Ndërlidhjet

Vrasja që shpërfaq ndarjet racore në SHBA


Protestat pas vrasjes së 18 vjeçarit Michael Brown.
Protestat pas vrasjes së 18 vjeçarit Michael Brown.

Carl Schreck dhe Luke Johnson

Sapo kishte kaluar mesnata e një të shtune të qetë kur një veturë policore u ndalua para dy adoleshentëve. Ata po e kalonin një rrugë të qetë të St. Louis në shtetin federal të Misurit duke shkaktuar vetëm një kalim jo të rregullt të rrugës, por duke mos dhënë shenja të një kërcënimi serioz të rendit.

Brenda pak minutash, një nga adoleshentët, 18 vjeçari, Michael Brown, shtrihet në stomak para veturës së policisë.

Së paku gjashtë plumba ia godasin trupin e tij, dy prej të cilëve e godasin në kafkë, sipas një autopsie të pavarur.

Një sasi e madhe e gjakut u derdh në asfalt nga kufoma e tij.

Mbetet e paqartë se çfarë e nxiti policin Darren Wilson, që të gjuajë në drejtim të Brownit, i cili ishte i paarmatosur, gjatë përballjes vdekjeprurëse të 9 gushtit në lagjen periferike St. Louis të Fergusonit.

Policia vendore thotë se Brown, një afrikano-amerikan trupmadh i gjatë mbi 1 metër e 93 cm, sapo kishte vjedhur cigare nga një dyqan i afërt, ndërsa ka bërë përpjekje që t’ia marrë pistoletën policit Willson.

Familja e Brownit, ndërkohë thotë se ai është ekzekutuar në mes të ditës, duke u bërë viktimë e diskriminimit racor nga një polic i racës së bardhë.

Derisa autoritetet vendore dhe federale e hetojnë vdekjen, rasti në fjalë ka nxitur trazirat më serioze racore që SHBA-ja nuk i ka parë për dekada më radhë, me protesta dhe dhunë që përfshijnë rajonin e St. Louis dhe demonstrata që po mbahen në tërë vendin.

Trazirat po e detyrojnë vendin, i cili e ka zgjedhur dy herë një president të racës së zezë, që edhe njëherë të përballet me çështjen e racës dhe dhunës policore.

“Si amerikanë, ne duhet që të shfrytëzojmë momentin që të kërkojmë humanizmin tonë të përbashkët që është nxjerrë i zhveshur nga ky moment”, u ka thënë më 18 gusht reporterëve, presidenti amerikan, Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë.

Komunitetet e lëna pas dore

Zgjedhja e Obamës në vitin 2008 është parë si hap historik që tejkalon dallimet racore në SHBA dhe trashëgiminë e kombit amerikan nga skllavëria dhe diskriminimi.

Ngjarja në Ferguson, megjithatë e ka nxjerr në pah margjinalizimin e thellë politik dhe ekonomik të afro-amerikanëve.

Fergusoni është i ndarë thellë sa i përket popullatës dhe të punësuarve në forcat policore në aspektin racor, duke e krijuar një atmosferë, në të cilën policia nuk është e besueshme dhe nuk shihet si përfaqësuese e komunitetit.

67 për qind e popullatës është e racës së zezë, sipas Byrosë së Regjistrimit të Popullatës në SHBA, derisa vetëm 3 nga 53 oficerët e zyrtarizuar në forcën policore janë me ngjyrë, sipas shefit të policisë, Thomas Jackson.

Në vitin 1990, Fergusoni ka pasur 74 për qind të popullatës së bardhë dhe 25 për qind të racës së zezë.

Qeveria e qytetit, gjithashtu, ka të punësuar numër shumë të madh të popullatës së racës së bardhë.

Kryetari i komunës, James Knowles, është i bardhë, siç janë edhe pesë pjesëtarët e këshillit të qytetit dhe gjashtë nga shtatë pjesëtarët e bordit të shkollave.

Për më tepër, personat me ngjyrë në Ferguson përbëjnë 86 për qind të ndalimeve në trafik, 92 për qind të bastisjeve dhe 93 për qind të arrestimeve nga policia lokale në vitin 2013, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Misurit.

Ndarja racore e Fergusonit po reflektohet në tërë vendin sa i përket dallimeve në qëndrimet që po mbajnë të bardhët dhe të zinjtë për këtë ngjarje

Sipas një sondazhi të “Pew Research Center” të publikuar më 18 gusht, 80 për qind e personave të racës së zezë mendojnë që vrasja në Ferguson nxit çështje të rëndësishme rreth racës, përballë 37 për qind të të bardhëve që e mendojnë të njëjtën gjë.

47 për qind e respondentëve të racës së bardhë mendojnë që raca po tërheqë “tej mase” vëmendje përballë vetëm 18 për qind të respondentëve të racës së zezë që e mendojnë të njëjtën gjë.

Vetëm 18 për qind të personave të racës së zezë në këtë sondazh kanë besim në hetimin e vrasjes përballë 52 për qind të respondentëve të bardhë.

54 për qind të respondetëve të zinj janë duke e përcjellë ngjarjen në detaje, përballë 25 për qind të të bardhëve.

"Pjesë e sfidës në vazhdim për perfeksionimin e bashkimit tonë përfshin edhe trajtimin e komuniteteve që ndihen se janë anashkaluar, të cilat si pasojë e historisë tragjike, shpesh ndihen të izoluar, shpesh mbesin të pashpresë, pa perspektivë ekonomike”, ka thënë Obama në Shtëpinë e Bardhë më 18 gusht.

Ka shumë djem të rinj me ngjyrë në shumë komunitete që ka më shumë mundësi të përfundojnë në burg se sa të gjejnë një punë të mirë apo të pranohen në një universitet të mirë”, ka shtuar Obama.

Vdekja e Brownit nuk duket më ndryshe, sipas një analize të “USA Today” rreth raporteve të vrasjeve të justifikueshme që policia lokale ia ka dhënë FBI-së.

Të dhënat tregojnë se policët e racës së bardhë kanë vrarë një person të racës së zezë gati dy herë në javë për shtatë vjet deri në vitin 2012, raporton gazeta amerikane.

Nga këto raste, 18 për qind përfshin vrasjen e personave të racës së zezë nën moshën 21-vjeçare, përballë 8.7 për qind të rasteve të personave të racës së bardhë të vrarë nga policia, raporton “USA Today”.

"Në shumë komunitete në tërë vendin, ekziston mungesë e besimit në mes të banorëve dhe zyrtarëve të organeve të sundimit të ligjit”, ka thënë Obama më 18 gusht.

“Në shumë komunitete, shumë të rinj me ngjyrë janë anashkaluar dhe tani shihen vetëm si objekte prej të cilave duhet pasur frikë”, vlerëson presidenti amerikan.

Skena nga “Bagdadi”

Përgjigja ndaj protestave nga njësitet e policisë lokale, shumë prej të cilëve mbajnë pajisje ushtarake, ka nxitur reagim të ashpër në tërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autoritetet vendore kanë përdorur gaz lotsjellës dhe kanë arrestuar protestues dhe gazetarë derisa bëjnë përpjekje që të shuajnë trazirat, të cilat tani kanë kaluar edhe në plaçkitje dhe shkatërrim të pronës.

Përfaqësuesi amerikan, John Lewis, aktivist i njohur për të drejtat e njeriut gjatë viteve ‘60, ka thënë se pamjet filmike nga protestat dukej sikur vinin nga “Bagdadi apo ndonjë vend që gjendet në luftë”.

Fergusoni është pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është Kinë. Nuk është Rusi. Nuk është Kongo. Është Amerikë”, ka thënë Lewis më 17 gusht, gjatë një interviste për “NBC News”.

“Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë. Njerëzit kanë të drejtë që të përfshihen në një aktivitet në mënyrë paqësore, jo të dhunshme. Ndërsa, mediat kanë të drejtë që ta mbulojnë atë që po ndodh”, ka thënë ai.

Autoritetet lokale dhe shtetërore që kritikët i akuzojnë se janë tej mase të militarizuar tash kanë marrë përkrahje nga njësitet e vërteta ushtarake duke iu falënderuar guvernatorit të Misurit, Jay Nixon, i cili ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 16 gusht.

Dy ditë më pas, Nixon ka njoftuar se Garda Kombëtare e Misurit do të dërgohet për të ndihmuar organet e rendit në Ferguson.

Të njëjtën ditë, Obama ka treguar se i ka thënë Nixonit se ai do të donte të shihte përdorim të kufizuar të forcës dhe se ai vetë do ta vëzhgojë se si do të vendoset Garda Kombëtare gjatë krizës.

Obama ka thënë se “është e qartë që shumica e protestuesve janë paqësor”, në Ferguson, por ka edhe “pak njerëz që nuk janë”.

Unë e kuptoj pasionin dhe zemërimin që është ngritur si pasojë e vrasjes së Michael Brownit, mirëpo të kthesh këtë zemërim në plaçkitje apo bartje të armëve apo edhe kryerjen e sulmeve ndaj policisë vetëm sa i rrit tensionet dhe nxit kaos”, ka thënë Obama.

Duke kërkuar drejtësi

Obama më 18 gusht, gjithashtu, ka njoftuar se Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Eric Holder, do të udhëtojë drejt Fergusonit më 20 gusht, për të biseduar me zyrtarët lokal, Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në, si dhe me liderët e komunitetit.

Obama ka thënë se ai është duke pasur kujdes me deklarimet publike për rastin për të mos ndikuar në hetim.

Hetimi i këtij rasti është duke u kryer nga Departamenti i Policisë së Qarkut të St Louis.

FBI-ja, gjithashtu, e ka nisur një hetim për të drejta civile të incidentit.

Departamenti i Drejtësisë, po ashtu, ka njoftuar se do të kryejë autopsi të rastit paralel atij që është kryer nga autoritetet lokale dhe autopsisë private që është kryer nga familja Brown.

Rezultatet e autopsisë private të publikuar më 17 gusht, tregojnë se Brown është goditur katër herë në krahë dhe dy herë në kokë.

Një nga plagët e kokës tregojnë se kafka e Brownit ka qenë e “ulur poshtë”, sipas Michael Baden, ish-ekzaminues kryesor mjekësor për qytetin e New Yorkut, i cili e ka kryer autopsinë për familjen Brown.

Kafka e tij ka qenë ashtu, pasi ka mundësi që ai të jetë dorëzuar apo se është drejtuar nga polici”, ka thënë Baden.

Benjamin Crump, avokati që e përfaqëson familjen Brown, gjatë një konference më 18 gusht, ka thënë se ata e kanë kërkuar autopsinë private pasi nuk iu besojnë autoriteteve lokale.

“Ata nuk kanë dashur që të mbështeten në autopsinë e kryer nga organet e sundimit të ligjit në Saint Louis, të njëjtit individ që ata besojnë se janë përgjegjës për ekzekutimin e djalit të tyre në mes të ditës”, ka thënë ai. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG