Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova së shpejti me Fond të punësimit


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në një takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, ka shpalosur detaje të Fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim, fond ky që sipas kryeministrit, do të bazohet në një pjesë të mjeteve financiare të shtetit të Kosovës që mbahen në banka jashtë vendit.

Janë mbi një miliardë euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto të cilat deri më tani nuk janë investuar në projektet zhvillimore të vendit.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës së shpejti do të merr vendimin për themelimin e këtij fondi.
Ky fond siç, ka bërë të ditur kryeministri Thaçi do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

“Ky fond do të krijojë mundësi të reja të punësimit dhe zhvillimit ekonomik duke përdoruar praktikat më të mira investive. Fushat e mundshme të angazhimit të fondit mund të jenë: përkrahja për ndërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e vogla, duke iu dhënë përparësi atyre që hapin më shumë vende te reja të punës, përkrahje për ndërmarrje të mesme që synojnë investime në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe shtimin e të punësuarve”, ka theksuar Thaçi.

Fondi i punësimit, sipas Thaçit do të luaj rol vendimtarë në përmbushjen e misionit të zhvillimit të Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, ka theksuar se Kosova ka nevojë për investime në ndërmarrje dhe në të gjitha sferat ekonomike.

“Prioritet i prioriteteve në të ardhmen duhet të jetë ekonomia dhe zhvillimi ekonomik dhe një dokument i tillë do të jetë një platformë e shëndoshë”, është shprehur Gërxhaliu.
XS
SM
MD
LG