Ndërlidhjet

BB rekomandon veprime për të krijuar vende të punës


Prishtinë
Prishtinë
Përmirësimi i gjasave për punësim për qytetarët, në veçanti për gratë dhe të rinjtë, paraqet sfidë për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik në Kosovë.

Në një raport të Bankës Botërore të titulluar “Kthimi në punë: Rritja me vende të punës në Evropë dhe Azi Qendrore” thuhet se shkalla e papunësisë është e lartë dhe se shkalla e krijimit të vendeve të punës është e ulët në tërë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore (EAQ) që nga vitit 2008.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters, konsideron se Kosova duhet të përqendrohet në krijimin e politikave ekonomike që e shtojnë produktivitetin vendor dhe në masë më efektive rrisin sigurimin e vendeve të punës me cilësi të lartë për popullatën e re të Kosovës.

“Ka një konsensus të gjerë në Kosovë. Shkalla e lartë e papunësisë dhe shkalla jashtëzakonisht e ulët e punësimit janë thembra e Akilit e një ekonomie përndryshe të qëndrueshme,” ka thënë Jan-Peter Olters.

Sipas këtij raporti, në vitin 2012, shkalla mesatare e papunësisë për Evropë dhe Azi Qendrore ka qenë 14 për qind, krahasuar me 31 për qind në Kosovë. Faktor shqetësues është se rreth gjysma e të papunësuarve kanë kërkuar punë më shumë se një vit.

Ndër të tjera, në raport thuhet se punëtorët e rinj dhe më të moshuar, gratë dhe pakicat etnike kanë më shumë gjasa që të jenë të papunë apo të punësuar në vende të punës joformale dhe me paga të ulëta.
XS
SM
MD
LG