Ndërlidhjet

Sa përfaqësojnë interesat e të rinjve OJQ-të?


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë operojnë shumë organizata joqeveritare që merren me çështje të ndryshme, sidomos për të rinj e studentë.

Ndërkaq vetëm organizata studentore, të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, janë të certifikuara rreth 15 sosh.

Misioni i këtyre organizatave është luftimi i dukurive negative, ngritja dhe zhvillimi i jetës studentore në veçanti, stimulimi i studentëve përmes literaturës, si dhe udhëzimet e ndryshme në kërkim të diturisë.

Mirëpo, me gjithë këtë numër organizatash, studentët thonë se edhe në rastet kur ata kanë ndonjë problem apo pakënaqësi, nuk u drejtohen atyre, pasi thonë se nuk iu besojnë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX", të Radios Evropa e Lirë, disa nga studentët as që kanë njohuri për ekzistimin e këtyre organizatave, ndërkaq të tjerët shprehen të pakënaqur me angazhimin e tyre.

Egzon Berisha, sapo ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai thekson se përveç organizatave studentore, në Kosovë veprojnë edhe organizata tjera joqeveritare, por deri më tani, thotë ai, nuk është drejtuar në asnjërën nga to.

Egzoni, megjithatë, thotë se disa OJQ, nuk janë shumë “familjare” me shoqërinë në përgjithësi.

“Nuk kam pasur ndonjë shqetësim që është dashur ta ngre. Por, varet edhe nga organizata, disa janë më familjare për popullin, e disa jo. Nuk shihen shumë në televizor, në mënyrë që ne të dimë se ekzistojnë”, thotë Egzoni.

I riu Arben Muçolli, punon si kamerier në një lokal në Prishtinë. Arbeni thotë se deri më tani nuk pasur nevojë të drejtohet në ndonjë organizatë joqeveritare në vend, por thekson se nuk beson në veprimtarinë e tyre.

“Janë hapur shumë organizata joqeveritare, por nuk e përmbushin misionin e tyre. Shumica e OJQ-ve që krijohen në Kosovë, disa njerëz i formojnë për interesat e tyre personale”, konsideron Arbeni.

Ndryshe, përveç organizatave studentore, në Kosovë funksionojnë disa organizata tjera joqeveritare për të rinj dhe organizata tjera që merren me çështje të ndryshme.

Në anën tjetër Fatmir Asllani, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka numër të madh të organizatave studentore, por, sipas tij, ato nuk mbrojnë interesat e studentëve. Ai, madje konsideron se përfaqësues të organizatave, jo që punojnë në dobi të studentëve, por në dëm të tyre.

“Organizata studentore ka shumë, nuk dua të përmend asnjë. Nuk punojnë për të drejtat e studentëve, edhe pse kanë mundësi të punojnë. Këto organizata regjistrojnë studentë pa meritë, ndërkaq ata të cilët meritojnë, mbesin jashtë UP-së”, thotë Fatmiri.

Arben Kaçanolli, i cili sapo ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, pohon se nuk i beson organizatave studentore, madje, sipas tij, këto organizata janë të politizuara dhe mbrojnë interesat e partive të caktuara.

“Organizatave studentore nuk u besoj, sepse janë të politizuara të gjitha dhe të gjitha partitë politike nëpërmjet tyre i kanë futur rrënjët e veta në Universitetin e Prishtinës. Dhe, secila organizatë studentore përfaqëson ndonjë parti politike dhe jo studentët. Unë kam ngritur shqetësime tek autoritetet në Fakultetin Ekonomik, por jo tek organizatat studentore”, shprehet Arbeni.

Ndërkaq, Blenarta Zuka, studente në Fakultetin e Arkitekturë, thekson:

"Organizatat studentore nuk merren me studentët, ata mbrojnë interesat e tyre”.

Edhe Entela Sahiti, që studion në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, pohon se nuk ankohet në ndonjë nga organizatat studentore.

“Nuk iu drejtohem, sepse nuk kanë ndonjë qëllim. E shikojnë lëndën dhe nuk e marrin me seriozitet, nuk iu drejtohen organeve më të larta, siç është Dekanati apo Rektorati. Nëse kam probleme, do të drejtohem në Rektorat apo Dekanat”, pohon Entela.

Ngjashëm shprehet edhe kolegu i Entelës, Kushtrim Hajzeri:

“Nuk u besoj sepse edhe nëse bëj ankesë, ato do të mbesin në tavolinat e tyre dhe nuk do të shkojnë në instancat më të larta. Ka shumë organizata studentore, por nuk kryejnë ndonjë funksion në të mirë të studentëve”.

Ndryshe, organizatat studentore janë organizata joprofitabile me karakter jo politik, të cilat me aktivitetin e tyre nuk duhet të anojnë në asnjë program të ndonjë partie politike.
XS
SM
MD
LG