Ndërlidhjet

"Arbën Xhaferi", urë lidhëse Kosovë - Maqedoni


Ceremonia e përurimit të Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit – Autostradës “Arbën Xhaferi”
Ceremonia e përurimit të Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit – Autostradës “Arbën Xhaferi”

Të enjten kanë nisur zyrtarisht punimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit që lidh Kosovën më Maqedoninë. Autostrada e re do të quhet “Arbën Xhaferi”.

Nga zyrtarët të qeverisë në largim të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë, është konsideruar si urë lidhëse në mes të këtyre dy shteteve që do të ndikojë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Kryeministri i Kosovës në largim Hashim Thaçi, ka thënë se efekti i ndërtimit të autostradës Prishtinë - Ferizaj - Kaçanik - Hani i Elezit, nuk do të jetë i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe vende tjera të rajonit.

Përveç lidhshmërisë në komunikacion, “Rruga 6” do të ketë efekt edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.

"Sot është një ditë e veçantë për shtetin e Kosovës, sot është një ditë e bekuar, sepse ne po vazhdojmë për të punuar, për të modernizuar vendin tonë, ne po vazhdojmë për të ndryshuar edhe më fuqishëm vendin tonë, për ta bërë vendin tonë një vend evropian, një shtet modern dhe të zhvilluar".

"Uroj që edhe Qeveria e Maqedonisë, nga ky projekt të inkurajohet dhe nga unaza e Shkupit, të nis sa më shpejt deri në Han të Elezit, në mënyrë që dykryeqytetet tona të jenë më afër me njëra-tjetrën. Po fillojmë implementimin serioz të Misionit të ri dhe ky projekt madhor për vendin tonë, për shtetin tonë, kemi vendosur që të emërtohet me emrin eintelektualit më të spikatur të kombit tonë, Arbën Xhaferi", tha Thaçi.

Në ceremoninë festive me rastin e fillimit të punimeve në një fshat afër Fushës Kosovës morën pjesë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ambasadorja amerikane ë Kosovë, Tracey A. Jacobson, një delegacion nga Maqedonia dhe zyrtarë të tjerë kosovarë.

Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ndërkaq tha se kjo autostradë do të jenë një urë lidhëse në mes shqiptareve të Kosovës dhe Maqedonisë.

“Do të kërkoj një afërsi gjegjësisht kohezion social, politik, ekonomik dhe vëllazëror në mes shqiptarëve të të dy anëve. Ndërkaq, rëndësia është se Kosova do të ketë rastin të lidhet me korridore të rëndësishme, “korridorin 8” dhe “korridorin 10”, gjegjësisht do të mund të lidhet me Detin Egje, me Detin e Zi dhe përmes Maqedonisë me Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë dhe të tjera", tha Xhaferi.

Autostrada e nisur të enjten do të ndërtohet nga konsorciumi amerikano-turk, Bechtel&Enka, konsorcium ky që ka ndërtuar edhe autostradën e parë në Kosovë, atë që e lidh Kosovën me Shqipërinë, të quajtur "Ibrahim Rugova", punimet e së cilës kanë përfunauar vitin e kaluar.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Fehmi Mujota duke folur për rëndësinë e këtij projekti ka thënë se kontrata e nënshkruar me Bechtel&Enka është më e favorshmja në rajon. Dhe për këtë sipas tij, janë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

“Jemi të sigurt se kjo është kontrata më e mirë dhe më favorshme në rajon për cilësinë dhe standardet e ndërtimit që do të kemi në këtë autostradë”, tha Mujota.

Autostrada e re, buxhetit të Kosovës do t'i kushtojë rreth 600 milionë euro. Autostrada e quajtur “Arbën Xhaferi” do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

XS
SM
MD
LG