Ndërlidhjet

Jahjaga: Kosova është e përgatitur të luftoj ekstremizmin


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Institucionet e Kosovës kanë dëshmuar se janë të afta dhe të përgatitura që të veprojnë kundër grupeve ekstremiste, ka thënë presidentja, Atifete Jahjaga.

Grupe të tilla, sipas saj, përbëjnë kërcënim jo vetëm për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, por edhe më gjerë. Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë shënimit të Ditës së Policisë së Kosovës.

"Sot kur Kosova sikurse e gjithë bota, po përballet me kërcënime nga aktivitetet terroriste dhe ekstremiste, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për të ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit, dhe për të mbrojtur idealet e vlerat e shoqërisë sonë", ka deklaruar Jahjaga.

Mëtutje ajo ka thënë se "Kosova asnjëherë nuk do të lejojë rritjen e grupeve të tilla në tokën e saj, dhe asnjëherë nuk do të lejojë që vlerat e saj si shoqëri, të ndërtuara me shekuj, të lëkunden dhe të rrezikohen".

Në fjalimin e saj, Jahjaga u ka bërë thirrje edhe njëherë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje dhe t'i formojnë institucionet e reja.

"Është shumë e domosdoshme që Kuvendi i ri i Kosovës, dhe unë besoj se deputetët e zgjedhur me votën e popullit, do të gjejnë forcën dhe kurajon që të tejkalojnë shpejt problemet e sotme, të miratojë ligje që do të parandalojnë aktivitetet ekstremiste e terroriste të qytetarëve tanë kudo qoftë në botë", ka deklaruar Jahjaga.

XS
SM
MD
LG