Ndërlidhjet

logo-print

Sektori privat nuk e përballon pushimin e lehonisë


Ilustrim

Ilustrim

Pushimi lehonisë po paraqet problem për punësimin apo vazhdimin e punës për femrat në sektorin privat.

Me një problem të tillë është përballur edhe Albana Behrami, nënë një vajze. Ajo tregon se deri në kohën e lindjes ka punuar në një ndërmarrje private, por është detyruar ta lërë punën për shkak se punëdhënësi nuk i ka dhënë pushim të mjaftueshëm pas lindjes dhe as që e ka paguar për ndonjë muaj të pushimit të lehonisë.

“Kam dëshirë të kem edhe një fëmijë tjetër, por vetëm nëse arrij të punësohem në sektorin publik, do të mund të mendoj për këtë çështje. Unë dëshiroj t’i kem 12 muaj pushim të lehonisë me pagesë në mënyrë që kur ta rifilloj punën, foshnja të rritet për kopsht. Në të kundërtën, nuk ka mundësi”, shprehet Albana.

Ndryshe, për këtë qëllim, subjektet ekonomike në vend kanë kërkuar që të rishikohet edhe njëherë Ligji i Punës, konkretisht neni 49, ku edhe parashihet pushimi i lehonisë.

Sipas tyre, tashmë ka fakte se ka rënie të femrave të punësuara në sektorin privat, ose në raste të caktuara punëdhënësi lidh kontratat afatshkurtra me punëtoret femra.

Neni 49, në vend që t’i mbrojë gratë, inkurajon diskriminim ndaj femrave në fazën e punësimit, konsideron Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit.

Ai thotë se duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të sektorit privat, pushimi i lehonisë e rrit barrën e bizneseve private. Shahini, shprehet se kanë kërkuar nga ekzekutivi që të bëhet ndryshimi i ligjit aktual, ku dy muaj të paguajë punëdhënësi, ndërkaq, pjesën tjetër ta paguajë Qeveria.

Ne kemi dhënë rekomandime që të ndryshojë ky ligj, i cili do të ndihmonte punësimin e femrës, nuk do ta ngarkonte vetëm biznesin, por kjo ngarkesë të shpërndahet edhe te Qeveria, biznesi, por edhe të punëkërkuesi. Kjo sepse bizneset e kanë vështirë që të ruajnë një vend pune më shumë se nëntë muaj, të mos marrin askënd në punë. Kurse, femrat rrezikojnë të humbin një vend të pune. Në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e rajonit, vetëm pesë javët e para të lehonisë i paguan punëdhënësi”, thekson Shahini.

Sipas ligjit aktual, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Edhe Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, konsideron se ekzekutivi duhet të marrë pjesën më të madhe të pagesës së pushimit të lehonisë. Sipas Vuniqit, pushimi i lehonisë, e ka bërë viktimë femrën, sa i përket punësimit.

“Unë mendoj se ngarkesën më të madhe për pagesë të pushimit të lehonisë, ta marrë shteti, në mënyrë që t’i ndihmojë bizneset, në këtë mënyrë, pa e shkurtuar kohëzgjatjen. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në mënyrë që të mbijetojnë, përjashtojnë çdo gjë që i ngarkon ata financiarisht dhe pengon zhvillimin e tyre, dhe në këtë rast vajzat e reja, bien viktimë”, konsideron Vuniqi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje përmes postës elektronike, thonë se kjo ministri vitin e kaluar, ka iniciuar amendamentimin e Ligjit të Punës, ku parashihet edhe ndryshimi i pushimit të lehonisë.

Megjithatë, në përgjigje thuhet se Ministria e Punës ende nuk ka paraqitur qëndrimin final rreth këtij ndryshimi. Vitin 2013, thuhet se ministria është konsultuar me komunitetin e bizneseve dhe janë dakorduar në parim që pushimi i lehonisë të shkurtohet.

Sidoqoftë, përfaqësues të shoqërisë civile, pohojnë se nëse nuk ndryshohet neni 49, që rregullon pushimin e lehonisë, shumë gra do t’i vërë në pozitë të palakmueshme, pasi duhet të zgjedhin punën apo familjen.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG