Ndërlidhjet

Protestat vazhdojnë, fokusi në “linjën e hollë të kaltër”


Ukrainë...
Ukrainë...
Pas disa javëve të protestave dhe përleshjeve të vazhdueshme ndërmjet demonstruesve dhe policisë në kryeqytetin Kiev dhe qytetet e tjera të Ukrainës, forcat policore dhe ato të sigurisë, pra pjesëtarët që bartin uniforma të kaltërta në këtë vend, janë gjithnjë e më afër vijës së "hollë” të ndarjes.

Në këtë kuadër shtrohet pyetja se sa gjatë presidenti Viktor Yanukovich, mund të llogarisë në lojalitetin e tyre?

Në një video, në të cilin supozohet se paraqitet një oficer i maskuar i Shërbimit të sigurimit të Ukrainës, në rajonin perëndimor Ivano-Frankivsk, e ka shpallur dorëheqjen e tij dhe të disa pjesëtarëve të tjerë të njësisë së tij.

Kjo video, që është publikuar javën e kaluar, pretendon se personi i paidentifikuar ishte pjesëtar i njësisë së operacioneve speciale Alfa të Shërbimit të sigurimit.

“Prej se ne e dhamë betimin tonë për popullin e Ukrainës, ne vendosëm, e tërë njësia jonë, të paraqesim dorëheqjet tona. Ne nuk do të kryejmë urdhra kriminale”, tha ky oficer në videon e publikuar.

Në një video tjetër, të paraqitur në Internet më 30 janar, pretendohet se paraqitet një ish-oficer i Ministrisë së brendshme,nga një njësi e specializuar gjysmë ushtarake, duke diskutuar lidhur me mos kënaqësinë në mesin e ish-kolegëve të tij në çastet kur ishin ballafaquar me barrikadat në kryeqytetin Kiev.

Pas disa javësh të demonstratave masive, video të ngjashme dhe raporte se protestuesit në favor të rrugës evropiane të Ukrainës, në pjesën perëndimore të këtij vendi, kanë hasur vetëm me një rezistencë të butë, kur ata i kanë okupuar ndërtesat qeveritare në 10 rajonet e fundit, javën e kaluar, janë shtruar pyetjet lidhur me mundësinë e ndarjeve në shërbimet e sigurisë dhe të policisë në Ukrainë.

Nëse policia fillon t’i refuzoj urdhrat e qeverisë, ose nëse disa pjesëtarë të saj rreshtohen me demonstruesit, do të ishte një zhvillim potencial vendimtar në rrugën pa krye ndërmjet qeverisë së presidentit, Viktor Yanukovich, dhe demonstruesve opozitarë.

Mark Galeotti, profesor në New York University dhe ekspert për çështjet e shërbimeve të sigurimit në shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik, thotë se policia elite anti-trazirë e Ukrainës, e njohur me emrin Berkut, është një pjesë e veçantë e ndarë e popullit, e cila është e zgjedhur dhe e stërvitur për t’i respektuar urdhrat.

“Këta janë njerëz shumë të ndryshëm. Në tërësi ata janë të rekrutuar nga ish-ushtarët, e veçanërisht nga njësitë parashutiste e të ngjashme. Megjithëqë ata nuk janë shfrytëzuar gjithnjë në mënyrë efektive, në linjën kryesore ata janë të ashpër, profesionalë, me stërvitje të mirë, dhe nuk janë çdoherë elemente humane dhe të ndjeshme”, thotë eksperti Galeotti.

Ai thekson se në përgjithësi, pjesëtarët e këtyre njësive speciale të policisë, jetojnë dhe punojnë në komunitetet e tyre dhe është mundësi reale që oficerët të arrijnë në pikën, që t’i shikojnë me simpati ata në anën tjetër të barrikadave.

“Gjithnjë ekziston kjo mundësi dhe mendoj se kjo është njëra nga çështjet derisa konflikti po intensifikohet më tepër, veçanërisht jashtë Kievit. Derisa ju filloni të lëvizni kah perëndimi, njerëzit në Berkut, do të shndërrohen në ukrainas perëndimorë, ata do t’i shohin miqtë e tyre ose njerëz të tjerë që i njohin, e që tash janë në mesin e demonstruesve".

"Megjithëqë, ata janë agjentë të regjimit aktual, ata emocionalisht kanë lidhje me një lloj të njerëzve që thonë se Ukraina duhet të jetë pjesë e Evropës, se Ukraina nuk duhet të jetë satrap rus”
, thotë Mark Galeotti

Me gjasë, e vetëdijshme për këtë mundësi, qeveria duket se po ndërmerr masa për stimulimin e pjesëtarëve të saj të sigurisë.

Viktor Ratushnyak, zëvendësministër i brendshëm, më herët ka thënë se qeveria ka paraparë fonde plotësuese për pjesëtarët e forcave të policisë dhe të sigurisë.

“Ne vetëm po flasim për faktin se kabineti ka lejuar mjete për financimin e agjencive për zbatimin e ligjit, që aktualisht nuk janë të kompletuara me personel. Ne kemi mungesë në shkallën 14%”, tha Ratyshnyak. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG