Ndërlidhjet

A do të brengoset Putini për kërcënimet e Obamës dhe Merkelit?


Vlladimir Putin
Vlladimir Putin
Të premten, dy udhëheqësit botërorë, me fuqinë më të madhe dhe me përgjegjësinë më të madhe, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media për t’iu përgjigjur provokimeve të Rusisë në Ukrainë.

Dhe, ata i kanë dhënë Vladimir Putinit arsye për shqetësim, shkruan gazeta Washington Post.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Anegla Merkel, kanë vënë vijë të re të kuqe për Putinin, duke këmbëngulur se zgjedhjet e planifikuara presidenciale në Ukrainë duhet të mbahen më 25 maj.

Nëse separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës pengojnë votimet, Rusia do të përballet me një raund të ri të sanksioneve ekonomike. Obama dhe Merkel kanë thënë se Perëndimi do të godasë të gjithë sektorët e ekonomisë ruse, e jo vetëm ata të miqve të Putinit.

Obama nuk ka folur për masa specifike, por ka thënë se ekspertët janë duke shqyrtuar kufizimet në sektorët e energjisë, armëve dhe financave.

Sipas gazetës Washington Post, këtu ka një asimetri në levat ekonomike, e cila funksionon në favor të Perëndimit. Rusia ka nevojë për sistemin financiar të Perëndimit më shumë seç sistemi financiar i Perëndimit ka nevojë për Rusinë.

Megjithatë, kjo tablo nuk është kaq e thjeshtë për energjinë, sepse Evropa varet aq shumë nga gazi rus. Por, gjithashtu, Rusia varet nga konsumatorët evropianë për të mbështetur ekonominë e saj.

Washington Post thotë se ka së paku dy arsye përse Putini mund të mos trembet nga vija e re e kuqe e Perëndimit. Nëse e merr seriozisht kërcënimin e Obamës dhe të Merkelit, ai, prapëseprapë, mund të insistojë se Rusia është e gatshme të durojë shumë vështirësi ekonomike për të ruajtur dhe zgjeruar ndikimin përgjatë kufijve.

Në këtë rast, Evropa duhet të pranojë një kërcënim të rrezikshëm dhe afatgjatë në Rusinë e Putinit.

Përveç kësaj ose si alternativë, Putini mund të mos i marrë seriozisht Obamën dhe Merkelin, duke vënë bast se Perëndimi nuk ka gjasa të vërë sanksione vërtet ndëshkuese.

Ajo çfarë është e rëndësishme është se edhe shumë në Evropë nuk duken ende të gatshëm për të sakrifikuar shumë për krizën në Ukrainë, shkruan gazeta.

Pak ditë më parë, kujton Washington Post, një grup prej biznesmenëve evropianë ka udhëtuar nëpër Uashington duke argumentuar se sanksionet më të ashpra janë ide e keqe. Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një plan emergjent nëse këta zëra mbizotërojnë në kontinent.

Rusia ka fyer sovranitetin, rendin dhe paqen në Evropë dhe Angela Merkel, liderja më me ndikim e Evropës, ka kredibilitetin e saj në rrezik. Ukrainasit në Kiev, Odesa, Lviv dhe Donjeck kanë kthyer sytë kah ajo, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës, shkruan gazeta Washington Post.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG