Ndërlidhjet

SHBA: Rusia vazhdon përkrahjen e separatistëve në Ukrainë

  • RFE /RL

Slloviansk

Slloviansk

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Rusinë se po e vazhdon përkrahjen për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, duke iu dhënë atyre pajisje të rënda ushtarake, përfshirë edhe tanke.

Një dokument zyrtar që përmban informata të rëndësishme i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thotë se Uashingtoni “nuk ka dëshmi që thotë se Rusia e ka ndaluar përkrahjen për separatistët”.

“Në fakt, ne vlerësojmë se Rusia vazhdon t’iu ofrojë atyre armë të rënda, pajisje të tjera ushtarake dhe financiare dhe vazhdon t'i lejojë militantët që të hyjnë lirisht në territorin e Ukrainës”.

Sipas këtij dokumenti të Departamentit Amerikan të Shtetit, Moska vazhdon të grumbullojë pajisje ushtarake, përfshirë edhe tanke që nuk përdoren më nga forcat ruse, në një zonë grumbullimi në pjesën jug perëndimore të Rusisë.

“Ne jemi të shqetësuar se një pjesë e madhe e këtyre pajisjeve do të transferohen te separatistët, pasi jemi të bindur se Rusia tashmë iu ka dhënë tanke dhe disa lansues të raketave nga kjo zonë”, thuhet në dokumentin e Departamentit të Shtetit.

NATO, në anën tjetër, ka thënë se Rusia e ka rritur numrin e ushtarëve në kufi duke e mbledhur aty nga 10 mijë deri në 12 mijë ushtarë, nga vetëm 1 mijë sa kishte më parë.

Një zyrtar i NATO-s ka thënë se rritja e numrit të ushtarëve “nuk është një hap në drejtimin e duhur”, por më shumë afrim vetëm një hap para de-eskalimit të situatës”.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka mbajtur një takim urgjent me zyrtarët kryesor të tij për siguri në Kiev.

Pas takimit, ai ka thënë se “janë konfirmuar informacionet se oficerë të stafit rusë janë duke marrë pjesë në operacionet ushtarake kundër forcave të Ukrainës”.

"Të gjitha incidentet që po ndodhin në kufirin shtetëror, të gjitha pa përjashtim, janë rezultat i asaj që ne i kemi kapur ata për fyti. Në çdo vend ku ata më parë kanë operuar lirisht dhe e kanë kaluar kufirin më parë, tash ne shohim konvojet e tyre, përballemi me konvojet e tyre. Ndërsa ne, po përdorim artilerinë dhe aviacionin tonë që të shkatërrojmë këto konvoje”, ka deklaruar presidenti ukrainas.

Poroshenko, gjithashtu, ka thënë se ka nevojë për ndryshime taktike nga trupat ukrainase për të forcuar mbrojtjen e kufirit dhe popullit që jeton afër asaj zone.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Valeriy Heletey, ka bërë të ditur se një aeroplan ushtarak transportues AN – 26, është rrëzuar më 14 korrik nga një raketë që “ndoshta” është gjuajtur nga territori rus.

Heletey ka thënë se aeroplani ka qenë duke fluturuar në një lartësi prej 6500 metrash, që e ka bërë të pamundshme të goditet nga armët që janë në përdorim nga separatistët pro-rusë që po luftojnë në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët e Ukrainës thonë se disa nga tetë pjesëtarët e ekipit në atë aeroplanë janë në kontakt në zyrtarët ushtarakë ukrainas.

Zyrtarët e Kievit e kanë hedhur poshtë pretendimin e separatistëve se janë ata që e kanë rrëzuar aeroplanin e madh të Ukrainës.

"Ministri i Mbrojtjes, ka raportuar te presidenti Poroshenko, se fatmirësisht, ekipi ka arritur që të largohet nga aeroplani i rrëzuar duke përdorur parashuta. Është e qartë që aeroplani është goditur në lartësi prej 6500 metrash. Lansuesit mobil të raketave që momentalisht përdoren prej terroristëve, nuk mund të godasin aeroplanët që fluturojnë në atë lartësi. Kjo do të thotë se AN-26 është goditur nga një armë më e fuqishme që ndoshta gjendet në territorin e federatës ruse”, ka thënë Andrei Lysenko, zëdhënës i Këshillit Kombëtar Ukrainas për Mbrojtje dhe Siguri.

Nuk flitet ende për viktima, ndonëse një reporter i agjencisë franceze të lajmeve, AFP, ka thënë se ka mbetje njerëzore të djegura në zonën ku është rrëzuar një aeroplan që besohet se është AN-26.

Zëdhënësi i separatistëve ka thënë se ata kanë kapur disa prej të mbijetuarve të aeroplanit të rrëzuar dhe se të njëjtit po merren në pyetje.

Ndërkohë, Rusia ka njoftuar se do të lejojë pjesëtarët e misionit monitorues të OSBE-së që të vëzhgojnë dy pika kontrolli në kufirin e saj me Ukrainën.

Andrei Kelin, i deleguar rus në OSBE, e ka bërë të ditur për publikun këtë vendim.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka dërguar një letër, ku thuhet se vëzhguesit e OSBE-së mund t'i vizitojnë qytezat kufitare ruse që janë prekur nga luftimet.

Duke folur me presidentin zviceran, Didier Bukrhalter, që në të njëjtën kohë është edhe udhëheqës i radhës i OSBE-së, Lavrov ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve për të negociuar armëpushimin e ri.

Poroshenko e kishte shpallur një armëpushim 10 ditor, por kishte hequr dorë prej tij kur rebelët nuk pranuan që t'i dorëzojnë armët dhe të rikthenin pikat kufitare të marra nën kontroll prej tyre.

Pas një telefonate katërorëshe ndërmjet ministrave të Jashtëm, atij francez, ukrainas, rus dhe atij gjerman, kryediplomati i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, ka thënë se të gjitha palët janë pajtuar që të vazhdohet puna drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, bilateral.

Ai ka theksuar se Rusia e ka përsëritur se do ta përdorë ndikimin e saj te rebelët dhe është pajtuar që të lejojë ambasadën ukrainase që të ketë qasje te një pilote ukrainase që është marrë peng.(a.haraçia)

XS
SM
MD
LG