Ndërlidhjet

NYT: Ringjallja otomane ka marrë fund


Festimet në Turqi
Festimet në Turqi
Për Recep Tayyip Erdoganin, kryeministrin e Turqisë, fitorja në zgjedhjet lokale të së dielës do të jetë fitore e Pirros, shkruan New York Times. Derisa Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim ka gjasa të mbajë shumicën e komunave, Turqia si tërësi, sidomos si lojtar ndërkombëtar, ka humbur, shkruan gazeta.

Kapja e tij për pushtet, për më shumë se një dekadë, është dobësuar nga protestat antiqeveritare, akuzat për korrupsion dhe konfrontimi i shëmtuar me udhëheqësin e fuqishëm dhe të admiruar fetar, Fethullah Gulen.

Në përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar dobësimin e mëtejshëm të pushtetit të tij, Erdogan ka braktisur politikën e jashtme ambicioze, e cila ka qenë bazë për rigjallërimin rajonal të Turqisë në vitet e fundit, dhe është përqendruar në sulmet ndaj armiqëve të tij.

Sipas gazetës, Erdogan është aq i fiksuar në mbijetesën e tij politike saqë së fundmi ka bërë përpjekje të mbyllë Twitter-in në gjithë vendin.

Kjo dallon shumë nga viti 2003, kur Erdogan është ngritur në kryeministri dhe ka bërë publike agjendën demokratike, për të forcuar pozitën ekonomike dhe globale të Turqisë.

Në atë kohë, kujton gazeta, ai ka nxitur miratimin e ligjeve që garantonin liri më të mëdha për minoritetet në Turqi, sidomos për kurdët. Ai ka zbatuar politika ekonomike për të rritur investimet e huaja. Ai ka punuar shumë me kryeqytetet në Azi, Afrikë, Amerikë Latine dhe Lindje të Mesme, duke hapur dhjetëra ambasada dhe shumë tregje të reja.

Erdogan madje ka siguruar ulësen me rotacion për Turqinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 2009 dhe ka dhënë kontribute në luftën e Uashingtonit kundër terrorizmit.

Pothuajse çdo rrugë që është ndërtuar, çdo projekt për transportin publik që është miratuar, çdo shkollë që është ndërtuar dhe çdo reformë që ka kaluar është bërë me synim të zgjerimit të ndikimit rajonal dhe global të Turqisë, shkruan New York Times.

Në vitin 2009, Erdogan ka nisur të avancojë politikën e jashtme “zero probleme”. Kjo politikë është bazuar në idenë se Turqia nuk është thjesht një urë ose udhëkryq midis Lindjes dhe Perëndimit, por një lojtar integral në diplomacinë ndërkombëtare, në sigurinë dhe tregtinë.

Turqia, vijon artikulli, ka kërkuar marrëdhënie më të ngushta me fqinjët në Ballkan, Rusi dhe sidomos në Lindje të Mesme.

Disa e kanë cilësuar këtë si “neo-otomanizëm” – përpjekje për të rikthyer ish-Perandorinë Otomane dhe madhështinë e saj të zhdukur rajonale. Por, çfarëdo të ketë qenë etiketimi, Turqia ka arritur të bëhet lojtar kyç i politikës së jashtme në sytë e udhëheqësve amerikanë dhe evropianë.

Presidenti Obama ka udhëtuar në Turqi më 2009 dhe ka biseduar për rëndësinë strategjike të vendit dhe rritjen e rolit të tij global. Gjatë Pranverës Arabe, udhëheqësit perëndimorë e kanë cilësuar Turqinë si model progresiv dhe të begattë për vendet e tjera me shumicë myslimane.

Ky model tani është shkatërruar dhe politika e guximshme e jashtme, e cila e ka bërë Turqinë ekonominë e 16-të më të madhe në botë, është zhdukur, shkruan gazeta. Ekonomia, dikur dinamike, është dobësuar, besimi i konsumatorëve ka rënë dhe lira turke është zhvlerëuar për afro 20 për qind që nga maji i vitit 2013.

Protestat antiqeveritare të verës së kaluar, Erdogan i ka cilësuar si “komplot të pistë të elementeve të huaja”, ndërsa “aksionet provokuese të diplomatëve të huaj” i ka fajësuar për krijimin e akuzave për korrupsion.

Për më tepër, strategjia e tij aktuale e qeverisjes ka dëmtuar politikën e jashtme të vendit. Kur Rusia ka pushtuar dhe aneksuar Krimenë, Erdogan nuk ka arritur të dalë në mbrojtje të tatarëve, vëllezërve të tij kulturorë dhe fetarë, ashtu siç ka bërë në Egjipt.

Kur ushtria egjiptiane ka përmbysur presidentin islamik, Mohammed Morsi, në muajin korrik, Erdogan i ka cilësuar si “të paligjshme” veprimet e saj, ka refuzuar të njohë qeverinë e re dhe ka tërhequr ambasadorin turk nga Kajro.

New York Times shkruan se Erdogan mund të besojë se taktikat e tij bëjnë punë. Por, në një afat më të gjatë, ai duhet të kuptojë se trimëria e tij ka izoluar vendin e tij. Kur bëhet fjalë për çështjet rajonale si Egjipti, Irani dhe Iraku, Shtetet e Bashkuara e kanë margjinalizuar në masë të madhe Turqinë.

Jo shumë kohë më parë, në kryeqytetet perëndimore shtrohej pyetja: “Kush e humbi Turqinë?”. Shumë gishta drejtoheshin kah Brukseli dhe Uashingtoni.

Por sot, derisa kryeministri po udhëheq Turqinë larg prosperitetit dhe rëndësisë ndërkombëtare, përmes armiqësisë dhe shtypjes, përgjigjja duket të jetë vetë Erdogani, shkruan New York Times.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG