Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, debatoi gjendjen në Kosovë


Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi
Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka mbajtur seancën e rregullt ku është diskutuar raporti tre-mujor për Kosovën.

Në debatin e djeshëm në selinë e OKB-së në New York, kanë folur kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thkesuar se marrëveshja e 19 Prillit të vitit të kaluar, ka hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit dhe paqes së ndërsjellë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se Kosova ka respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që ta rrisë përkushtimin e saj ndaj zbatimit të marrëveshjeve.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova ka synim parësor integrimin në Bashkimin Evropian.

“Integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian është synimi ynë parësor dhe i pa-alternativë, si rrugë e modernizimit dhe konsolidimit të rajonit në familjen evropiane”, ka theksuar Thaçi.

Në prag të shënimit të gjashtë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kryeministri Thaçi, bëri thirrje për njohjen e Kosovës nga vendet që deri me tash nuk e kanë njohur.

Kurse, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në Kosovë, duhet krijuar kushtet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së muajit prill të vitit të kaluar.

Ai tha se hapja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian është një dëshmi se Serbia ka përmbushur me kohë detyrimet për zbatimin e marrëveshjes.

“Të jem tërësisht i qartë. Serbia është e gatshme për normalizim marrëdhëniesh dhe pajtim në rajon, para së gjithash në interesin e qytetarëve të zakonshëm. Serbia është po ashtu e gatshme për bisedime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, por nuk është dhe nuk do të jetë e gatshme të pranojë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”,ka thenë mes tjerash kryeministri Daçiq.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Samantha Power, vlerësoi përkushtimin e të dyja vendeve për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ajo ritheksoi mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.

“Ne i trimërojmë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, që të shtojnë përpjekjet duke ju bashkuar mbi 100 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara për të njohur realitetin e një Kosovë të pavarur”, tha ajo.
XS
SM
MD
LG