Ndërlidhjet

Ivanoviq: Veriu nuk e ka pranuar integrimin


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
Zgjedhjet lokale, madje as ato parlamentare, nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë se serbët e kanë pranuar integrimin në shoqërinë kosovare, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, politikani serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, i cili në zgjedhjet lokale, ka garuar si kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, a mendoni se me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe krijimin e institucioneve komunale të komunave në veri, serbët e veriut kanë pranuar integrimin në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Jo. Në mënyrë absolute, jo. Kjo është mënyra, me të cilën njerëzit që janë kundër zgjedhjeve, i diskualifikojnë të gjithë ata tjerët që hynë në procesin zgjedhor. Zgjedhjet lokale, madje as ato parlamentare në njëfarë mënyre, nuk nënkuptojnë në asnjë mënyrë ndonjë përfundim se serbët e kanë pranuar integrimin në shoqërinë kosovare, pavarësinë apo çfarë ta di unë. Këtë nuk mund ta bart individi, nëse ai individ nuk është kryeministër i Qeverisë së Serbisë, kryetar i Serbisë ose eventualisht ministër i Punëve të Jashtme.

Individët duhet të lirohen nga një ndjenjë e tillë e përgjegjësisë, sepse te serbët, ajo ndjenjë e përgjegjësisë historike është mjaft e theksuar dhe ajo shndërrohet në faktor kufizues për veprimtarinë aktive të tyre në politikë. Sidomos sa u përket këtyre zgjedhjeve lokale. Kjo është zgjedhje e udhëheqjes lokale që duhet t’i zgjidhë temat lokale, të merret me to, e kurrsesi me temat më të larta politike.

Ne kemi shfaqur në të kaluarën tendencë që në nivelin lokal, si kryetar të komunave apo këshilltarë, të merremi me temat e mëdha politike, të cilat shpesh u përkasin marrëdhënieve të forcave globale. Kjo, thjesht, nuk është përgjegjësi e jona dhe ne nuk duhet të merremi me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, të kujt janë ato institucione, kujt i takojnë?

OLIVER IVANOVIQ
Kjo është çështje krejtësisht jorelevante. Ato janë të atyre që i kanë krijuar. Në këtë rast janë serbët ata. Sidomos, në këtë mënyrë, me Planin e Ahtisarit dhe me 10 komuna, ku serbët përbëjnë shumicën, ata i kanë marrë institucionet, të cilat mund t’i quajnë të vetat.

Askush tjetër nuk mund t’i përvetësojë. Nesër mund t’i vë në ndonjë kontekst ose marrëdhënie, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë se që ato janë të serbëve, të cilët në mënyrë absolute nuk e pranojnë pavarësinë, por kanë vendosur ta rregullojnë jetën në nivelin lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thuhet se është ndërlikuar situata në Mitrovicën e veriut për faktin se zgjedhjet për kryetar komune duhet të përsëriten pas refuzimit të këtij mandati nga Krstimir Pantiq?

OLIVER IVANOVIQ
Ky është një vlerësim i mirë. Po, sepse situata është goxha e ndërlikuar dhe goxha e tensionuar, sepse ka refuzuar që ta pranojë mandatin - pas asaj që është njoftuar, ka marrë pjesë në fushatë, ka marrë pjesë në tri raunde të zgjedhjeve dhe i ka fituar ato. Ai është tërhequr nga ajo që të jetë kryetar komune, do të thotë nga ajo që ia kanë kërkuar qytetarët që e kanë votuar. Në atë mënyrë, ai i ka zgjuar, do të thosha, disa fantazma nga e kaluara dhe është e dukshme që disa, në këtë veprim, e kanë parë rastin që përsëri t’i riaktivizojnë disa struktura, të cilat deri më tash kanë qenë mjaft të rrezikshme, në kuptimin e destabilizimit të kësaj hapësire.

Si do të rrjedhë situata më tutje, këtë nuk e di. Por, në çfarëdo rasti, në masë të madhe për këtë situatë mund të ketë përgjegjësi ose më parë do të thosha ndikim, Qeveria e Serbisë, sepse Qeveria e Kosovës këtu nuk mund të ndihmojë. Më të mirën që mund ta bëjë Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje është që të heshtë, sepse veriu nuk e përjeton Prishtinën si qendër të veten.

Prandaj, insistimi që nga Prishtina të dërgohet ndonjë porosi ose ndonjë orientim, gjithmonë nxit efekt të kundërt. Këtë duhet ta kenë në mendje njerëzit në Prishtinë dhe ta kuptojnë se, nëse duan ndihmë dhe stabilizim të veriut, atëherë më mirë të mos na “ndihmojnë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, ju në vazhdimësi keni qenë i zëshëm për gjetjen e kompromiseve lidhur me çështjen e veriut të Kosovës. Analistët në Kosovë ju shohin si një figurë lidhëse ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket veriut. E shihni ju veten si të tillë?

OLIVER IVANOVIQ
Unë e shoh veten si njeri që kërkon zgjidhje. Në krahasim me mjaft të tjerë, unë përpiqem që të kërkoj zgjidhje kreative dhe të shkëputem nga stereotipet dhe klishetë, për të cilat janë të prirë mjaft politikanë në veri, por edhe në Prishtinë. Nuk ka këtu stereotip. Kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe kërkon zgjidhje të jashtëzakonshme. Nuk do të integrohet veriu në Kosovë, në qoftë se Kosova nuk integrohet në Serbi. Përderisa kjo e dyta nuk është shumë për t’u besuar, atëherë me aq rezervë duhet marrë edhe ata që flasin për integrimin e veriut.

Veriu mund të rregullohet dhe ky është kontributi, gjegjësisht suksesi maksimal, i cili në këtë moment mund të realizohet. Veriu mund të jetë i rregulluar në atë mënyrë, që të jetë i pranueshëm, si vend për jetesën e njerëzve që janë nga veriu dhe ndërkohë, të mos prodhojë kurrë farë implikimesh negative, e sidomos jo implikime të sigurisë në pjesën tjetër të Kosovës. Ky duhet të jetë qëllimi i të gjithëve që janë dashamirës, pavarësisht se ku jetojnë ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e rëndojnë situatën në veri aktet e dhunës, të cilat kanë ndodhur tash së fundmi, por edhe para zgjedhjeve? A mendoni se mund të ndikojnë në procesin zgjedhor për kryetar komunal në Mitrovicën e veriut, por edhe përgjithësisht në funksionimin e jetës institucionale atje?

OLIVER IVANOVIQ
Dhuna asnjëherë nuk është e mirëpritur dhe ajo, si e tillë, ndikon në njeriun e thjeshtë, në mënyrën që e shtyn të mendojë që të ikë nga këtu. Mjaft shqiptarë në jug të lumit Ibër mendojnë ngjashëm për këtë. Sigurisht, për ta siguria ose pasiguria dhe perspektiva ekonomike janë arsye për t’u larguar. Por, largimi nga veriu, kryesisht bazohet në ndjenjën e pasigurisë. Ne e kemi nënçmuar këtë temë.

Unë po them se, si politikan, e kam nënçmuar çështjen e sigurisë. Pas shumë vjetësh po bëhem mjaft i vetëdijshëm, sepse po shoh që qytetari i thjeshtë, para së gjithash, po frikohet për veten, për familjen dhe për pasurinë e tij. Kur njeriu është i frikësuar për gjëra të tilla, vitale dhe themelore, atëherë ai nuk mendon shumë për perspektivën e largët, por përpiqet që të mbijetojë.

Mbijetesa u është bërë model i mënyrës së të menduarit dhe kjo nuk është mirë, sepse në rast të tillë ne nuk mendojmë në mënyrë strategjike, por në mënyrë taktike, nga sot për nesër.

Personalisht, mendoj se me këtë dhunë duhet qëruar hesapet. Është shumë e rëndësishme të them që ky qërim nuk do të mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, madje edhe të BIA-s dhe shërbimeve tjera informative, si dhe pa bashkëpunimin me EULEX-in, por edhe me Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës, nuk ka gjasa ose ka zero për qind të gjasave që ta zgjidhë këtë problem dhe të vendosë këtu njëfarë rendi, në mënyrë që qytetarët të jenë të qetë, të ndihen të sigurt, të kënaqur dhe që të kenë dëshirë që këtu të vazhdojnë të jetojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Ivanoviq, ka opinione të njohësve të zhvillimeve politike në vend se për serbët e veriut pjesëmarrja në zgjedhje dhe më pas në institucione të Kosovës, është vetëm një fazë kaluese drejt një zgjidhjeje të re për veriun. A pajtoheni me këto opinione?

OLIVER IVANOVIQ
Pajtohem. Përafërsisht ky është edhe qëndrimi im. Veriu nuk është zgjidhur. Veriu është një problem mjaft kompleks, i cili nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, e as me mjete politike. Këtë është dashur ta dijë Qeveria në Prishtinë në vitin 2011, kur e dërgoi njësinë speciale. Duket se nuk e ka ditur ose ka menduar se rezistenca do të jetë shumë më e vogël. Kryesorja, ata e kanë tërhequr këmbëzën.

Kështu, që nga viti 2011 jetojmë në gjendje të tensionimit të vazhduar dhe të kërkimit të vazhdueshëm të zgjidhjes. Siç thashë edhe më parë, zgjidhja duhet kërkuar dhe ky duhet të jetë proces i gjatë. Në atë moment që veriu të rregullohet, po atë moment do të shtrohet çështja e statusit të tij. Veriu mund të jetë i rregulluar në atë kuptim që të ketë ligj dhe rend, të ketë institucione që mund t’i kryejnë punët e përditshme, por kjo vetëm do të thotë se veriu është i organizuar.

Kur të jetë i organizuar, në atë mënyrë veriu do të dijë që t’i artikulojë dhe shtrojë qëndrimet e veta, qoftë përmes bashkësisë së komunave serbe, qoftë në ndonjë mënyrë tjetër. Por, veriu do t’i shtrojë kërkesat e veta ndaj Prishtinës, por edhe ndaj Beogradit.

Brukseli, në këtë kuptim, mund të jetë shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se çështja do t’i shtrohet Brukselit në momentin që Brukseli të jetë i gatshëm që të ofrojë ndonjë zgjidhje kompromisi. Pavarësia e Kosovës nuk është zgjidhje.
XS
SM
MD
LG