Ndërlidhjet

WP: SHBA të mos e përjashtojë Ukrainën


Administrata Obama insiston se nuk do të zhvillojë negociata për të ardhmen e Ukrainës me Rusinë pa ukrainasit, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Washington Post dhe konstaton se, diçka shumë e ngjashme me këtë duket se ka ndodhur prej se Vladimir Putini i telefonoi Barack Obamës, javën e kaluar.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti rus ka thirrur për “të diskutuar propozimin e SHBA-ve për zgjidhje diplomatike” dhe “presidenti Obama ka sugjeruar që Rusia të paraqes përgjigje konkrete me shkrim”.

Sekretari i shtetit, John Kerry, pastaj u ngut për në Paris për ta takuar ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Asnjë ukrainas nuk ishte i pranishëm.

Pas katër orësh të bisedimeve, të dy zyrtarët u paraqitën dhe thanë, sipas fjalëve të zotit Kerry, se ishin “pajtuar për të punuar me qeverinë e Ukrainës dhe popullin” për “të siguruar” prioritete të tilla, siç janë “të drejtat e pakicave kombëtare, procesi i reformave kushtetuese gjithëpërfshirëse dhe zgjedhjet e lira dhe korrekte”.

Propozimet e Rusisë në këto fusha ishin hedhur poshtë nga qeveria e Ukrainës, dhe me arsye të mira, shkruan Washington Post.

Moska po kërkon që Ukraina të shndërrohet në federatë, në të cilën rajonet e këtij vendi, afër Rusisë, do të kishin të drejtë të vetos për politikat kombëtare.

Kremlini thotë se rusishtja duhet të bëhet gjuhë e barabartë zyrtare sikur gjuha ukrainase dhe zgjedhjet e parapara për muajin maj të shtyhen.

Këto propozime do ta zhveshin Ukrainën nga sovraniteti i saj dhe do ta shndërronin në vend pa qeverisje, që saktësisht është qëllimi i Putnit. Këto ilaçe helmuese po ofrohen, derisa 50 mijë ushtarë rusë janë mbledhur afër kufirit, duke u kërcënuar me invadim.

Zoti Kerry ka dhënë vërejtje për këtë vendosje dhe ka përsëritur se u takon ukrainasve “të vendosin për fatin e tyre nga vetë ata” dhe shtoi se, megjithatë, atje “duhet të ketë të dhëna, qartas se cila është pikëpamja ruse, meqë Rusia ka lidhje të kamotshme dhe interesa serioze”.

Sipas së përditshmes Washington Post, kjo duket se është pranim i njërës prej pretendimeve më agresive dhe të rrezikshme të Putinit, se Rusia duhet të ketë zë në qeverisje, bile edhe në kushtetutat e fqinjëve të saj të afërt.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara na kanë thënë se ky nuk është pozicion i administratës dhe se propozimet e Rusisë po trajtohen si të vdekura që në arritje.

Ata thonë se, duke e angazhuar Rusinë në bisedime, administrata së paku po e shtynë invadimin e Ukrainës dhe po blenë kohë për qeverinë e përkohshme në Kiev, e cila me mundësitë e saj po ngutet në implementimin e reformave ekonomike dhe ndryshime modeste kushtetuese.

Raportohet se zoti Putin i tha kancelares gjermane, Angela Merkel, se rivendosja e pjesshme e trupave ishte duke u zhvilluar. Por, është e qartë se regjimi i Putinit nuk ka qëllim të pajtohet për zgjidhje diplomatike, e cila i garanton Ukrainës pavarësi politike, dhe Kremlini po refuzon bile të diskutoj për okupimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Derisa bisedimet të zhvillohen, administrata amerikane dhe Bashkimi Evropian duket se i kanë suspenduar aksionet për sanksionet e mëtejshme, që paraqet lehtësim për shokët oligarkë të Putinit, shkruan Washington Post.

Derisa është përkatëse që Rusia të ofroj mënyrë diplomatike për dalje nga kriza, qasja e administratës është e pa balancuar. Ajo duhet të insistoj që përfaqësuesit e Ukrainës të jenë të pranishëm në të gjitha takimet dhe që Krimeja të kthehet në agjendë.

Derisa të vazhdojnë negociatat, duhet të punohet në sanksione. Rast i mirë për të filluar do të ishte me kompanitë ukrainase dhe ruse, që po i vjedhin pasuritë dhe fondet në Krime, bile derisa zoti Putin kërkon më tepër, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG