Ndërlidhjet

logo-print

Kosova edhe 15 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë. Edhe pse këtë sezon ka pasur reshje shiu të bollshme, reduktimet po vazhdojnë.

Arieta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit rajonal Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja aktuale me ujë të pijshëm është stabile, edhe përkundër reduktimeve ditore.

"Reduktimet që tash i kemi janë më të mirat që nga paslufta dhe do të vazhdojnë deri në vitin 2016, atëherë kur edhe do të përfundojë fabrika e ujit në Shkabaj, kur edhe ujë do të ketë 24 orë. Po flas për 8 komuna që janë nën menaxhim të ujësjellësit. Nivelet e ujit aktualisht në liqene janë kështu: Liqeni I Batllave është minus 1.89 metra me ujë, derisa Liqeni i Badocit minus 4.5 metra nën nivelin maksimal", tha Mjeku.

Zonja Mjeku shpjegon edhe për oraret e reduktimeve, varësisht se cila lagje nga cili liqen furnizohet.

"Reduktimet po vazhdojnë, ata që furnizohen nga Liqeni i Badocit kanë reduktime të ujit nga 3 deri 4 orë gjatë ditës, derisa natën nga ora 23 deri 6 në mëngjes. Ndërsa, ata që furnizohen nga Liqeni i Batllavës, pothuajse 70 për qind e banorëve me përjashtim të atyre që furnizohen nga rezervarët që shtëpitë e tyre i kanë të ndërtuara mbi kuotat e rezervareve, ata kanë reduktime pak më shumë, për shkak të pozitës gjeografike".

"Por problemi tjetër është se, nëse ka qenë e paraparë që ne t'i furnizojmë 200 banorë, tash o furnizojmë 500 banorë, për shkak të mbipopullimit të kryeqytetit", bëri të ditur ajo.

E zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se analizat e ujit bëhen në baza ditore dhe cilësia e ujit të pijes është brenda standardeve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është përgjegjës për monitorimin e kualitetit të ujit. Andaj, sipas tyre nga analizat e bëra ditore, del se uji është brenda standardeve të parapara.

"Sa i përket cilësisë së ujit të pijshëm është konform standardeve, është i përshtatshëm për pije, reduktimet i kemi këto që i kemi dhe është shumë më i mirë se që kemi pasur verat e kaluara", tha Arjeta Mjeku.

Por çfarë thonë qytetarët lidhur me reduktimet e ujit?

Vlora Morina flet për Radion Evropa e Lirë për reduktimet e vazhdueshme edhe përkundër reshjeve të shumta gjatë pranverës dhe verës së këtij viti.

"Përkundër faktit që kohëve të fundit ka pasur shumë reshje të shiut dhe mendoj se ujë ka mjaft, reduktimet nuk janë ndalur. Unë si qytetare nuk e di pse ka reduktime. Mendoj se ndoshta faji është edhe te disa qytetarë që nuk janë parapagues të rregullt të ujit. Por sidoqoftë ishte dashur që zyrtarë nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina, të del dhe t'ju tregojë arsyet e reduktimeve qytetarëve të saj".

Sidoqoftë kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina, i ka thënë Radios Evropa e Lirë kohë më parë , se mungesa e ujit vjen si pasojë e keq menaxhimit të ujit nga vetë zyrtarë institucionesh.

Ai thotë se Kosova ka resurse ujore të mjaftueshme, por problemi mbetet te menaxhmenti.

Sipas tij drejtoratet e komunave nëse i rendisin më mirë planet e veprimit lokal, do të mund të furnizonin 24 orë me ujë pa ndërprerë pa pikë problemi, sepse ekziston mundësia, por me kusht që teknikisht të investohet më drejtpërdrejt apo të jenë më të qarta investimet.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG