Ndërlidhjet

Mustafa: Nuk e pranojmë pazarin me ulëset e rezervuara për FAK-un


Isa Mustafa, foto nga arkivi
Isa Mustafa, foto nga arkivi

Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet themelimin e Forcave të Armatosura, por nuk është e gatshme që për formimin e tyre të bëjë kompromise me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, është paralajmëruar mbajtja e një takimi ndërmjet liderëve të partive politike për të caktuar agjendën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Cili është pozicioni i LDK-së në lidhje me kohën dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve?


ISA MUSTAFA
Ne presim që të mbahet takimi. Nuk kemi marrë ndonjë njoftim ende lidhur me këtë takim. Por, ka qenë një marrëveshje paraprake që posa të kryhet procedura e zgjatjes së mandatit të EULEX-it dhe vendimi lidhur me Gjykatën Speciale në Kuvend të ulemi dhe të merremi vesh në lidhje me agjendën deri në shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, të përgjithshme.

Është e domosdoshme që këto zgjedhje të mbahen në pjesën e parë të këtij viti, përkatësisht gjatë muajit qershor. Arsyeja kryesore këtu është se ky Kuvend tani është në një situatë në të cilën nuk mund të marrë vendime dhe është në situatë ku nuk mund të funksionojë në mënyrë normale.

Mosfunksionimi i Kuvendit do ta binte Qeverinë që ajo të merrte vendime arbitrare apo të jetë e pakontrolluar dhe e pambikëqyrur nga Kuvendi, gjë që do të na dëmtonte neve, qeverinë dhe qeverisjen e vendit në këtë periudhë.
RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në deklaratat e kryeministrit Thaçi, ai po kërkon edhe një kompromis të ri që ka të bëjë me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për minoritetet në mënyrë që të sigurohet vota e tyre për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Jeni të gatshëm të pranoni këtë kompromis?

ISA MUSTAFA

Sa u përket Forcave të Armatosura të Kosovës ne konsiderojmë se duhet të aprovohet ndryshimi i Kushtetutës dhe Ligji lidhur me këto Forca. Ato janë në interes të vendit. Mirëpo konsiderojmë po ashtu se nuk ka asnjë arsye që të bëhet tani kompromis, përkatësisht të bëhen pazare lidhur me Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ne këtë e konsiderojmë si çështje të ndarë. Ne do të votojmë gjithherë për themelimin e Forcave të Armatosura në Kuvend, por asnjëherë nuk do të pajtohemi që formimi i tyre të ndërlidhet me vendet e rezervuara.

Qëndrimi ynë është i qartë dhe konsiderojmë se vendet e rezervuara janë konsumuar dhe se komunitetet i kanë shfrytëzuar këto vende sipas Kushtetutës, sipas Pakos së Ahtisaarit dhe çdo shkuarje më tutje me to do të ishte ‘Ahtisaari Plus’ gjë që do ta relativizonte krejtësisht Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa i merrni seriozisht disa, kushtimisht thënë, kërcënime që vijnë nga parti të komuniteteve pakicë se nëse nuk u vazhdohen mandatet e rezervuara ato edhe mund t’i bojkotojnë zgjedhjet?

ISA MUSTAFA
Mendoj se minoritetet nuk kanë asnjë arsye që të kushtëzojnë. Ato i kanë të drejtat shumë të mëdha, kanë një diskriminim shumë të madh pozitiv dhe tani me vendet e garantuara ato kanë tri herë më shumë vende në Kuvend sesa që do t’u takonin në bazë të numrit të popullsisë ose pjesëmarrjes që ato kanë në popullsi.

Nuk kanë asnjë arsye që të kushtëzojnë edhe më tutje sepse pastaj neve puna e kushtëzimeve do të na bëhej shprehi dhe njëherë bëhet një kushtëzim për Forcat e Armatosura e më pastaj mund të vijë një kushtëzim tjetër dhe ne nuk do të mund të funksiononim si Kuvend i Republikës së Kosovës nëse çdo herë ballafaqohemi me trysninë e kërcënimeve.

Forcat e Armatosura nuk janë vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe se ato u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe aq sa ne i marrim si të dëshirueshme, duhet t’i marrin si të tilla edhe të gjitha komunitetet tjera.
RADIO EVROPA E LIRË
Po në rast se mungon një kompromis rreth agjendës zgjedhore sa do të ishte e mundur që të shkohet në zgjedhje të parakohshme apo detyrimisht do të pritet vjeshta si afat kushtetues?

ISA MUSTAFA
Nuk ka arsye më që të prolongohet afati. Unë kam pasur një premtim të fortë të zoti.Thaçi në bisedën që e kemi bërë në fillim të këtij viti , sepse kemi konsideruar që zgjedhjet duhet të përgatiten mirë në mënyrë që rezultatet të jenë legjitime dhe të pranueshme për të gjithë akterët që marrin pjesë.

Nuk shoh arsye që tash t’i lëvizim qëndrimet, fjalët tona lidhur me zgjedhjet, sepse prolongimi i tyre për vjeshtë, nënkupton prolongim pa kufi të tyre dhe na bjen në një situatë që t’i mbajmë zgjedhjet në një kohë të papërshtatshme dhe në një situatë që të kalojmë një periudhë jo të shkurtë kohore me një Kuvend jo funksional në marrjen e vendimeve dhe me një Qeveri që vepron jashtë veprimeve të Kuvendit, ngase ajo nuk e ka më shumicën në Kuvend.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, a ka opozita edhe ndonjë plan “B” që do të çonte qeverinë në shkarkim apo dorëheqje?

ISA MUSTAFA
Plani më i mirë do të ishte të mblidhen 80 vota dhe të shpërndahet Kuvendi. Disave kjo nuk u pëlqen se[se kërkojnë që Kuvendi të mos shpërndahet por të shkarkohet Qeveria me anë të mocionit. Por, unë mendoj se tanimë është vonë që ne ta sanksionojmë këtë shkarkim të qeverisë, sepse nuk e kemi bërë më parë.

Edhe pse duhet pranuar se si opozitë nuk i kemi pasur votat e mjaftueshme, sepse nuk do ta lenim pa e bërë, pra pa e shkarkuar qeverinë. Por, në rast të fundit, nëse nuk kalon shpërbërja e Kuvendit, ne do të provonim edhe si opozitë që opozita të bashkohet dhe të provojë ta rrëzojë qeverinë, pavarësisht se kush do ta marrë iniciativën.
RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit ju kemi parë Ju dhe liderët e tjerë më aktiv në një parafushatë. Cila është platforma e LDK-së që i ofron Kosovës në këto zgjedhje, marrë parasysh që keni deklaruar në shumë raste se do ta merrni nën drejtim Qeverinë e Kosovës?

ISA MUSTAFA
Ne jemi mjaft të sigurt që do të fitojmë në këto zgjedhje. Kemi punuar mjaftë shumë në terren. Kemi një program qeverisës të cilin po e diskutojmë për më gjatë se një muaj e gjysmë me qytetarët. Nuk po bëjmë fushatë klasike por po e testojmë programin qeverisës. Orientimet tona themelore janë në fushën e zhvillimit ekonomik për katër vitet e ardhshme si në pikëpamjet e rritjes së normës së zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe zvogëlimit të papunësisë.

Konsiderojmë se ky është problemi kryesor. Kemi edhe instrumentet me të cilat ne do të arrinim këtë synim. Kemi objektiv të forcojmë qëndrueshmërinë buxhetore dhe jo të premtojmë se si ta shpenzojmë buxhetin, por se si ta forcojmë atë në mënyrë që të kemi kushte më të mira për paga, mëditje, transfero e investime kapitale. Konsiderojmë se nevojiten reforma në të gjitha fushat e arsimit. Reformë thelbësore në shëndetësi në mënyrë që qytetarët t’i kenë shërbimet në Kosovë dhe të ndalet ky trend i shpenzimeve të qytetarëve për shërim në Maqedoni, Turqi e tjera, duke krijuar kushtet e nevojshme në Kosovë.

Ne po shpenzojmë shumë për t’i dërguar pacientët jashtë në vend se t’i përgatisim spitalet tona për t’i kryer të gjitha shërbimet. Do të punohet në forcimin e shtetit ligjor, në luftimin e korrupsionit dhe riorganizimit të agjencive shtetërore e ministrive. Me përmbushjen e këtyre kritereve mendoj se do t’i përmbushnim edhe kriteret evropiane, qoftë për liberalizimin e vizave apo edhe të stabilizim asocimit dhe kritereve tjera që kanë të bëjnë me anëtarësimin tonë në BE si proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe sondazheve të ndryshme, del se asnjë parti politike si e vetme nuk do të mund të formoj vet qeverinë pas zgjedhjeve. Keni ju ndonjë preferencë se me cilat parti mund të hyni në partneritet pas zgjedhjeve?

ISA MUSTAFA
Në fazën e parë mendojmë të shkojmë vet si LDK dhe jo me ndonjë koalicion. Mirëpo sigurisht që në fazën e dytë do të kemi nevojë të bëjmë ndonjë koalicion sepse vet organizimi i Kuvendit të Kosovës që nënkupton edhe 20 vendet e garantuara për minoritetet nuk i jep mundësi asnjë partie shqiptare që ajo ta mbërrijë 50 për qindëshin dhe ta bëj vet qeverinë.

Në LDK nuk ekziston asnjë disponim që koalicionin ta bëjmë me PDK-në, sepse konsiderojmë që PDK duhet të del në opozitë. Ndërkaq me partitë e tjera do t’i shohim mundësitë, varësisht interesave të përbashkëta që do t’i gjejmë. Por me ato parti që e pranojnë programin tonë qeverisës dhe rregullat dhe kriteret që ne mendojmë se duhet të zbatohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët çështjet që kanë të bëjnë me agjendën evropiane. Ka vazhdimisht kërkesa nga Brukseli dhe faktorë tjerë ndërkombëtar që të vazhdohet edhe dialogu me Beogradin dhe të vendoset bashkëpunimi me drejtësinë ndërkombëtare. Jeni të gatshëm ju si LDK t’i merrni përsipër bisedimet me Serbinë dhe bashkëpunimin në lidhje me Gjykatën Speciale për krimet e luftës?

ISA MUSTAFA
Ne e kemi përkrahur në Kuvend themelimin e Gjykatës Speciale. Kemi konsideruar se meqë proceset kanë shkuar deri në atë nivel edhe në Këshillin e Evropës, edhe pretendimet e Dick Martit janë të tillë që duhet të zbardhen dhe duhet të hiqet kjo njollë që mbulon edhe individët por edhe luftën tonë çlirimtare në Kosovë.

Ne i kemi dhënë përkrahje dhe besojmë shumë që ajo (Gjykata Speciale) do ta bëj punën e vet si duhet. Po ashtu, jemi të gatshëm që ta vazhdojmë dialogun sepse mendojmë që dialogu është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet dhe për të gjetur alternativat më të mira të bashkëpunimit në të ardhmen.

Por, natyrisht që do të mundohemi maksimalisht që edhe dialogu të fokusohet, orientohet në mënyrë që të mos mbetemi gjithmonë në procesin e dialogut. Dialogu merr shumë energji, kurse ne energjinë kryesore duhet ta orientojmë në zhvillimin tonë ekonomik. Kemi papunësi të madhe, kemi ekonomi shumë të brishtë, kemi sistem të arsimit që duhet të forcohet dhe nuk guxojmë që të fokusohemi vetëm në dialog dhe t’i lëmë anash problemet jetike të qytetarëve tanë.
XS
SM
MD
LG