Ndërlidhjet

Zvicra heton vajzën e presidentit uzbek për pastrim parash

  • RFE /RL

Gulnara Karimova

Gulnara Karimova

Prokurorët zviceranë kanë nisur të hetojnë vajzën e madhe të presidentit autoritar të Uzbekistanit, Islam Karimov, nën akuzat për shpëlarje parash.

Në deklaratën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm zviceran thuhet se hetimet kanë të bëjnë me “akte të paligjshme që po ndodhin në tregun e telekomunikacionit në Uzbekistan”.

Autoritetet zvicerane fillimisht kanë nisur hetimet për shpëlarje parash kundër katër shtetasve uzbekë, të afërt me Gulnara Karimovan, në korrik të vitit 2012.

Dy nga ta janë arrestuar në atë verë, por janë liruar me kusht në tetor.

Jeannette Balmer, zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër, ka dhënë këtë deklaratë për Radion Evropa e Lirë:

“Ministria Publike e Konfederatës ka hapur hetimin paraprak nën dyshimet për shpëlarje parash. Hetimi ka qenë i hapur qysh në korrik të vitit 2012. Aktet e supozuara ilegale që ndodhin në tregun e telekomunikacionit në Uzbekistan konsiderohen si vepra të pastrimit të parave. Shkaku i hetimeve në Zvicër ka të bëjë me ekzistencën e aseteve në vendin tonë”.

Karimova, 41 vjeçe, ka qenë e mbrojtur me imunitet diplomatik deri në korrikun e kaluar, kur është larguar nga pozita e ambasadores së Uzbekistanit në Kombet e Bashkaura dhe organizata të tjera në Gjenevë.

Deklarata e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm zviceran thotë se Karimova ka lënë Zvicrën menjëherë pasi emri i saj është shtuar në listën për hetime në mes të shtatorit.

Balmer ka thënë se hetimi zviceran ka çuar në hetime të reja për korrupsion jashtë vendit.

“Ministria Publike e Konfederatës ka kërkuar bashkëpunim gjyqësor nga disa shtete, përfshirë Suedinë dhe Francën, të cilat kanë hapur hetimet e veta”, ka thënë Balmer.

Policia ka bastisur shtëpinë e Karimovas në Gjenevë në fund të muajit gusht, në kërkim të provave për rastin.

Në lidhje me hetimet, autoritetet zvicerane kanë bllokuar artefakte kombëtare të Uzbekistanit në Zvicër, në vlerë prej 800 milionë frankash zvicerane, dhe janë duke bërë përjekje të identifikojnë origjinën e tyre.

Karimova është parë si pasardhëse e mundshme e babait të saj 75-vjeçar.

Për kohë të gjatë, ajo ka arritur të kombinojë politikën me karrierën e saj si yll i popit, si stiliste mode dhe udhëheqëse e disa organizatave bamirëse, por reputacioni i saj ka pëësuar rënie të madhe në muajt e fundit.

Kompania e saj mediatike, e cila përfshin disa kanale televizve, është mbyllur, ashtu si edhe disa dyqane që shesin veshje perëndimore në Tashkent, që besohet se i takojnë asaj ose partnerëve të saj të biznesit. Mbyllja ka ndodhur si pasojë e akuzave për evazion fiskal.(v.tela)
XS
SM
MD
LG