktikat nga vendet e rajonit tregojnë se ka fabrika dhe ka mundësi të tjera për riciklimi apo për ripërdorim të këtyre mbetjeve industriale. Por fatkeqësisht, për shkak të shumës së madhe që nevojitet për ndërtimin e këtyre fabrikave, në Kosovë mungojnë objekte të tilla.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG