Ndërlidhjet

Dorëheqja e McFaul ngjall reagime të ndryshme


Michael McFaul
Michael McFaul
Ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, thotë se do të largohet nga kjo detyrë, pas Lojërave Olimpike në Soçi, dy vjet pas detyrës që pati në Moskë.

Z. McFaul, që konsiderohet arkitekt i politikës së “ripërtëritjes” së administratës Obama me Rusinë, bëri të ditur se planifikon të kthehet në Kaliforni dhe të punojë në Universitetin Stanford, pas largimit nga shteti rus.

Para caktimit si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Moskë, ai ishte drejtor i lartë i çështjeve ruse dhe euro-aziatike pranë zyrës së presidentit Barack Obama.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me dy ish-ambasador amerikan në Rusi dhe analistë, rreth mandatit të McFaul, i cili është shunuar shpesh me raporte të hidhura ndërmjet të Washingtonit dhe Moskës.

Ish-ambasadori amerikan Thomas Pickering vlerëson se McFaul ka mbajtur një qëndrim të fortë për çështjet kritike për Shtetet e Bashkuara, në veçanti përfshirë edhe trajtimin e rusëve nga qeveria e tyre, kur këto norma ishin në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare.

Sipas Pickering, ambasadori në largim Michael McFaul ka folur hapur për këto shkelje, të cilat nuk e kanë bërë domosdoshmërish, njeriun më të pëlqyer në mesin e lidershipit rus.

“Por pavarësisht kësaj, ai ka lënë përshtypje të mirë, si në Rusi ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte edhe përvojë të madhe në negociatat për kontrollin e armëve, e cila ka qenë një kontribut i rëndësishëm për raportet ShBA-Rusi, dhe në të vërtet për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, ka thënë Pickerin.

Ndryshe ish-ambasadori tjetër, James Collins vlerëson se dy vjetët e ambasadorit McFaul në Rusi, kanë qenë të vështira.

Kjo siç thotë ai, për arsye se ai ka arritur në kohën kur raportet mes dy vendeve, kanë marr tatëpjetën dhe se i është dashur të menaxhoj ato në kohën, kur vetëm sa përkeqësoheshin ato.

“Andaj po, kishte kohë të vështirë. Mendoj se, së pari, ambasadori në Moskë përfaqëson mbi të gjitha, presidentin dhe popullin amerikan. Ai përcjell politikat tona, dhe ai ishte po aq efektiv sa ia lejonte detyra, për t’i shpjeguar ato politika, dhe t’i avansojë të njëjtat në kontekstin e raporteve me Rusinë".

"Mirëpo, në përgjithësi, konteksti në të cilin është dashur të punojë ambasadori McFaul, ishte i tillë sa që kishte shumë fokus në dallimet ndërmjet të Rusisë dhe SHBA-ve, e jo në fakt në ato pika ku kemi qëndrime të përbashkëta”
, ka thënë ambasadori Collins.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që të dihet se ambasadori McFaul ka drejtuar ambasadën në kohën kur programet e tjera dhe zbatimi i traktateve, ka vazhduar pa penguar, dhe se ky rezultat është meritë e menaxhimit shumëdimensional të McFaul.

Një analist prominent i çështjeve ndërkombëtare, Nikolas Gvozdev, e përshkruan ambasadorin McFaul si një ekspert, e jo aq shumë si diplomat.

“Mendoj se kjo veçanërisht ka lidhje, jo vetëm për Rusinë por për çdo shtet, që të keni një ambasador i cili është i aftë të angazhohet jo vetëm me liderët qeveritar, por edhe me shoqërinë civile. Kjo është shumë e rëndësishme – sepse përndryshe, nëse ambasadori nuk e ka këtë lloj të përvojë së përgjithshme, jo gjithmonë, por përgjithësisht ai do të ishte më pak efektiv në performancën e detyrave të tij”, ka thënë Gvozdev.

Sipas analistit rus, McFaul ka qenë ambasador i cili ka pasur qasje të drejtpërdrejt tek presidenti Obama, dhe se kjo ka qenë një avantazh i madh për punën dhe rolin e tij në Rusi.

Para largimit, ambasadori Michael McFaul ka thënë se “një pjesë e imja, në kuptimin emocional, intelektual dhe shpirtëror, gjithnjë do të mbetet në Rusi”.

Ambasadori McFaul i ka vlerësuar sukseset në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke veçuar progresin që dy vendet e kanë bërë së bashku në Afganistan, pastaj punën në marrëveshjen re për armatim strategjik dhe rritje në tregtinë e ndërsjellë.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG