Ndërlidhjet

SHBA: Ende në kërkim të ish-oficerëve të KGB-së


KGB
KGB
Më se 20 vjet prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, autoritetet e imigracionit në Shtetet e Bashkura po e vazhdojnë kërkimin për ish-oficerët e KGB-së, që ishin të dyshuar për abuzime të të drejtave të njeriut, në kuadër të policisë famëkeqe sekrete sovjetike.

Për dekada, qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte në kërkim për t’i zbuluar kriminelët nazistë të dyshuar të luftës dhe shkelësit e të drejtave të njeriut, që kanë bërë jetë të qetë në Shtetet e Bashkuara. Qindra prej tyre, që ishin të dyshuar për shkelje të tilla, janë dëbuar.

Por, zyrtarët e imigracionit të Shteteve të Bashkuara, po ashtu, në mënyrë të heshtur po i ndjekin rastet potenciale kundër ish të punësuarve të KGB-së (Shërbimi Sekret i Bashkimit Sovjetik) dhe të bashkëpunëtorëve, që kanë mundur të jenë të angazhuar në persekutime, në kuadër të policisë sekrete famëkeqe sovjetike.

Një zëdhënës i Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara, nuk ka specifikuar se sa hetime të tilla janë në zhvillim e sipër, por ka thënë se ky numër është “më i vogël se 10”.

Oficerët e agjencisë, megjithatë, “po vazhdojnë monitorimin e rasteve dhe informatat” për ish-zyrtarët e KGB-së, “të cilët ndoshta kanë mundur të kryejnë ose ndihmuar në shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë ky zëdhënës.

Vlerësohet se numri i oficerëve dhe i të punësuarve në KGB para shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1992, sillet prej 500,000 e deri në 700,000, sipas librit nga viti 1994, “Shteti brenda shtetit", të gazetares ruse, Yevgenia Albats, që ka shkruar në mënyrë intensive për shërbimet sekrete të sigurisë në Bashkimin Sovjetik.

Mbetet e paqartë se sa prej këtyre individëve ishin të angazhuar në atë që në Shtetet e Bashkuara konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, e pastaj kanë ardhur në tokën amerikane.

Por, zyrtarët e Agjencisë së Imigracionit në SHBA kanë paraqitur të dhëna për numrin e oficerëve të KGB-së, “që dihet se kanë qenë” të ndërlidhur me abuzime të tilla, e të cilët janë deportuar nga Shtetet e Bashkuara. Ky numër është vetëm një. Ky person është një shtetas i Lituanisë.

Më 7 qershor të vitit 2005, Agjencia amerikane e imigracionit kishte njoftuar se e ka dëbuar shtetasin 55 vjeçar të Lituanisë, me emrin Alfonsas Abeliunas, i cili ishte “i ndërlidhur me abuzime të të drejtave të njeriut në ish-Bashkimin Sovjetik”.

Sipas njoftimit të atëhershëm, ky person kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara si vizitor joimigrant, në tetor të vitit 2000, dhe ishte arrestuar në qershor të vitit 2004 për shkelje të kushteve të vizës.

Gjykata imigruese e Shteteve të Bashkuara kishte gjetur se ai ishte i stërvitur në spiunim dhe kishte “ndihmuar” në persekutimin e të tjerëve, derisa kishte jetuar në Lituani”.

Përpjekjet për ta kontaktuar personin Alfonsas Abeliunas për komente ishin të pasuksesshme.

Abeliunas ishte përzënë nga Shtetet e Bashkuara, pasi një gjyqtar amerikan kishte urdhëruar deportimin e tij, pasi ai kishte dështuar të regjistrohet si agjent i jashtëm.

Qeveria e Shteteve të Bashkaura e kishte përshkruar këtë rast si fitore në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ata që dështojnë ta zbulojnë të kaluarën e tyre të vërtetë do ta ndjejnë peshën e plotë të ligjit”, tha Keith Perniciaro, nga Agjencia e Imigracionit të Shteteve të Bashkuara në Majami, duke e shpallur dëbimin e personit Abeliunas në vitin 2005, dhe kishte shtuar se “Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehim i sigurt për abuzuesit e të drejtave të njeriut”.

Shërbimi i kaluar në KGB ose agjencitë e tjera të jashtme sekrete, nuk do të thotë automatikisht diskualifikim të ndonjë individi, për marrjen e vizës në Shtetet e Bashkuara.

“Natyrisht, ju mund të pritni që të ketë disa pyetje lidhur me këtë, por nëse ishte involvim që nuk kishte shkaktuar ndonjë persekutim të të tjerëve, unë nuk do të shqetësohesha shumë për këtë”, thotë Alena Shautsova, avokate e imigrimit me seli në Nju Jork.

Prej vitit 2004, kjo agjenci amerikane për imigrim i ka arrestuar më se 250 individë, për shkelje të ndërlidhura me të drejtat e njeriut, dhe ka siguruar dëbimin e më se 640 vetëve, “shkelës të njohur ose të dyshuar të të drejtave të njeriut” nga toka e Shteteve të Bashkuara, njofton agjencia. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG