Ndërlidhjet

logo-print
Zgjedhje të parakohshme, duke mos pritur afatin e përcaktuar me ligj, kur edhe do të duhej të mbaheshin, po konsiderohen të tepërta nga disa të rinj, por njëkohësisht edhe të lodhshme për ta.

Megjithatë, ka disa prej tyre që thonë se është koha e duhur që këto zgjedhje të mbahen, pasi që, siç shprehen ata, nuk janë kanë qenë të kënaqur me qeverisjen në largim.

Institucionet e Kosovës për herë të dytë nuk kanë arritur ta përmbyllin mandatin katër vjeçar duke dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme. Derisa, vetëm para gjashtë muajve Kosova kishte mbajtur zgjedhjet komunale.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë thonë se interesimi për zgjedhjet mungon, për arsye se shumë prej tyre janë të zhgënjyer me qeverisjet e deritashme.

Arbër Sinani është 22 vjeç, student i matematikës në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se zgjedhjet e shpeshta të cilët po mbahen në Kosovë janë bërë të bezdisshme për të.

“Është e vërtete se zgjedhjet na kanë lodhur shumë është e tepërt mu mbajt kaq shpesh. Pasi që është e caktuar koha e tyre me duket e panevojshme të mbahen kaq shpesh. Më shumë po dalin problem zgjedhjet, pasi që po kemi problem me studime”
, thotë ai.

Të rinjtë duken shumë pak të interesuar për zgjedhjet parlamentare thonë të kenë preokupime tjera, siç janë studimet.

Ata thonë se janë një numër i madh i arsyeve, që do ta ngjallnin interesimin për zgjedhjet.

Kushtrim Ahmeti thotë se është i lodhur nga fushata para zgjedhore të partive politike. Sipas tij, në çdo kënd të qytetit ke pjesëtarë të partive politike që bëjnë fushatë.

“Jo nuk jemi lodh shumë me zgjedhje sesa me fushatë të partive, këtu në Kosovë tek ne çdo herë po ka fushatë, fushatë para zgjedhjeve e pas zgjedhjeve gjithë fushatë për gjithçka”, thotë Ahmeti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë do të mbahen me 8 qershor. Fushata zgjedhore e partive politike në këto zgjedhje do të jetë vetëm 15 ditë.

Por, që partitë tanimë kanë filluar të shpalosin plan programet e tyre për mandatin qeverisës katër vjeçar.

Ka mendime tek të rinjtë se mos përmirësimi i kualitetit të jetës së qytetarëve gjatë qeverisjeve të kaluara, bënë disa të rinj që të dalin në zgjedhje dhe të vendosin për atë parti që mund të bëjë ndryshime.

Besart Osmani është 20 vjeç nga qyteti i Prishtinës. Ai mendon se zgjedhjet e përgjithshme po mbahen në një kohë mjaft të duhur, dhe se është koha për ndryshime.

“Unë po mendoj që zgjedhjet kanë ardhur në një kohë të duhur. Është koha që Kosova të ketë një ndryshim pasi që jemi lodhur, prej këtyre politikave të deritanishme të partive që kanë qenë në pozitë , pra është koha që nj frymë e re të mbizotërojë mbi Kosovë”, shprehet ai.

Ngjashëm shprehet edhe Lirdona Osmani.

“Zgjedhjet janë procese që duhet të ndodhin, do të votojë dhe do të shpresojë në ndryshime”, shprehjet ajo.

Adem Thaqi, ndërkaq mendon se do të duhej të ishte një qeveri më e qëndrueshme dhe të mos ketë çdo herë zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është mirë që të mbahen kaq shpejt zgjedhjet, duhet të jetë një qeveri funksionale. Për ne si të rinj kemi preokupime tjera sesa zgjedhjet, na duhet të zgjidhen problemet tona një shkollim më i mirë dhe gjëra tjera”, thotë ai.

Jo perspektiva, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, janë po ashtu arsye që disa të rinj kanë vendosur që të dalin në këto zgjedhje.

Ata thonë se duhet të ekzistojë interesimi i qytetarëve për zgjedhjet, në mënyrë që përmes votës të ndryshohet situata në të cilën është vendi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG