Ndërlidhjet

PDK: Ne qeverinë ose zgjedhje të reja


Partia Demokratike e Kosovës, në cilësinë e subjektit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, i ka ftuar partitë që nënshkruan marrëveshjen për të qeverisur në mandatin e ardhshëm, që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet, duke pretenduar se vetëm PDK si fituese mund të formoj qeverinë e re të Kosovës.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se “mandatar i qeverisë së ardhshme është partia fituese e zgjedhjeve dhe koalicioni parazgjedhor prej Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit për Mision të Ri”.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi që tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nënshkruan një marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës,duke nominuar aty edhe Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër të ardhshëm.

Edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi përmes një konference për gazetarë ka thënë se qeveria e ardhshme do të duhet të formohet nga partia fituese ose në të kundërtën, ai ka thënë se do të vjen në shprehje organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.

Kuçi është shprehur i bindur që marrëveshja mes tri partive politike, LDK, AAK dhe Nisma, do të interpretohet si jo kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse provohet të miratohet në Kuvend.

"PDK-ja në këto zgjedhje do ta menaxhoj qeverinë, por nëse qeverisja e tillë nuk mund të bëhet atëherë zgjidhja e dytë janë zgjedhjet. Por, po e them zgjedhjet nuk janë zgjidhja e parë", ka thënë Kuçi.

PDK e cilëson marrëveshjen e tri partive për koalicionin qeverisës si anti-kushtetuese, duke u thirr në Nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas PDK-së, presidentja e shtetit mund të mandatojë vetëm fituesin e zgjedhjeve për të formuar qeverinë dhe në asnjë rast një mandatar nga partia e dytë e tretë e kështu me radhë.

Hajredin Kuçi thotë se koalicionin që LDK, AAK dhe Nisma e lidhën të martën, është dashur ta arrijnë para zgjedhjeve në mënyrë që ai të nënkuptonte shumicën në Kuvend.

Kurse në këtë formë se si është arritur, ai thotë se ky grupim i partive nuk e paraqet subjektin fitues apo shumicën, sipas Kushtetutës.

"Këto janë interpretime nga ata që nuk janë jurist. Grupi parlamentar, koalicioni, partia më e madhe është ai subjekt që ka bërë koalicion para zgjedhjeve. Ata është dashur të bëjnë koalicion para zgjedhjeve nëse kanë dashur një veprim të tillë", ka thënë Kuçi.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të rrjedh situata pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, kur edhe mund të vijë në shprehje interpretimi nëse është apo jo kushtetues formimi i qeverisë nga partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet.

Blloku i tri partive nënshkruese të marrëveshjes pretendon se me këtë marrëveshje fillimisht i ka pamundësuar PDK-së dhe Thaçit të formojë çfarëdo koalicioni qeverisës.

Kurse me vetë faktin që pretendojnë se kanë arritur që të sigurojnë shumicën në përbërjen e re të Kuvendit, këto parti besojnë se kanë edhe të drejtën kushtetuese të formojnë qeverinë e re të Kosovës.
XS
SM
MD
LG