Ndërlidhjet

93% e krimeanëve mbështesin bashkimin me Rusinë

  • RFE /RL

Në Krime kanë përfunduar votimet në referendumin kundërthënës për bashkimin e rajonit me Rusinë apo për mbetjen e tij në Ukrainë.

Exit-pollet thonë se 93 për qind e pjesëmarrësve kanë mbështetur bashkimin me shtetin rus.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Krime, Mikhail Malyshev, ka folur për gazetarët në Simferopol, pak minuta pas mbylljes së kutive të votimit:

“Komisioni Zgjedhor nuk ka pranuar ndonjë ankesë, as komisionet rajonale jo, në lidhje me procedurat e referendumit. Komisionet në qendrat e votimit kanë nisur numërimin. Dua t’ju informoj se referendumi në Krime konsiderohet i ligjshëm”, ka thënë Malyshev.

Referendumi është cilësuar si i paligjshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë kërcënuar me pasoja ekonomike dhe politike për Rusinë, nëse Moska ndërmerr aksione të mëtejshme për marrjen nën kontroll të Krimesë.

Një zyrtar nga SHBA-ja ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka bërë thirrje Moskës që të mbështesë zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Rusia do të përballet me sanksione në ditët e ardhshme, duke i cilësuar veprimet e saj si të rrezikshme dhe destabilizuese. Ajo ka thënë se "ndërhyrja ushtarake dhe shkelja e ligjit ndërkombëtar do të rrisin koston për Rusinë”.

Në Bruksel, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, përmes një deklarate të përbashkët, kanë thënë se blloku 28 anëtarësh konsideron se referendumi është i paligjshëm.
Ata kanë thënë se ministrat e Jashtëm të BE-së do vendosin për përgjigjen eventuale të hënën.

Para referendumit, zyrtarët ukrainas kanë thënë se trupat ruse, të mbështetura nga helikopterë dhe automjete të blinduara kanë marrë kontrollin e një fshati jashtë Krimesë.

Aksioni në Strilkove duket të jetë lëvizja e parë jashtë Krimesë, ku mijëra forca ruse kanë qenë në kontroll efektiv që nga fundi i muajit të kaluar.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka thënë se ekziston “rrezik real” nga pushtimi i trupave ruse, përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.

Ai po ashtu ka akuzuar “agjentët e Kremlinit” se nxisin trazira në rajonet rusishtfolëse.

Të shtunën, Rusia i ka vënë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila shpall referendumin të pavlefshëm. Trembëdhjetë anëtare të tjera kanë votuar në favor të rezolutës, ndërsa Kina ka abstenuar.

Në Moskë, dhjetëra-mijëra njerëz kanë protestuar të shtunën kundër ndërhyrjes së Rusisë në Krime. Një tubim rival është mbajtur po ashtu në kryeqytetin rus, në mbështetje të politikave të Kremlinit.

Në një tjetër zhvillim, hakerë të paidentifikuar kanë sulmuar disa ueb-faqe të NATO-s.

Një grup që e quan veten “cyber berkut” ka thënë se sulmi është kryer nga ukrainas patriotë, të zemëruar me, siç kanë thënë, ndërhyrjen e NATO-s në vendin e tyre.

Pretendimi i bërë në www.cyber-berkut.org nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Berkut u referohet forcave speciale të policisë në Ukrainë, të cilat janë shpërndarë pas rënies së regjimit të Viktor Yanukovychit.

NATO-ja ka thënë se asnjë nga sistemet e saj themelore nuk është komprometuar.(v.tela)
XS
SM
MD
LG