Ndërlidhjet

Kosova ende pa kodin IBAN


Ilustrim
Ilustrim
Pas përdorimit të SWIFT kodit bankar të Republikës së Kosovës nga institucionet financiare në vend, autoritetet kompetente në Prishtinë janë në përpjekje të pajisen edhe me Numrin Ndërkombëtar të Llogarisë Bankare, i njohur me shkurtesën IBAN, bëjnë të ditur zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK).

Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare, apo IBAN, quhet formati i numrit të llogarisë bankare, i cili format standardizon identifikimin ndërkombëtar të llogarive bankare dhe është në përdorim nga shumë shtete në botë.

Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN, sipas zyrtarëve të BQK-së, është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare.

Florim Maxharraj, këshilltar i lartë i Bordit ekzekutiv për tregjet, instrumentet dhe infrastrukturën financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ende nuk është zbatuar formati IBAN, i llogarive bankare për arsye të moslistimit të Kosovës në regjistrat zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar me institucionet relevante ndërkombëtare për mundësimin e implementimit të formatit IBAN, të llogarive bankare. Përdorimi i formatit IBAN të llogarive bankare do të lehtësonte pagesat ndërkombëtare hyrëse në Kosovë, duke mundësuar kontroll plotësues në bankën e jashtme të saktësisë së llogarisë bankare të përfituesit në Kosovë”, thekson Maxharraj.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se aplikimi i numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, do të përshpejtojë edhe më tepër transaksionet bankare.

Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirëse zbatimi i SWIFT kodit bankar, ka hapur rrugë që edhe IBAN-i të përdoret në Kosovë.

Mungesa e një IBAN-i shtetëror, thotë ai, ka rritur koston e transaksioneve financiare të Kosovës në raport me bankat e jashtme.

“Njëkohësisht, e ka vështirësuar transaksionin e pagesave nga Kosova jashtë vendit. Unë mendoj se tani është detyrë e Bankës Qendrore të Kosovës që t’i plotësojë kriteret, që pas marrjes se SWIFT kodit, të vazhdohet me hapin e dytë dhe Kosova të përdorë IBAN”, konsideron Gashi, duke shtuar se IBAN është një kategori ekonomike, e cila krijon favore për shtetet, të cilat e posedojnë.

“IBAN-i, i mundëson Kosovës që të shpejtojë dhe të ulë koston e transaksioneve financiare me botën e jashtme dhe njëkohësisht e rritë shpejtësinë e transaksioneve financiare. IBAN-i është një kod identifikues elektronik shtetëror, i cili të gjitha pagesat dhe transaksionet ndërkombëtare që posedojnë një IBAN të tillë, ato identifikohen me kodin shtetëror respektiv”, shpjegon Gashi.

IBAN është Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare dhe ky koncept u krijua nga Komiteti Evropian për Standardet Bankare (ECBS), ndërkaq më pas u përdor si standard ndërkombëtar.

Kodi IBAN përfshin numra dhe germa të kombinuara që e identifikojnë këtë llogari në mënyrë të patjetërsueshme edhe në hapësirat ndërshtetërore.

Bankat në Shqipëri që nga viti 2009 sigurojnë klientët me IBAN për çdo llogari.
XS
SM
MD
LG