Ndërlidhjet

Pasi Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit në seancën e 17 korrikut, pritet që së shpejti të thirren deputetët për vazhdimin e seancës.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë mendime të ndryshme për atë se kush duhet të thërrasë në këtë rast për vazhdimin e seancës.

Analisti Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duhet që t’i thërrasë liderët e partive politike që të vendosin për vazhdimin e seancës.

“Gjykata ka konstatuar shkelje serioze dhe procedurale dhe në përmbajtje dhe e kthen procesin deri në momentin kur kryesuesja e mbyll seancën. Në këtë fazë, deputetët e kanë të fituar mandatin dhe i mbetet presidentes që presidentja të ftojë partitë politike që konsultohen dhe të merren vesh për datën e vazhdimit të seancës konstituive”, shpjegon Rashiti.

Kurse, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike, për Radion Evropa e Lirë thotë se pasi që të dihen të gjitha detajet nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, liderët e partive politike duhet të takohen dhe të vendosin për ditën dhe agjendën e seancës.

Liderët e partive politike në një takim mund të vendosin për rendin e ditës të seancës së ardhshme. Nëse nuk ka konsensus atëherë ato pika që janë të diskutueshme për t’u vënë në rendin e ditës, mund të bëhen si pika për t’u votuar në Kuvend. Pra, mbetet që liderët e partive politike dhe shefat e grupeve parlamentar të takohen dhe të vendosin për rendin e ditës dhe të vendosin për kohën dhe mënyrën e zhvillimi të seancës se re”, thotë Doli.

Përmes një njoftimi, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se me shumicë votash është konstatuar që “mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014 nga kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, 83 deputetë kanë shkelur Kushtetutën, duke vazhduar mbledhjen.

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, konsideron se vendimi për zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit të Kosovës “është jokushtetues, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga procedura e ndjekur”, sepse siç thuhet në njoftim, “nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit”.

Analisti Doli thotë, po ashtu, se veç asaj që dihet deri tash, nëse Kushtetuesja me shpjegimet e tjera, ka bazuar konceptin Grup parlamentar me konceptim parti politike, atëherë sipas tij, partitë politike duhet të mendojnë për një zgjidhje të re në mënyrë që të mos ketë thellim të krizës politike dhe institucionale.

“Koalicioni LDK – AAK - Nisma, dhe PDK, po ashtu edhe partitë e tjera të përfaqësuara në Parlament, duhet të mendojnë për zgjidhje, e cila do t’i ofronte Kosovës një qeveri gjithëpërfshirëse apo do të duhej të mendojnë një zgjidhje se si ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që kjo krizë politike të përfundojë me anë të zgjedhjeve”.

“Dhe, në fakt, sipas Kushtetutës së Kosovës, shkuarja në zgjedhje është shumë e limituar. Pra, janë vetëm tri raste kur vendi mund të shkojë në zgjedhje dhe asnjëra nga këto raste nuk ka të bëjë me vetë postin e kryeparlamentarit”, shpjegon Doli.

Ndërkaq, analisti Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika thotë se sa i takon asaj që flitet për zgjedhje të reja, konsideron se për këtë çështje u mbetet të vendosin partitve politike.

“Tani u mbetet partive politike a duan të shkojnë në zgjedhje apo duan t’i japin mundësi krijimit të qeverisë. Nëse deputetët nuk e zgjedhin Kryesinë e Kuvendit në bazë të formulës së përcaktuar, natyrisht që vendi duhet të shkojë në zgjedhje", vlerëson Rashiti.

Sido që të jetë, Partia Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese “si një akt të vendosjes së kushtetutshmërisë në vend dhe si një tregues të fuqishëm se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur në zgjedhjet e përgjithshme të datës 8 qershor, është suprem dhe i patjetërsueshëm”.

Kurse, në një kumtesë për media, blloku i partive: Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kanë theksuar se koalicioni “e ka marrë në konsideratë njoftimin për media nga Gjykata Kushtetuese dhe është në pritje të publikimit të tekstit përfundimtar”.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG