Ndërlidhjet

Protesta kaotike


Përleshjet protestues-polici
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

Përleshjet mes protestuesve dhe policisë: Video: LULJETA KRASNIQI VESELI & GRESA KRAJA

Policia e Kosovës ka përdorur sprej djegës dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve të mbledhur para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, gjatë përpjekjeve të këtyre të fundit për të depërtuar brenda oborrit të Rektoratit.

Disa nga protestuesit janë përpjekur që përmes rrugëve dytësore të depërtojnë në oborr, por janë penguar nga Njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Përplasja ndërmjet protestuesve dhe policëve, para Rektoratit, ka shkaktuar lëndime te të dyja palët. Organizatorët thonë se dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kurse policia ka raportuar për 29 pjesëtarë të lënduar.

Protestuesit kanë gjuajtur në drejtim të policisë mjete të forta, derisa këta të fundit vazhdimisht kanë përdorur sprej djegës për të shpërndarë turmën.

Policia e Kosovës më vonë kishte filluar përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, pasi studentët kishin filluar të hidhnin ujë, ngjyrë dhe qumësht në drejtim të policisë.

Turma e studentëve ishte shpërndarë pas përdorimit të gazit lotsjellës nga Policia, por që menjëherë pas largimit ishin ofruar në vendin ku po mbanin protestën.

Numri i të ndaluarve në polici, sipas autoriteteve të rendit, është 33. Në mesin e tyre është ndaluar edhe Ilir Deda, përfaqësues i shoqërisë civile. Deda, kur është arrestuar nga policia ishte duke tentuar të bisedonte me dikë prej tyre, për të lejuar hyrjen e studentëve brenda oborrit të Rektoratit.

Udhëheqësi i Policisë së Kosovës, vazhdimisht është dëgjuar duke kërkuar nga protestuesit që të jenë të qetë dhe të mos provokojnë Policinë e Kosovës.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi, duke thënë se “punimet shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si kontribut për promovimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë fiktive shkencore në Indi”.

Protestave të studentëve u janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, profesorë të Universitetin të Prishtinës dhe qytetarë.

Një marsh i studentëve ishte nisur nga qendra e Studentëve dhe marshi i shoqërisë civile nga sheshi “Nënën Tereza”, dhe janë takuar para hyrjes së ndërtesës së Rektoratit të UP-së.

Fitim Salihu, student, i është drejtuar Policisë së Kosovës duke kërkuar që të lejohet hyrja e tyre në oborrin e ndërtesës.

“Këto janë shenja të një pushtetet policor dhe ne jemi këtu që të ju themi jo. Policia sot ka dalë në hapësirë publike, jo që e ka bllokuar vetëm oborrin e Rektoratit, por ata kanë zënë edhe hapësirën publike duke penguar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Avni Zogiani, ka kritikuar Parlamentin e Kosovës për mosmiratimin e rekomandimeve për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi

“Besoj se e keni parë sot atë maskaradë në Parlament, me të cilën deputetët e partisë në pushtet u pa që janë ata që nuk po e lejojnë rektorin e Universitetit të japë dorëheqje”, është shprehur Zogiani.

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës as sot, e premte, nuk ka arritur të hedhë në votim rekomandimet nga partia politike në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës, mbi gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në rekomandimet e LDK-së përfshihej edhe kërkesa rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, të paraqesin dorëheqje.

Rekomandimet e LDK-së, janë mbështetur edhe nga dy partitë tjera politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Universiteti i Prishtinës është futur në rend dite të Kuvendit të Kosovës pas pothuajse dy javë protestash para Rektoratit të Universitetit, të organizuara nga disa subjekte studentore.

XS
SM
MD
LG