Ndërlidhjet

Funksionimi i gjykatave në veri, temë bosht e takimit Thaçi – Daçiq


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Funksionimi i gjykatave në veri dhe konstituimi i komunave serbe sipas Marrëveshjes së 19 Prillit, pritet të jenë temat boshte të takimit të radhës në nivel të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë më 27 janar në Bruksel.

Nga takimi i fundit, palët u ndanë pa marrëveshje rreth funksionimit të sistemit të drejtësisë në veri, ngase dallimet janë mjaftë thelbësore.

Beogradi insiston që në veri të ketë një Gjykatë Themelore e cila do të mbulonte komunat Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Komuna këto të banuara me shumicë serbe. Kurse Prishtina, kërkon që kjo gjykatë të mbuloj edhe tri komuna tjera në jug, atë të Mitrovicës Jugore, Vushtrrisë dhe Skenderajt, që përbëhen nga shumica shqiptare, në mënyrë që të ketë një balanc etnik.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk mund të ketë një sistem të ndarë të drejtësisë për katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe se ky sistem do të jetë unik.

“Marrëveshja e thotë qartë që edhe drejtësia, njësoj sikurse policia dhe fushat e tjera të adresuara me Marrëveshjen e 19 Prillit do të rregullohet në përputhje me ligjet e Kosovës. Do të ketë vetëm një Gjykatë Themelore e cila do të mbulojë të shtatë komunat, bëhet fjalë për katër komunat ne veri të vendit, me shumicë serbe dhe tri komunat në jug të Ibrit, që janë me shumicë shqiptare”, ka thënë Çollaku.

Ndarja e sistemit të drejtësisë në baza etnike, sipas Bekim Çollakut, përveç se është i papranueshëm,do të ishte një kthim prapa dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Nuk do të ketë ndarje mbi baza etnike të gjyqësorit në Kosovë. Një gjë e tillë nuk mbështetet nga askush. Do të ishte kthim prapa që të pretendohet nga kushdo qoftë që të formohen gjykata monoetnike. Kjo është e patolerueshme, e papranueshme dhe në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çollaku.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka prezantuar planin që komunat serbe të kenë sistem të ndarë të gjyqësorit në veri, duke iu referuar takimit të radhës në Bruksel ka përmendur edhe çështjen e konstituimit të Asociacionit të Komunave Serbe, organ ky që del si produkt e Marrëveshjes së 19 prillit.

“Pason formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Duhet të bëhet statuti, në mënyrë që komunat të marrin vendime përkatëse”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, Serbia mbetet e interesuar që në Bruksel të diskutohet edhe çështja e pasurisë së Kosovës, si edhe ajo e pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Sidoqoftë, dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që po ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në shumë pika nuk ka përmbushur afatet e përcaktuara me Marrëveshje dhe Planin e Zbatimit.

Nga aspekti i sigurisë dhe drejtësisë, strukturat paralele serbe në veri, të krijuara nga Beogradi tashmë sipas planit të zbatimit, do të duhej të transferoheshin në organet e Kosovës, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Këto tema kryesisht po riciklohen në kuadër të takimeve qoftë në nivelin politik apo edhe në kuadër të takimeve të grupeve teknike të dyja shteteve.
XS
SM
MD
LG