Ndërlidhjet

Shpërndahet Kuvendi i Kosovës


Seanca e 7 majit e Kuvendit të Kosovës
Seanca e 7 majit e Kuvendit të Kosovës
Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që të shpërndajë vetveten.

Me këtë vendim, Kuvendi vendosi që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mocioni është ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

Arsyetimin e ka prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami i cili ka thënë se me këtë vendim, Kuvendi hap procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Nisma e deputetëve është mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kanë prezantuar qëndrime të ndryshme.

Në fjalimin e tij të fundit para kësaj legjislature, kryeministri Hashim Thaçi e ka arsyetuar vendimin për të shkuar në zgjedhje, duke thënë se muajt dhe javët e fundit kanë dëshmuar edhe për jofunksionalitet të institucioneve.

Thaçi ka rikujtuar sidomos dështimin e Kuvendit që të themeloj Forcat e Armatosura të Kosovës.

Gjatë përvjetorit të pavarësisë, ai pati premtuar se Kosova do t’i ketë Forcat e Armatosura brenda muajve.

“Vendimi për shpërndarjen e këtij Kuvendi po bëhet në pajtueshmëri të plotë të partive kryesore në vend. Argumenti tjetër lidhet me vendimin që javë më parë është marrë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës - Ushtrisë së Kosovës. Duhet ta kuptojmë se Kosova duhet të ketë institucione kredibile që marrin vendime në interes të shtetit dhe qytetarëve të vet”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Ismet Beqiri tha se është mirë që Kosova po shkon në zgjedhje, ngaqë për tri vjet të kësaj qeverie vendi është udhëhequr keq dhe janë shënuar shumë degradime e kthime prapa në proceset politike.

“Për ne nuk është shumë e rëndësishme forma por esenca dhe përmbajtja. Esenca e gjithë kësaj është që të shkohet në zgjedhje dhe qytetarët me votën e tyre, kësaj qeverie e cila sot qenka komplet këtu t’ia tregojnë derën për në shtëpi”, ka thënë Beqiri.

Kundër procedurës së shpërndarjes së Kuvendit është shprehur Aleanca Kosova e Re, partnere e PDK-së në koalicionin aktual.

Po ashtu, kundër shpërndarjes u deklarua Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt politik tha se rruga drejt zgjedhjeve duhet të jetë përmes rrëzimit të qeverisë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ftoi opozitën që të lënë çështjen e shpërndarjes dhe të ulën se bashku dhe të nënshkruajnë mocionin për rrëzimin e qeverisë.

“Nëse shkojmë në zgjedhje me shpërndarje të Kuvendit ne e humbim ofensivën si opozitë. Nëse e rrëzojmë qeverinë, ne hyjmë në zgjedhje si parti opozitare me ofensivë. E ofensiva është çelësi i fitores. Prandaj, ne duhet ta rrëzojmë qeverinë dhe të shkojmë në zgjedhje të ardhme këtë vit”, ka thënë Kurti.

Propozimi i Kurtit, megjithatë nuk i ka bindur dy partitë tjera opozitare, të cilat në fund mbështetën shpërndarjen e Parlamentit.

Në fund, votimi ka treguar se 90 deputetë mbështetën shpërndarjen e Kuvendit, çka ka lënë të nënkuptohet se nismës së PDK-së e LDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të pakicave dhe ata të AAK-së.

Tani, pritet që kryetarët e partive politike në konsultim me presidenten Atifete Jahjaga të merren vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme e cila do të shpallet për pjesën e parë të qershorit.

Kjo ishte hera e dytë që institucionet e Kosovës nuk arrijnë të përmbyllin mandatin katër vjeçar. Mandatin e kaluar, Kuvendi pati shkarkuar qeverinë dhe më pas ishte shpërnda dhe kishte dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.
XS
SM
MD
LG