Ndërlidhjet

Maqedoni: Premtimet e pambajtura për investime


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Premtimet parazgjedhore të partive politike për investime të jashtme në qindra miliona euro në muajt e parë të qeverisjes së tyre, janë shumë larg realitetit.

Në pesë muajt e parë të vitit në Maqedoni kanë hyrë 146.5 milionë euro investime të jashtme, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë.

Nëse ky ritëm vazhdon edhe në periudhën e dytë të vitit, atëherë deri në fund të vitit investimet e jashtme nuk do të kalojnë më shumë se 350 milionë euro, shifër kjo sa gjysma e premtimeve të partive gjatë fushatës elektorale kur premtuan mbi 550 milionë euro investime të kompanive të fuqishme nga jashtë.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se nuk duhet pritur investime më të larta nga shifrat zyrtare të prezantuara nga Banka Popullore, meqë aq është kapaciteti i Maqedonisë në tërheqjen e kapitalit të jashtëm.

Sasho Arsov, ekspert i çështjeve ekonomike thotë se institucionet duhet të jenë të lumtura nëse arrijnë që disa vite me radhë të mbajnë nivelin e investimeve në rreth 400 milion euro.

“Kapacitetet tona janë të atilla që nuk mundësojnë investimet më të mëdha. Me resurset tona, me ato kushte që posedojmë, me pasqyrën tonë që kemi në botën e jashtme, ky është kapaciteti jonë, ndoshta mund të arrijnë në 300 milion, e ndoshta edhe 400, por asnjëherë më shumë se kaq. Nëse ndonjëherë kemi pasur më shumë, kjo nuk do të thotë se ky ritëm do të vazhdojë, pasi praktika ka treguar se ato në raste të caktuara edhe janë përgjysmuar“, thotë Arsov.

Nga ana tjetër, Bilall Kasami, profesor i Ekonomisë në Universitetin Ballkanik të Shkupit, thotë se Maqedonia nuk ka bazë të shëndoshë ekonomike që të pretendojë investime të jashtme në mbi 500 milionë euro ndërsa veç kësaj, ai si problem kryesor apostrofon administratën e cila ende është larg asaj për cilën pretendon qeveria se është në dispozicion të investitorëve të jashtëm në kuptimin e rregullimit të shpejt të të gjithë procedurave ligjore për investime.

“Këto deklarime pompoze të qeverisë për investime të jashtme por edhe të brendshme mendoj se nuk qëndrojnë pasi nuk ka një bazë të shëndosh ekonomike. Ne vazhdimisht kemi pasur vlerësime maksimale nga institucionet relevante ndërkombëtare për klimën afariste këtu në Maqedoni, por kemi të bëjmë me premtime apo kushte vetëm në letër, pais kur vijnë të implementojnë biznesin e tyre ato hasin në probleme të shumta. Kompanitë serioze për të investuar këtu në Maqedoni e kanë parasysh se klima afariste nuk përkon aspak me atë që e propagandon qeveria“, thotë Kasami.

Ai gjithashtu, si problem veçon edhe politikën apo përfshirjen e partive në pushtet në bërjen e biznesit që i bën të pasigurta kompanitë e huaja pasi ato siç shprehet ai nuk janë të interesuar për relacione të mira me subjekte të caktuara politike por kërkojnë institucione stabile dhe funksionale që do të garantonin kapitalin e tyre.

“Kjo është gjithashtu një faktor shtesë që i ngadalëson investitorët për të investuar në Maqedoni, pasi nëse ato kanë garanci nga kjo qeveri, ata nuk janë të sigurt se këtë mund ta presin edhe nga qeveria tjetër. Ata nuk janë të interesuar të kenë realicione direkte me individ apo pushtetin, ata kërkojnë sistem të qëndruar ekonomik i cili nuk do të varet nga ajo kush është në pushtet, apo se kush do të largohet nga pushteti“, thotë Kasami.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Popullore, vetëm në vitin 2007 Maqedonia ka arritur të ketë investime të jashtme në mbi 500 milionë euro ndërsa si vit më i keq vlerësohet 2005-ta me vetëm 77 milionë euro.

Në vitin 2011 janë regjistruar 344 milionë euro investime ndërsa 111 milionë euro në vitin 2012, kurse 269 milionë euro në vitin 2013.

Gjithë këto të dhëna janë thuajse sa gjysma e premtimeve të partive politike, në veçanti të VMRO-DPMNE-së, e cila ka qeverisur me vendit gjatë 7 viteve të fundit

XS
SM
MD
LG