Ndërlidhjet

Kush janë tifozët Ultras të Ukrainës?


Dy vjet më parë, reputacioni i dhunshëm i huliganëve të futbollit në Ukrainë ka bërë që Evropa të bëjë thirrje për bojkot të kampionatit Euro 2012.

“Ultras” - emri me të cilin njihen huliganët në Evropën Lindore - tani u bëjnë roje protestuesve të Euromaidanit në Ukrainë, të cilët përballen me policinë dhe mbështetësit e qeverisë.

Kreu i opozitës, Oleh Tyahnybok, udhëheqës i partisë nacionaliste Svoboda, ka lavdëruar publikisht rolin e grupit Ultras në një fjalim më 25 janar.

“Lavdi Ukrainës. Të përshëndesim tifozët heroikë të futbollit… Këtu fillon solidariteti, këtu fillon patriotizmi”, ka thënë Tyahnybok.

Ky është një transformim i çuditshëm për një pjesë të shoqërisë, të njohur më shumë për pirje të alkoolit dhe kacafytje, sesa për pasione politike.

Detyra e tyre ka nisur më 21 janar, një ditë para debutimit të të ashtuquajturave “ligje të diktaturës”, të cilat lejojnë shpërndarjen me forcë të protestave të paautorizuara.

Tifozët e Dinamo Kievit kanë njoftuar se kanë formuar një njësi të posaçme për mbrojtjen e demonstruesve të Euromaidanit.

“Ne po nisemi, jo për Yulian, Vitalin, Arseniyn apo Olehun”, thuhej në deklaratën e tyre, e cila u referohej opozitarëve, ish-kryeministres së burgosur, Yulia Tymoshenko, dhe tre të tjerëve: Vitali Klitschko, Arseniy Yatsenyuk, dhe Oleh Tyanybok.

“Po nisemi jo kundër Rusisë apo rusëve, por për banorët e Kievit, për qytetin tonë, për vendin tonë, për nderin tonë”, thuhej në deklaratën e publikuar në vKontakte.

Qysh atëherë, grupet Ultras në gjithë Ukrainën kanë lëshuar deklarata të ngjashme dhe janë futur në skenë.

Kjo nuk ka ndodhur vetëm në qytetet që mbështesin protestat pro-evropiane, por edhe në rajonet jugore dhe lindore, ku mbështetja për Rusinë dhe presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, është tradicionalisht e lartë.

Në qytetin Dnipropetrovsk, më 26 janar, qindra Ultras Dnipro kanë mbështetur një tubim të madh të protestuesve pro-evropianë, që kanë bërë përpjekje të sulmojnë ndërtesën e administratës rajonale.


Deri më 27 janar, mbështetja e grupeve Ultras për aktivistët e Euromaidanit është regjistruar në 17 qytete.

Në shumë rajone, ato thuhet të jenë frymëzuar më shumë nga antipatia për mbështetësit e qeverisë, sesa simpatia për aktivistët pro-evropianë.

Tifozët në qytetin Simferopol kanë thënë se nuk e mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, por janë të zemëruar me sulmet ndaj qytetarëve të Ukrainës. Sipas tyre, sulmet janë pasojë e mungesës së ligjit, që është krijuar nga policia për të mbrojtur kriminelët e fuqishëm.(v.tela)
XS
SM
MD
LG