Ndërlidhjet

Bullgarët e rumunët frikësojnë Gjermaninë, Francën e Anglinë


Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian po mundohet të qetësojë frikën e disa shteteve si Gjermanisë, Anglisë e Francës që kanë për fluksin e rumunëve dhe bullgarëve, pas heqjes së kufizimeve të mërkurën, një ndryshim ky i cili rrezikon të nxis ndjenjat kundër emigrantëve në Evropë.

Nga 1 janari, shtatë vjet pasi i janë bashkuar BE-së, bullgarët dhe rumunët tani janë të lirë të jetojnë dhe punojnë kudo që duan brenda bllokut 28 anëtarësh evropian, pa pasur nevojë që të pajisen me leje pune gjegjëse.

Ndryshimi i planifikuar për një kohë të gjatë, ka ngritur alarm në shtetet më të pasura evropiane, ku politikanët dhe mediet djathtiste, po u thonë njerëzve që të bëhen gati për një përmbytje të evropianëve jugor, të cilët do t’u marrin vendet e punës vendorëve, dhe do të shtrydhin buxhetin e shtetit.

“Benefitet britanike, na prisni se po vijnë! Frikë nga përmbytja e emigrantëve në ardhje”, ka shkruar në ballinë sot tablloidi britanik Daily Express.

Me zgjedhjet gjithë-kontinentale për Parlamentin Evropian në Maj, frika nga “fitimi i turistëve” sjell municion për partitë e krahut të djathtë, si ajo e Frontit Kombëtar të Francës, Partia e Lirisë e Holandës, dhe Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Në përpjekje për të qetësuar këtë debat, komisioneri evropian për punësimin, Laszlo Andor ka thënë se tashmë 3 milionë bullgarë e rumunë, jetojnë në shtetet e tjera evropiane, dhe se mbarimi i të gjitha kufizimeve, vështirë se mund të çojë në ndonjë ndryshim të madh.
XS
SM
MD
LG