Ndërlidhjet

logo-print

Konkluzionet e samitit të Berlinit janë mirëpritur nga partitë politike në Maqedoni, por ato kanë qëndrime të ndryshme nëse do të përmbushen nga institucionet apo pushteti aktual.

Në këtë takim të vendeve të rajonit është kërkuar që ato të vazhdojnë me reforma të thella ekonomike dhe politike për të rritur gjasat për pranimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Rafis Haliti, Maqedonisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, thotë se interesi i të gjitha vendeve është integrimi euroatlantik dhe se të njëjtin synim e ka edhe Maqedonia, e cila do të vazhdojë sikur edhe më parë me përmbushjen e reformave, por që duhet të marrin një dinamikë më të përshpejtuar.

“Ballkani perëndimor, apo shtetet e këtij rajoni gjithsesi se duhet që kontestet mes tyre t’i zgjidhin sa më parë, pasi është në interesin e të gjithë qytetarëve të shteteve të Ballkanit që ky rajon të integrohet në NATO dhe BE. Maqedonia ka punuar dhe gjithsesi se pas këtyre konkluzioneve duhet të punojë me një dinamikë edhe më të përshpejtuar për përmbushjen e reformave, në veçanti në ato që kanë të bëjnë me gjyqësinë e kështu me radhë“, thotë Haliti.

Nga VMRO DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, nuk kanë komentuar këtë takim të nivelit të lartë, i cili përfundoi me miratimin e një dokumenti, në të cilin kërkohet zgjidhja e çështjes së emrit, përmirësimi i sundimit të së drejtës, dialogu politik, mundësimi i opozitës që të luajë rolin e saj në Kuvend, ambient pluralist për mediat, e çështja tjera mbi funksionimin e institucioneve.

Nga lidhja Social-demokrate e opozitës, thonë se konkluzionet e samitit janë shumë të mira dhe pozitive për vendet e rajonit, por për pushtetin aktual në Maqedonia nuk vlejnë për shkak të, siç theksojnë, mosinteresimin e tij për zhbllokimin e procesit integrues dhe realizimin e reformave tjera.

“A pres diçka nga autoritetet tona? Jo, asgjë nuk pres. Qëllimi i tyre është i qartë, ata ishin atje, janë shëtitur dhe këtu përfundon angazhimi i tyre. Pse e them këtë, për arsye se kjo që po ndodh në Maqedoni nuk jep asnjë shpresë se mund të ndodhë diçka pozitive, gjithçka që po bëhet këtu është në kundërshtim me rekomandimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Ndryshimet kushtetuese që po debatohen në Kuvend, por edhe shumica e ligjeve tjera që janë në rendin e ditës, janë në kundërshtim me debatin dhe kërkesat që u dëgjuan në Berlin”.

“Sa i përket konferencën vlerësoj se ajo ishte shumë pozitive që dëshmoi edhe njëherë ndikimin në rritje të Gjermanisë në krijimin e politikës evropiane, por rekomandimet e miratuara për pushtetin aktuale në Maqedoni nuk vlejnë“, thekson Lidija Dimova, zyrtare e lartë e LSDM-së dhe ish -drejtuese e Qendrës maqedonase për edukim evropian.

Ndërkaq, ish-diplomati Nano Ruzhin, zyrtar i Partisë Liberal-Demokrate, thotë se në Berlin janë konfirmuar kërkesat që tani një kohë të dëgjohen nga Bashkimi Evropian.

Ai beson se pushtetit aktual po i ngushtohet hapësira e veprimit pasi nuk ka alternativë tjetër përveç zgjidhjes së çështjes së emrit.

“Praktikisht, ne asgjë të re nuk dëgjuam për Maqedoninë. Edhe pse konkluzionet e miratuara ishin të përgjithësuara, supozoj se kryeministri Gruevski ka identifikuar pushtetin e tij me një pjesë të këtyre konkluzioneve, pasi Brukseli edhe njëherë qartë ka bërë me dije përmbushjen e obligimeve, apo zgjidhjen e kontesteve mes shteteve, e një kontest të tillë ka edhe Maqedonia”.

“Pra, sa i përket çështjes së emrit, nuk ka diçka konkrete, apo ndonjë shkop magjik për fillimin e bisedimeve me BE-në. Përkundrazi, kërkohet zgjidhja e çështjes së emrit, kompromis si kusht për ecjen para në procesin integrues. Gruevski më nuk ka hapësirë, as për manipulime, e as për shtyrjen e këtij problemi. Atë duhet ta zgjidhë sa më parë që të mund të ecim para“, vlerëson Ruzhin.

XS
SM
MD
LG