Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Shqetësime për planet për lirimin e të burgosurve afganë


Ish të burgosur afganë...

Ish të burgosur afganë...

Shtetet e Bashkuara përsëri kanë shprehur shqetësime lidhur me planet e qeverisë së Afganistanit për lirimin e të burgosurve, për të cilët Uashingtoni konsideron se paraqesin rrezik për siguri.

Mbrëmë vonë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë diskutuar për këtë plan me kolegët e tyre afganë.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për lirimin e çdo të burgosuri, që do të paraqiste kërcënim për forcat e Shteteve të Bashkuara”, tha Jay Carney.

Në një deklaratë të presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, u tha se ka pak ose aspak dëshmi, që i ndërlidhë 72 të burgosurit për ndonjë keqbërje.

Në deklaratën e tij më tutje theksohet se 16 të dënuarit e tjerë do të mbeten në burg, derisa rastet e tyre të shqyrtohet më gjerësisht.

Nuk është e qartë se kur do të bëhet lirimi.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, tha se 72 të burgosurit, që Kabuli planifikon t’i liroj, janë “kriminelë të rrezikshëm”.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me lirimin e mundshëm të këtyre të burgosurve pa referimin e këtyre rasteve në sistemin penal të drejtësisë afgane. Ne kemi parë raporte se presidenti Karzai e ka miratuar lirimin e 72 prej 88 të burgosurve. Siç mund ta dini, këta 72 të burgosur janë kriminelë të rrezikshëm, kundër të cilëve ka dëshmi të fuqishme që i lidhin ata me krime të ndërlidhura terrori, përfshirë përdorimin e pajisjeve eksploduese të improvizuara, me të cilat është kryer numri më i madh i vrasjeve të shtetasve afganë”, tha Jen Psaki.

Javën e kaluar, një grup i senatorëve të Shteteve të Bashkuara janë takuar me presidentin Karzai në Kabul për të tërhequr vërejtjen se lirimi i 88 të burgosurve nga burgu Parvan, do “të ishte hap madhor prapa”, në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e kanë kaluar udhëheqjen e burgut Parvan tek autoritetet afgane në mars të vitit të kaluar. Burgu Parvan gjendet afër bazës ushtarake amerikane në Bagram, në pjesën veriore të Kabulit.

Lirimi i të burgosurve është mospajtimi i fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kabulit dhe Uashingtonit.

Të dyja palët po bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur marrëveshjen kornizë për siguri, me të cilën do të përcaktohen kushtet për disa trupa të Shteteve të Bashkuara, që eventualisht do të mbeteshin në Afganistan, pas tërheqjes së forcave të jashtme të udhëhequra nga NATO-ja, në fund të vitit 2014. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG