Ndërlidhjet

logo-print

Asnjë informacion për aeroplanin e zhdukur

  • RFE /RL

Afro 100 anije dhe aeroplanë nga 10 shtete në Azi dhe Paqësor, janë në kërkim të aeroplanit të udhëtarëve nga Malajzia, i cili është zhdukur në Detin Kinez Jugor, derisa fluturonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin, para tri ditësh.

Autoritetet i kanë intensifikuar kërkimet, meqë ende nuk ka asnjë gjurmë të konfirmuar të aeroplanit prej ditës së shtunë, kur ai me 239 njerëz në të, u zhduk nga radarët.

Autoritetet në Kinë thonë se do t’i përdorin 10 satelitë të pajisur me teknikë të përsosur për gjetjen eventuale të aeroplanit, në të cilin ishin 153 shtetas kinezë.

Hetuesit fillimisht ishin fokusuar në dy njerëz që kishin hyrë në aeroplan me pasaporta të vjedhura, nga Italia dhe Austria.

Por, në një takim me gazetarët gjatë ditës së sotme, autoritetet malajziase thanë se njëri nga ta, një shtetas 19 vjeçar nga Irani, kishte shfrytëzuar një pasaportë të vjedhur për të migruar në Gjermani, ku po e priste familja e tij.

Autoritetet thanë se ai nuk kishte lidhje me ndonjë grup terrorist.

Sidoqoftë, zhdukja e aeroplanit i ka ngritur shqetësimet për sulm me bombë kundër tij, sabotazh dhe rrëmbim, thanë sot autoritetet në Malajzi.
XS
SM
MD
LG