Ndërlidhjet

Përse Skocia duhet të mbetet me Britaninë?


Londër...

Londër...

Më 18 shtator, banorët e Skocisë do t’iu drejtohen kutive të votimit për t’iu përgjigjur pyetjes “A duhet të jetë Skocia shtet i pavarur?”

Sonadazhet e fundit sugjerojnë se ata do të thonë ‘jo’. Por, edhe nëse përgjigjja është ‘jo’, përse Skocia e ka ndjerë nevojën për këtë pyetje?

Këtë çështje shtron ish-kryeministri britanik, Gordon Brown, në një shkrim për të përditshmen amerikane, New York Times.

Ai thotë se në një epokë të tregjeve globale dhe markave globale si Starbucks, McDonald’s, Twitter dhe Facebook, nacionalizmi nuk ka arritur të zhduket.

Në vend të kësaj, duke ripunuar idenë se “e vogla është e bukur”, lëvizjet shkëputëse nga Skocia dhe Katalonja deri te rajoni Flander dhe Lombardi, janë duke bërë fushatë për rilindjen e shteteve të vogla të pavarura.

Ato këmbëngulin se përshtatshmëria e tyre më e madhe dhe homogjeniteti kulturor do t’i bëjë ato histori të suksesit ekonomik dhe modele të drejtësisë sociale.

Brown thotë se Skocia nuk është bërë kurrë “Britania Veriore” dhe, për tre shekuj, patriotizmi skocez nuk ka kërkuar shtet të veçantë.

Por, ajo çfarë është e re tani, është ndikimi i ndryshimeve globale.

Ashtu si edhe gjatë Revolucionit Industrial, kur lëvizjet nacionaliste kanë shpërthyer derisa njerëzit kanë bërë përpjekje të mbrojnë dhe të strehojnë komunitetet e tyre kundër modeleve të pabarabarta, edhe sot evropianët janë mobilizuar rreth identiteteve tradicionale, këtë herë edhe me pasiguritë e globalizmit, thotë Brown.

Skocezët pyeten se çfarë mund të bëjë Britania post-perandorake për ta. Ata po ashtu vënë në dyshim nëse Britania, e udhëhequr nga konservatorët, e cila vetë planifikon referendum për anëtarësinë në Bashkimin Evropian para fundit të vitit 2017 dhe shkurtime kontroverse në sigurimet sociale, do të jetë e aftë për të bashkuar vendin rreth një projekti dhe qëllimi të përbashkët për epokën globale.

Brown thotë se Britania nuk ka qenë kurrë e bashkuar për nga përkatësia etnike. “Ne jemi katër kombe në një shtet”.

Brown po ashtu kujton se Britania ka institucionet e veta - nga monarkia dhe ushtria deri të Transmetuesi Publik, BBC - dhe se anjëri prej tyre nuk duket se mbështet krenarinë skoceze.

Mbretëria e Bashkuar ka po ashtu Shërbimin Kombëtar Shëndetësor dhe mirëqenien shtetërore. Duke bashkuar dhe ndarë burimet në katër kombe, ne i garantojmë Skocisë, Anglisë, Uellsit dhe Irlandës Veriore të drejtën në kujdes shëndetësor, arsim, mirëqenie dhe standarde minimale për vende të punës, pavarësisht kombësisë, shkruan Brown.

Sipas tij, amerikanët mund të ndajnë të drejta të barabarta civile dhe politike, Bashkimi Evropian mund të ndajë të njëjtin treg, por Skocia, Anglia, Uellsi dhe Irlanda Veriore kanë shkuar aq larg duke ndarë të drejtat e njëjta sociale dhe ekonomike.

Brown thotë se globalizimi krijon sfidën komplekse të shekullit 21. Si mund ta ruajnë shtetet me sukses dallueshmërinë e tyre në një botë të ndërlidhur, ku mallrat dhe shërbimet nuk kanë burim lokal por global dhe kapitali rrjedh përtej kufijve kombëtarë? Ekziston frika se nëse ju integroheni, ju mund të humbisni identitetin tuaj, ndërsa nëse ju kapeni për identitetin tuaj, ju mund të përjashtoheni nga mundësitë e botës, paralajmëron ish-kryeministri briatnik, Gordon Brown, tani anëtar i Parlamentit, në artikullin e tij për gazetën New York Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG