Ndërlidhjet

Beogradi synon një “listë të përbashkët” për serbët e Kosovës


Veri...
Veri...
Serbët e Kosovës synojnë që në zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të cilat do të mbahen me 8 qershor, të garojnë me një listë të përbashkët, vlerësojnë politikanët serbë.

Sipas tyre, synimet e tilla, tashmë janë shpërfaqur sidomos nga politikanët që vijnë nga radhët e Iniciativës qytetare serbe, e cila në zgjedhjet lokale pati fituar në shumicën e komunave me shumicë serbe, por edhe nga vet Beogradi zyrtarë, i cili e pati mbështetur këtë subjekt politik.

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, i cili i takon Iniciativës Qytetare Serbe, tashmë ka deklaruar se shpreson për një listë të përbashkët, me të cilën serbët do të hyjnë në garën për zgjedhjet parlamentare.

“Shpresoj se do t’ia arrijmë që për herë të parë në historinë popullit serb të bashkohemi dhe me listë të përbashkët të paraqitemi në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ta fitojmë numrin maksimal të vendeve të deputetëve. Më pas, ne do të ishim një fuqi në Kuvendin e Kosovës, e cila do të mund ta mbronte të gjithë popullatën serbe dhe jo shqiptare në gjithë territorin e vendit”, ka theksuar Jabllanoviq.

Në anën tjetër, kohë më parë, ende pa u shpërndarë Kuvendi i Kosovës, autoritetet e Beogradit i kishin ftuar politikanët serbë të Kosovës, me të cilët kanë nisur bisedimet lidhur me pjesëmarrjen e serbëve me listë të përbashkët në zgjedhje parlamentare të Kosovës.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj se bisedimet kanë nisur para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Tashmë është biseduar për atë që të bëhet një listë e përbashkët dhe të gjithë deputetëve serbë që kanë qenë në Kuvend do t’iu ofrohet të jenë pjesë e asaj liste dhe fushatës së përbashkët. Ende po bëhen konsultimet, po ende nuk kemi pasur një takim të gjerë dhe definitiv të serbëve ku do të bisedonin ndërmjet veti”, theksoi Trajkoviq.

Se bisedimet ndërmjet subjekteve politike serbe dhe autoriteteve të Beogradit për një listë të përbashkët po zhvillohen, këtë e thotë edhe Petar Miletiq nga Partia e Pavarur Liberale.

Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, kjo çështje është diskutuar edhe me udhëheqjen e partisë së tij, me të cilën, kohët e fundit ai ka pasur mosmarrëveshje.

“Me sa di unë, disa bisedime po bëhen. Mua nuk më ka kontaktuar askush, por, thjeshtë, po e shoh se ekzistojnë paralajmërime dhe se po bëhet një listë e përbashkët, e cila do t’i përfshijë të gjithë serbët. Se a do të ndodhë kjo nuk e di, por kjo iniciativë ekziston. Në parim, mendoj se këtë po e bën Lista serbe dhe se ata janë të angazhuar për këtë gjë”, theksoi Miletiq.

Ai ka shtuar se e gjithë kjo situatë është krijuar me mos vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, të cilat, sipas tij, do të vazhdonin edhe mundësinë e një pluralizmi partiak në mesin e pakicave.

Në rastin e vendeve të rezervuara ekziston mundësia që edhe nëse shkohet me shumë parti në zgjedhje, mund të fitohet numër më i madh i ulëseve për deputet. Por, pa vende të rezervuara, numri më i madh prej 10 vendeve të garantuara mund të fitohet vetëm më një listë. Kështu që ata që e përkrahin vetëm një listë, e kanë në dorë një argument serioz, sepse thjeshtë, në atë mënyrë mund të fitohen më shumë vende të deputetëve”, tha Miletiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Trajkoviq, e cila thotë se mungesa e vendeve të rezervuara në Kuvend, sjell deri te situata ky synohet një listë e përbashkët nga serbët.

“Bashkësia është e vogël dhe trupi zgjedhor është mjaft i kufizuar. Unë jam për më shumë lista, por frikohem se mos po shpërndahemi shumë dhe kjo të sjell te ajo që të mos marrim as ato 10 vendet e garantuara”, tha Trajkoviq.

Ndryshe, përfaqësuesit e Iniciativës qytetare serbe kanë deklaruar se janë të hapur, siç kanë thënë, për të gjithë ata që punojnë përtej interesave individuale apo grupore.
XS
SM
MD
LG