Ndërlidhjet

logo-print

Rritje e rasteve të paraqitura tek Institucioni i Avokatit të Popullit


Përmbushja e misionit në raport me qytetarin dhe puna me institucionet lidhur me çështjet që i kanë ngritur qytetarët, kanë qenë dy sfidat kryesore në vitin 2013 për Institucionin e Avokatit të Popullit, ka vlerësuar avokati i popullit Sami Kurteshi.

Në takimin me gazetarë, të mbajtur sot, ai ka theksuar se deri më 31 dhjetor të këtij viti, nuk do të mbetet pa u dërguar asnjë ankesë dhe asnjë përgjigje që, siç vlerësoi ai, meriton ta ketë në dorë cilido institucion apo qytetarë.

Kurteshi ka theksuar gjatë vitit 2013 ka pasur 2 mijë e 31 ankesa dhe kjo nënkupton se është shënuar ngritje e numrit të përgjithshëm të ankesave të paraqitura në Institucionin e Avokatit të Popullit, në krahasim me vitet paraprake.

“Këtë vit kemi një rritje , deri tani, 22 për qind, që do të thotë se është dyfishi i viteve të tjera. Kjo ka, sigurisht, shumë arsye. Ne nuk kemi bërë ndonjë hulumtim shkencor të opinionit që ta dimë saktësisht që ta dimë se pse ka rritje, por sigurisht se duhet të jenë disa faktorë. Unë po them se një faktor, që do të duhej të merrej seriozisht prej të gjithëve, është se kuraja e qytetarëve po rritet, por edhe gjithnjë më pak durojnë çfarëdo shkelje në raport me ta nga institucionet”, tha Kurteshi.

Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit tregon se 88 për qind të ankesave në këtë institucion i kanë bërë shqiptarët dhe 7 për qind i kanë bërë serbët.

Ndërkaq, nga 1 për qind të ankesave i kanë bërë turqit, romët, ashkalitë dhe të tjerët. Në 79 për qind të rasteve ankesat i kanë bërë meshkujt, ndërkaq 21 për qind femrat.

Megjithatë, siç ka theksuar Kurteshi, nga 2 mijë e 31 raste të paraqitura, vetëm 580 janë hapur për hetim dhe në kuadër të tyre, 21 raste janë iniciuar dhe hapur “ex officio” apo nga vet Institucioni i Avokatit të Popullit.

Janë mbi 1 mijë e 400 raste që nuk hapen për hetime. Do të thotë, janë të papranueshme dhe nuk bien në kompetencat e avokatit të popullit, sipas ligjit. Ne hapim raste që janë në kompetenca e Institucionit të Avokatit të Popullit, sipas ligjit dhe kushtetutës, si dhe për të cilat shërbimi profesional që e kemi në institucion, konsideron se janë raste që duhet të hapen për hetim”, theksoi Kurteshi.

Ndryshe tek radhitja e autoriteteve përgjegjëse të ankesave të paraqitura, sipas raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit, prijnë gjykatat me 27 për qind, ministritë me 21 për qind, komunat me 14 për qind e kështu me radhë.

Avokati i Popullit, Kurteshi, ka kritikuar edhe gjendjen, siç e ka quajtur ai, të rëndë në gjyqësorin kosovarë. Sipas tij, është një numër i madh i lëndëve, të cilat me vite presin për tu zgjidhur.

“Kjo është e palejueshme. Kjo për një shoqëri është jo vetëm e dëmshme, pro edhe shumë e rrezikshme, sepse një shoqëri mund të quhet shoqëri dhe e ka bazën e bashkëjetesës vetëm kur beson në drejtësinë shoqërore. Drejtësia shoqërore – meqenëse ne tentojmë të jemi shtet, në kuptimin juridik ligjorë - është drejtësi ligjore. Në qoftë drejtësia ligjore mungon, ky është rreziku për shoqërinë, sepse secili prej nesh do ta merr të drejtën në duar të veta. Prandaj, ne konsiderojmë se shkeljet në sferën e drejtësisë janë më të rrezikshme”, u shpreh ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka rikujtuar se përveç zyrës qendrore në Prishtinë, ka edhe zyrat regjionale në Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Graçanicë dhe dy në Mitrovicë, në veri dhe në jug të qytetit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG